Gruaja e trafikantit Daja për Bashkinë, Roshi merr partinë

Gentian Daja, njeriu në krye të PS-së së Kavajës, i dënuar për trafik droge në Itali, do të kandidojë bashkëshorten e tij, Silavana Cikalleshi Daja për vendin e kryebashkiakut të këtij qyteti, i lënë bosh nga shoku i tij i ngushtë me pesë emra, por me mbiemër Roshi. Duket se Edi Rama po e sheh Kavajën si strehë të banditëve, ku pushtetet që ata nuk i marrin dot për shkak të të shkuarës së tyre kriminale, ia kalojnë grave të tyre për të firmosur më pas tenderat dhe grabitjen e tokave në këtë qytet. Kandidimin e bashkëshortes së tij, e ka lajmëruar dje dhe Gentian Daja, me anë të një statusi në Facebook, ku shprehet më pas se ka dhënë dhe dorëheqjen nga posti i kryetarit të PS-së. Burime nga PS në Tiranë, shprehen se për këtë post Edi Rama ka piketuar Enver Roshin, që u largua nga detyra për shkak të ligjit të dekriminalizimit. Të njëjtat burime, shprehen se kjo ka qenë dhe kërkesë e Arben Ahmetajt, kandidati i PS për Kavajën. “Miq, sapo mbaroi mbledhja e Asamblesë Socialiste të Kavajës ku u propozuan 6 kandidatë për Kryetar Bashkie, një ndër të cilat edhe bashkëshortja ime, Silvana Daja. Nisur nga ky propozim për të mos ndikuar jam i detyruar të dorëhiqem nga detyra e Kryetarit të Partisë Socialiste Kavajë. Bashkë tani do jemi akoma më të fortë”, shkruan Gentian Daja në adresën e tij në Facebook menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së asamblesë së PS të këtij qyteti.

Kandidaturat

Edi Rama u mundua të shpërndante një lajm ditën e djeshme në mediat afër tij, ku kandidati për Bashkinë e Kavajës do të jetë femër. Në të vërtetë, megjithëse lajmërohet të jenë 6 emra, burimet nga ky qytet thonë se ata janë emra fiktivë. Femra janë vetëm gruaja e Gentian Dajës dhe kryetarja e FRESH Kavajë, një adoleshente 20-vjeçare që është akoma studente dhe nuk plotëson asnjë kriter për t’u zgjedhur. Të tjerët në listë, janë kryesisht anëtarë periferik të PS-së, të përzgjedhur me kujdes nga vetë Daja që bashkëshortja e tij të dalë në krye, një porosi kjo e dhënë dhe nga vetë Edi Rama për të justifikuar veprimin e tij. Por kush është Silvana Cikalleshi Daja. Eshtë një person që shumë pak njerëz e njohin në qytetin e Kavajës. Një grua shtëpiake, e cila nuk ka punuar asnjë ditë në administratë, madje rrallëherë  ka kaluar dhe pragun e derës siç na thonë banorët e qytetit. Mediat sot shkruanin se është drejtuese e një kompanie në këtë qytet, por në fakt në emër të saj figuron kompania e ndërtimit, ku i shoqi është ortak me shokun e tij të ngushtë të aventurave të narkotrafikut, Roshi, me pesë apo gjashtë emra. Babai i saj Seid Cikalleshi, është drejtori i Ujësjellësit të Kavajës, i vendosur në këtë post nga dhëndërri i tij pa asnjë lloj kriteri plotësues.

