Goditet banda e shqiptarëve në Itali: “Do ta qëlloj po nuk hapi kasafortën”

Tre shqiptarë, të armatosur me pistoleta të vjedhura gjysmë automatike, të cilët po përgatiteshin të vidhnin një vilë në San Vincenzo, në Livorno të Italisë, janë arrestuar gjatë fundjavës. Operacioni i koduar “Night Off”, u koordinua nga Prokuroria e Livornos.
Hetuesit italianë kanë fakte se shqiptarët kanë kryer 5 ‘goditje’ të tjera vilash në Livorno dhe provincat e Pisa-s e Massa-s, raportojnë mediat lokale. Në disa raste, banda ia ka arritur t’i çojë deri në fund grabitjet, pavarësisht prezencës së pronarëve në banesa.
Karabinierët vendosën të hynin në aksion, pasi falë një përgjimi, dëgjuan një nga shqiptarët, i cili teksa fliste me një bashkëpunëtor, tha se nuk do të ngurrojë të përdorë armët në ‘goditjen’ e radhës, për të bindur pronarin që të hapë kasafortën. Të tre, u ndaluan në një apartament me pamje nga deti, pranë hotel “Rex”, ku qëndronin me qira 1.300 euro në muaj.
Të arrestuarit janë Blerim Sheshi, 34 vjeç, Eduart Kaca 38 dhe Brendon Balla, 21 vjeç, të gjithë me precedentë të mëparshëm.
Sheshi ishte nën masën e detyrim paraqitjes për vepra penale të ngjashme. Në seancës e masës së sigurisë, ndaj Kacës u vendos masa e arrestit me burg, ndërsa dy të tjerët ‘ia hodhën’ me “arrest shtëpiak”.
Banda vepronte natën, duke lëvizur me makina të vjedhura, me maska, dhe synonin të godisnin vila në zonat e izoluara. Gjatë operacionit, u sekuestrua makinë me të cilën të akuzuarit kishin shkuar në vendngjarje dhe dy pistoleta gjysmë automatike. Është sekuestruar gjithashtu edhe një çantë, brenda së cilës kishte mjete që banda i përdorte për vjedhje, dhe disa objekte të vjedhura.

Artikulli paraprak12 sekondat që flasin shumë për Edi Ramën
Artikulli tjetërKapen me kokainë në Itali dy shqiptarë