Grabitet me armë në mes të Tiranës

Një grabitje me armë ka ndodhur në Tiranë. Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme. Lajmi është bërë i ditur edhe nga burime të policisë. Sipas tyre, është shpallur në kërkim 40-vjeçari me inicialet F. Gj., i cili mbrëmjen e djeshme në zonën e Medresesë në Tiranë ka grabitur një të ri.
Rreth orës 18:00 i shpalluri në kërkim pranë Drejtorisë së Ujësjellësit të Tiranës, nën kërcënimin e një arme, thikë, i ka marrë telefonin “Samsung”, 16-vjeçarit me inicialet E. D. Pasi i ka marrë telefonin, 40-vjeçari F. Gj., është larguar duke humbur gjurmët, ndërsa policia e ka shpallur në kërkim.
Para dy ditësh u grabit nga maskat një pikë e grumbullimit të skrapit në periferi të kryeqytetit. Burime nga policia bënë të ditur se, rreth orës 4:00 të mëngjesit, tre perona të maskuar kanë lidhur rojen e objektit që ndodhet në Vaqarr. Më pas, kanë thyer zyrat e biznesit duke u futur brenda tij. Nuk bëhet me dije sasia e parave që autorët kanë grabitur. Nga këqyrja e kamerave, është vënë re se autorët janë larguar me një makinë të tipit “Benz”, me ngjyrë gri. Policia tha se po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Po ashtu, një supermarket që ndodhet vetëm pak metra larg Drejtorisë së Policisë se Korçës, u grabit mbrëmjen e të premtes nga një person i armatosur. Autori u arrestua nga policia disa orë më pas në afërsi të Librazhdit, por ende nuk bëhet i ditur identiteti i tij. Nën kërcënimin e armës, mësohet se ai arriti të marrë nga kasa 100 mijë lekë. Këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë bëri që policia të identifikojë në kohë autorin e dyshuar të krimit, i cili kishte pak ditë që kishte përfunduar një tjetër dënim për grabitje.

Artikulli paraprakLubonja: Rama një i sëmurë psikik që mund të bëjë vetëvrasje
Artikulli tjetërGjendet e vrarë në banesë një 49-vjeçare në Durrës