Grabitet nën kërcënimin e armës një farmaci në qendër të Tiranës

Një farmaci u grabit mbrëmë nën kërcënimin e armëve në rrugën e “Kavajës” në Tiranë. Sipas burimeve të policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:15, në rrugën e “Kavajës”. Dy persona të maskuar me kapele dhe shall të zi janë futur në farmaci dhe nën kërcënimin e armës i kanë marrë shitëses një shumë parash.
Sipas policisë, dyshohet se maskat kanë arritur të marrin 1.5 milionë lekë. Më pas, grabitësit janë larguar me shpejtësi nëpër rrugica. Edhe pse ngjarja ka ndodhur në qendër të Tiranës ku edhe numri i policëve është i shumtë, nuk është bërë e mundur që grabitësit të kapen nga policia. Policia bëri të ditur se po punon për zbulimin e kapjen e autorëve.
Numri i grabitjeve është rritur frikshëm gjatë ditëve të fundit në të gjithë vendin. Një ditë më parë, maskat grabitën një makinë tip “Benz” në fshatin Krastë të Krujës. Në të njëjtën ditë, një person në një fshat të Cërrikut ka rënë pre e një grabitjeje. Rreth orës 04:00 të mëngjesit të djeshëm, në fshatin Mollas, një person i paidentifikuar, ka hapur me forcë derën e dyqanit në pronësi të Xh.Gj., 27 vjeç dhe pasi e ka kërcënuar i ka marrë motorin, pa targa dhe është larguar. 27-vjeçari ka bërë denoncim në polici, duke thënë se nuk e kishte parë më herët autorin e dyshuar.

Artikulli paraprakShpërthim te ish-reparti ushtarak në Tiranë, dy fëmijë të plagosur
Artikulli tjetër2.3 ton drogë në Ankona, dëshmia: Ishte e treta herë