Kavaja në dorë të bandave

Duket se Kavaja me ardhjen e Roshit atje është kthyer si një qytet i zaptuar nga mafia dhe nepotizmi. Përgjatë kohës që kanë udhëhequr Roshin me Dajën, janë kujdesur që në postet kyçe ata të vënë njerëzit e tyre. Për shembull, drejtor shitjesh në OSHEE është vendosur vëllai i Roshit, drejtor spitali, Përparim Daiu, ish-trajner i të rinjve të “Besës” që ka mbaruar një shkollë Fizkuluture, tek gjimnazi më i vjetër i qytetit, një tjetër mik i Elvis Roshit, me shumë gjasë i ngjashëm me të me mbiemër Xhihani e kështu me radhë. Duket sikur kemi të bëjmë me një terren, apo më mirë me një çiflik që e ka marrë në dorë një grup banditësh dhe mund të bëjnë çtë duan me atë qytet. Tashmë, kërkojnë që me çdo kusht të marrin dhe Bashkinë e qytetit dhe flitet se Gentian Daja i ka dhënë garanci të mëdha Edi Ramës për blerje votash në këtë qytet. Nuk duhet harruar se me garancinë e Roshit dhe Dajës, Kavaja ishte një ndër qytetet ku prezenca e policisë ka qenë thuajse inekzistente në aksionet e saj në luftën kundër kanabisit, megjithëse ka qenë nga qytetet ku ky fenomen ishte ndër më të përhapurit. Kjo është rilindja që i ofroi Edi Rama qytetit ku filluan lëvizjet e para të demokracisë.

Sakja: Daja dha dorëheqjen se Ramës i duhet Roshi

Lajmin se Enver Roshi do të bëhet kryetar i PS-së së Kavajës, e ka lajmëruar dje dhe kryetari i PD-së Kavajë, Isa Sakja. Me anë të një njoftimi në Facebook, ai shkruan se Daja e dha dorëheqjen i detyruar, pasi këtë post Edi Rama ja ka premtuar Roshit të shkarkuar, pasi u zbulua e shkuara e tij në shtetin italian. “Të dashur miq, favoritja kryesore për kandidate për postin e kryetares së Bashkisë është bashkëshortja e kryetarit të PS, Gentian Daja. Ky i fundit njoftoi dorëheqjen nga posti i detyruar nga partia. E dini pse? Se Ervin Rroshi do të bëhet kryetar i PS për Kavajën. Sa shëmtuar e lexon ligjin e dekriminalizimit Partia Socialiste?!! Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme! Siç riciklon këta, riciklon çdo figurë tjetër të prekur nga ligji për dekriminalizimin! Ne nuk bëhemi figurina të shpëtimit të imazhit të pseudodemokracisë! Ne luftojmë për standarde! Ne nuk ndalemi!”, thotë Sakja në postimin e tij. Ndërkohë, mësohet se Elvis, Ervin, Enver Rroshi, ish-kryetar i Bashkisë së Kavajës dyshohet të jetë hetuar nga Agjencia Amerikane e Antidrogës, DEA në vitin 2015 për implikim në trafik droge dhe pastrim parash. Byrime zyrtare të Prokurorisë janë shprehur se, organi i akuzës ka dërguar letër-porosi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe po pret përgjigjen për të vendosur nëse ka ose jo vend për hetime të reja ndaj kryebashkiakut të Kavajës.

Kush është Gentian Daja?

Edi Rama risolli dhe një herë fjalën e harruar rilindje në një shëtitje që bëri në Kavajë. Sot kudo në Shqipëri, rilindja është burim barsaletash, por në Kavajë, ka edhe një arsye më shumë për të mos e besuar Edi Ramën. Dhe arsyeja është rilindasit që ishin në krahun e djathtë të kryeministrit. Kemi sot disa pyetje për Edi Ramën. A është personi Gentian Daja, që i keni besuar Partinë Socialiste të Kavajës dhe i keni dhënë Drejtorinë Rajonale të Tiranës për shërbimin e Transportit Rrugor, një person me precedentë të fortë penalë. Zoti Rama, a është krahu juaj i djathtë për Kavajën dhe transportin e Tiranës, person i dënuar në Kazerta të Italisë për trafik droge. Zoti Rama, është kryetari juaj për Kavajën, dhe shefi i transportit për Tiranën, person i dënuar në Franfurt të Gjermanisë për trafik droge. Kavaja, por dhe më gjerë, e njohin mirë kryetarin dhe shefin tuaj të transportit. Eshtë mirë që të bëni transparencë për rilindasin tuaj që ta njohin më mirë të gjithë qytetarët.

Artikulli paraprakAleanca e Sorosit kundër lirisë amerikane
Artikulli tjetërFaqja e pare