Grabitja e parave në Qafë-Kashar, 6 policët privatë i shpëtojnë qelisë

Gjykata e Tiranës dënoi 6 punonjësit e policisë private për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, pasi nuk mbrojtën paratë që po transportonin, nga grabitësit në rrugën Qafë Kashar-Rinas në shkurt të këtij viti.
Sipas Gjykatës, të 6 të pandehurit u cilësuan fajtorë, duke u dënuar me burg nga 8 deri në 24 muaj burg. Por, për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe rrethanave lehtësuese, Gjykata i pezulloi dënimet, duke urdhëruar që 6 të pandehurit të lirohen me kusht që të mbajnë kontakt me shërbimin e provës. Të njëjtat masa dënimi, i kërkoi dy javë më parë edhe Prokuroria gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare. Ndërkohë, avokatët kërkuan pafajësi për klientët e tyre.
Në vendimin që pritet të zbardhet nga gjyqtari i çështjes, të pandehurit Fatmir Gabio, Xhelil Metaj, Dashamir Balla, Endrit Daci, Gentian Deda dhe Përparim Logu janë gjetur fajtorë, pasi nuk kanë respektuar rregullat proceduriale gjatë shoqërimit të parave të bankës. Sipas Gjykatës, 6 të pandehurit nuk kanë aktivizuar GPS-et që duhet të futeshin brenda thasëve me para. Makina që transportonte paratë nuk shoqërohej nga dy makina të tjetra si dhe punonjësit e policisë private nuk kanë reaguar për t’iu kundërpërgjigjur grabitësve dhe për të njoftuar policinë për ngjarjen. Për të gjitha këto mos veprime, sipas Gjykatës, të pandehurit i kanë krijuar rrethana lehtësuese grabitësve për të kryer vjedhjen e parave të bankës, të ndodhur në shkurt të këtij viti në rrugën Qafë Kashar-Rinas.

Artikulli paraprakNjë i vdekur në aksident, zetori përplaset me motorin
Artikulli tjetërVritet me thikë një i ri në Tiranë