Grabitja në Qafë Kashar, Drejtori i Policisë: Ka patur patrullë në rrugë

Grabitja me armë e parave që transportoheshin drejt Rinasit dy ditë më parë ka qenë sërish në vëmendje mediatike. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë për Rendin dhe Sigurinë, Altin Qato, ishte i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në “News24” ka pranuar se ditën e grabitjes ka patur patrullë policie në atë segment rrugor. Zona e quajtur Qafë-Kashar pranë Rinasit konsideruar publikisht si një zonë problematike, për dy ngjarje të njëjta të ndodhura në më pak se një vit, për kreun e policisë nuk mund të konsiderohet si një zonë jashtë kontrollit.
“Kjo është një zonë me risk brenda kryeqytetit dhe policia është më e organizuar, por ky është një aks që jo se mungojnë shërbimet, por nuk janë si në qytet. Ka patrullë në këtë aks rrugor për të marrë masa nëse ndodh ngjarja kriminale.
Ne i kemi shtuar një patrullë që rri tërë kohës në këtë aks rrugor. Ka patur 1 patrullë atë ditë. Ka pasur 2 ngjarje të tilla në këtë segment, por s’mund të themi se kjo rrugë është jashtë kontrollit. Me 2 ngjarje nuk mund të themi që kjo rrugë është jashtë kontrollit”, është shprehur Qato, duke shtuar nga ana tjetër se nevoja për kamerat e sigurisë në rrugë është prezente, por jo kompetencë e Policisë së Shtetit. “Nuk është detyrë e policisë për të vendosur kamera në rrugë, por është enti rrugor. Ne madje insistuam që ne të përcaktojmë të gjitha akset rrugore ku ka risk, ky ligj është miratuar, por pritet të vihet në zbatim”, u shpreh Qato.
Grabitja e 10 milionë eurove të një banke të nivelit të dytë ndodhi tw enjten nw mesditw në Qafë Kashar, kur dy makina të blinduara po transportonin paratë e një banke të nivelit të dytë drejt Aeroportit të Rinasit. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes bënë të ditur se, kanë qenë 5 persona të veshur me rroba të ngjashme me ato të forcave speciale, por me ngjyrë të zezë dhe me maska.
Grabitësit kanë qenë në dy makina dhe njëra prej tyre ka përplasur blindin ku ndodheshin paratë dhe më pas kanë dalë tre grabitës, duke i drejtuar armët shoferit të blindit. Fillimisht, rojet e sigurisë kanë rezistuar ndaj grabitësve, por maskat kanë qëlluar me breshëri armësh drejt tyre, duke i detyruar që të zbrisnin nga makinat me para.
Të ndodhur nën kërcënimin e armëve, punonjësit e policisë private janë dorëzuar. Grabitësit kanë prerë me një mjet fresibël pjesën e pasme të dy blindave të kompanisë private të sigurisë dhe kanë marrë të gjitha paratë. Dëshmitarë në vendngjarje bënë të ditur se kanë parë grabitësit që kanë marrë 10 thasë me para dhe i kanë futur në njërën nga makinat e tyre. Bëhet e ditur se një thes ka patur 1 milion euro dhe shuma e parave të grabitur është 10 milionë euro. Sipas burimeve, paratë ishin të Bankës Kombëtare Tregtare dhe po transportoheshin drejt Rinasit për t’u dërguar jashtë shtetit.
Pasi kanë marrë paratë, personat e armatosur dhe të maskuar me unifromë të ngjashme me ato të ushtrisë por në ngjyrë të zezë janë larguar në drejtim të Tiranës. Pas disa çastesh makinat janë gjetur të djegura në Fushë-Prezë. Kjo është një taktikë që përdoret nga grabitësit për të humbur gjurmët. Kjo taktikë është përdorur në tre grabitjet e fundit të makinave që transportonin para në të njëjtën zonë.

Artikulli paraprakDy grabitje në Elbasan, pronari falënderon grabitësit që nuk më vranë
Artikulli tjetërLezhë, Vokshi me forumet e grave: Të bëhemi barrikadë për rrëzimin e qeverisë