Grusht spiunit

Edison YPI

Iku me anije duke u betuar se nuk do kthehej më kurrë. Megjithatë më çoi haber se kishte ardhur.
U takuam në një kafene.
-Po thonë për ne të përndjekurit se spiunat ishin të gjithë prej nesh. Se asnjëri nga ne s’ka goditur kurrë me grusht një persekutor. Unë erdha t’ja rras me grusht njërit prej tyre, spiunit tim. E kërkova por nuk e gjeta. Kishte vdekur. Nuk mund të hapja varrin t’i rrasja një grusht skeletit të spiunit tim.
-Më vjen mirë që spiuni yt paska vdekur. Më vjen keq që vdiq pa ja hequr ti një grusht. Duket si hakmarrje e të vdekurit ndaj të gjallit. Sikur spiuni yt paska vdekur që të mos ja rrasje ti me grusht. Nuk e di çfarë do bëja unë me spiunin tim.
-Ke pasur edhe ti spiun?
-Të gjith kishin spiun. Edhe spiunat kanë pasur spiun.
-Mirë e ke. Grushtin që s’ja rrasa dot spiunit, vendosa t’ja ngjesh gjykatësit. Gjykatësi, gjykatës atëhere, gjykatës tani. Me gjyqin e nipit tim po merret shoku i ngushtë i gjykatësit t’im. Po t’ja fusja grushtin gjykatësit do merrja më qafë nipin. E lashë gjykatësin. Nisa të kërkoj prokurorin. Me prokurorin ishin hakmarrë të tjerë para meje shumë më tepër se me një grusht. E kishin pushkatuar. Familjen ja kishin degdisur nëpër burgje dhe internime. Kishte rënë viktimë e luftës brenda llojit. Pas prokurorit nisa të kërkoj hetuesin. Hetuesi më doli autoritet i lartë i një universiteti privat. Në universitetin e hetuesit studjon mbesa ime. As hetuesit pra s’mund t’ja rrasja grushtin për të mos i nxjerrë ngatërresa mbesës. E lashë dhe hetuesin, thashë të gjej njërin nga dëshmitarët e rremë që në gjyq tha për mua gjithato gënjeshtra. E takova dëshmitarin rrenacak. Ndodhi diçka e paparashikuar. Sa më pa, nisi të më kërkojë falje në një mënyrë të pështirë. U jargavit dhe u zhgërrye aq ndyrë para meje, sa mu duk se po tja rrasja një grusht, dora e djathtë do më ndotej aq tepër sa do duhej ta prisja me sëpatë me dorën e majtë mbi një trung. Ndërkohë që po mendoja se kush tjetër e meritonte grushtin, mora vesh diçka që më llahtarisi; Një dhëndërr i familjes t’ime kishte qënë spiun. Nuk na kishte dëmtuar. Ama gjithçka që kishim llafosur paskësh përfunduar në veshët e syshkabës, Sigurimit. Nisa ta shoh me dyshim krejt farefisin. Tani më duken të gjithë të mbuluar nga mjegulla e dyshimit. Ndërkohë zbulova disa gjëra; Njerëzit e spiunit t’im të vdekur, atij që nga njëra anë bënte muhabet me mua në shtëpinë t’ime, nga ana tjetër shkonte i zbrazte të gjitha te Sigurimi, ishin të lidhur prej vitesh me interesa biznesi me ca njerëzit e m’i. Ai që gjykatës ishte gjykatës është, ishte mpleksur në ndërtimin e një pallati, trualli i të cilit ishte, dhe është, i një mikut tim, të cilin mik e kam pasur, dhe mik e kam. Të tjera mpleksje më bënë të dyshoj nëse ishte a s’ishte e udhës që grushti ime të plasej mbi surratin e ndonjërit, derisa u binda se më e mira ishte t’ja rrasja grushtin një kushuriri nga ata që ma braktisën familjen kur më burgosën. Mirpo kushurinjtë e tillë ishin shumë. Hoqa dorë nga kjo ide e lodhshëme. E di si është puna?
-E spiunit t’im apo e spiunit tënd?
-E spiunit t’im pra. A po më ndjek?
-Po të ndjek, por u shkëputa për një çast nga hallet e tua me spiunin tënd dhe u zhyta në ca përsiatje nostalgjike për spiunit t’im.
-Zbulimi se diktatura jonë, si e imja dhe e spiunit t’im, e jotja dhe e spiunit tënd, dhe e të gjithë të tjerëve dhe spiunave të tyre, paska qënë fort e fëlliqur. Mpleksjet shqiptareske me spiuna dhe viktima paskan qënë gjërat më të ndyra të kësaj bote. S’po di kujt t’ja rras grushtin. Me këto që po shoh e po dëgjoj këtu, s’ka asnjë çudi që të dyshoj, jo vetëm unë tek ty, por edhe ti tek mua, edhe ti tek vetja jote, edhe unë tek vehtja ime. A më ndihmon të mos kthehem në kurbet pa ja rrasur dikujt një grusht?
-Të ndihmoj për çdo gjë. Vetëm pare mos më kërko.
-A ta rras ty një grusht?
-Jo.
-Meqënse ti nuk po më ndihmon mua, unë po ndihmoj veten.
U ngrit në këmbë. Me sa fuqi kishte j’a rrasi me grusht vetes.

Artikulli paraprakHije skandali me kompaninë italiane që ndërton by pass-et e Fierit dhe Vlorës
Artikulli tjetërQeveria është lëshuar