Grupi “Kap Ça Le Rama”!

Ish-deputeti Ervin Salianji i ftuar në Fax News ku foli për projektligjin “AntiKÇK” të prezantuar ditën e sotme nga kryeministri Edi Rama, e cilësoi këtë ligj si një dhënie kompetencash ndaj Policisë së Shtetit mbi institucionet e drejtësisë.

Salianji tha se ligji i Ramës le të quhet KÇLR që sipas tij do të thotë “Ka ça Le Rama”, ndërsa shtoi se projektligji është bazuar protësisht në ligjet aktuale që parashikon Kodi Penal.

“Kreu i këtij grupi është Edi Rama madje grupi i tij ta quajë “Kap Ça Le Rama” (KÇLR). Në këtë kuptim nuk mund ta besojë njeri realizimin e tij, nga ana tjetër nuk ka asnjë vakum bosh për këtë që thotë projektligji i propozuar nga kryeministri, janë huazuar nga ligjet në fuqi dhe nga Kodi Penal e Civil. Aspekti tretë ka të bëjë me presionin që do të tregojë se vetëm Edi Rama është i paprekshëm dhe të lërë të kuptojë përmes trysnisë se do të bëhet si do ai. I jepet kompetenca Drejtorit të Policisë në shumë raste në kundërshtim të Kushtetutës.

Është një lloj totalitarizmi që ia jep Rama në kokën e tij vetes, pasi një strukturë e tillë e kriminalizuar i jepet akses që nuk ndodh në asnjë vend tjetër të botës. Mund të dërgojë në Gjykata këdo që është kundër kryeministrit dhe nuk i bindet urdhrave të tij, mbi të gjithë Policia e Shtetit vendoset mbi SPAK dhe BKH, është një shkatërrim i asaj pak gjëje që është arritur. Është një zhurmë dhe rrëmujë për të mos lejuar që SPAK dhe BKH të dënojnë apo gjykojnë personat me precedent penal apo të akuzuar për afera korruptive, është për të penguar ngritjen e institucioneve të reja”, tha Salianji.

Pjesë nga intervista

Po kthehet Policia si detyruese ndaj Prokurorive për shkak të aksesit që do të kërkojë?

Salianji: Gjithçka varet apo mbizotërohet nga Policia e Shtetit sipas këtyre propozimeve. SPAK dhe BKH do të ketë të gjitha instrumentet ligjore për të mos u kapur politikisht, ndërsa Policia e Shtetit nuk e ka këtë atribut ndryshe nga sa është parashikuar nga Reforma në Drejtësi.

Mund të ketë risk ky projektligj për miratimin e tij, kujtojmë deklaratën e Ramës se kush është kundër do përjashtohet nga grupi parlamentar?

Salianji: Gjithçka mund të ndodh. Nëse Edi Rama kalon edhe këtë ligj do të thotë se i ka votat edhe për të ndryshuar Kushtetutën dhe kthyer vendin në mbretëri, problem është tek procedura dhe ajo çfarë po tentohet të bëhet. Nuk di se çfarë forme tjetër mund të ketë për ta penguar përveçse reagimi qytetar. Deputetët kemi parë që përveç rasteve që e bëjnë për shoë të refuzojnë një projektligj të propozuar nga qeveria, ata kanë  votuar rregullisht si makineri.

Si mund të hidhet poshtë ky projektligj?

Salianji: Nëse do të ishim në një situatë normale, do të ishte Gjykata Kushtetuese që do ta kthente, përveç Presidentit të Republikës që është një lloj filtri nuk shikoj asnjë element tjetër për ta penguar, përveç rrëzimit të Edi Ramës. I takon partive të opozitës të thërrasin sovranin dhe të vendosin mbrojtjen e integritetit të vet. Nëse do të shkohet akoma më tej me këto provokime, do të ketë përgjigje të merituar.

A mos vallë do duhet të presim për çdo gjë Gjykatën Kushtetuese?

Salianji: SPAK dhe Byroja e Hetimit, të vendoset në funksionim dhe të çojë para përgjegjësisë çdo kënd që shkel ligjin. Nuk besoj se është diçka e marrë seriozisht, por është një tjetër provokim. Ka disa forma që mund të ketë ankime për një projektligj, por çështja është që të gjitha shkojnë në Gjykatën Kushtetuese. Këto janë instrumente që ka vendi por për fat të keq shteti nuk funksionon as vetë. Ajo që ka mbetur si e vetmja zgjidhje është të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

Si e shihni nismën e Presidentit për të shkuar në Referendum?

Salianji: Çdo nismë e tij i takon kryetarit të shtetit, është shumë e rëndësishme për ta çuar vendimmarrjen tek qytetarët, Edi Rama e ka refuzuar vazhdimisht të drejtën e qytetarëve për të vendosur ata për çështjet e mëdha. Është normale dhe e ligjshme por edhe një e drejtë e qytetarëve që për çështje të tilla të vendosin vetë përmes Referendumit dhe ne e mbështesim.

Artikulli paraprakPërgjaken sërish rrugët, humb jetën një person nga përplasja e makinës
Artikulli tjetërPaketa e Ramës/ Zëri i Amerikës: Shumë kompetenca rrezikojnë të bien ndesh me ato të Prokurorisë