Gjushi sfidon gjykatën, hedh beton në zonën e mbrojtur

Gjykata Administrative ka urdhëruar pezullimin e punimeve për projektin e “Velierës” në Durrës pas zbulimit arkeologjik disa ditë më parë në këtë zonë. Pavarësisht këtij vendimi të dhënë nga Gjykata, Bashkia Durrës, ka nisur ditën e djeshme punimet duke gërmuar dhe hedhur beton mbi këtë trashëgimi historiko-kulturore të vendit tonë.
Denoncimi është bërë nëpërmjet një video nga studiuesi dhe ambientalisti Sazan Guri në profilin personal në Facebook. Guri thekson se, pavarësisht vendimit të Gjykatës, në hyrjen e qytetit të Durrësit, aty ku po zbatohet projekti “Veliera”, Bashkia ka nisur punimet duke gërmuar në sipërfaqe.
“Hyrja e Durrësit ose projekti “Veliera” edhe pse ka dalë vendimi i Gjykatës që në pjesën e sipërme nuk lejohet të gërmohet nga Bashkia, pikërisht është fuqizuar Bashkia duke gërmuar dhe duke shkatërruar njëherësh historinë shqiptare, bashkë me ndërtimin e betonit që po hedhin. Kjo është e pafalshme, është një objekt krimi për Prokurorinë, si dhe objekt krimi për qytetarët e Durrësit”, shkruan ambientalisti Sazan Guri.
Para katër ditësh, Gjykata Administrative urdhëroi pezullimin e punimeve të sheshit “Veliera” në qytetin e Durrësit pas gjetjes së mureve antike që i përkasin periudhës Bizantine. Pezullimi i punimeve erdhi pas dorëzimit të një padie nga ana e Shoqërisë Civile. Ndërkohë, Prokuroria ka vijuar hetimet në lidhje me procedurat.
Prej disa ditësh në vendin ku nisën ndërtimet për sheshin Veliera në Durrës, u zbuluan themelet e një godine të periudhës së Mesjetës. Punonjësit e Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit të këtij qyteti kanë gjetur atje topa, predha guri si dhe një skulpturë me kokën me çallmë të një personi që mendohet të ketë qenë zyrtar i lartë i asaj kohe. Gërmimet që po bëhen nga punonjësit e ndërmarrjes në fjalë mbikëqyren nga disa arkeologë të rinj.
Ndërkohë, në lidhje me zbulimet arkeologjike në sheshin “Veliera” kanë reaguar intelektualët durrsakë, të cilët i kanë bërë apel qeverisë që kjo pasuri arkeologjike të mos varroset njësoj si zbulimet e mëparshme, por të kthehet në një vend për atraksion turistik e të vizitueshëm për të gjithë qytetarët e turistët e huaj.

Artikulli paraprakShullazi po hetohet nga Prokuroria edhe për rrëmbimin dhe zhdukjen e Stafukës
Artikulli tjetërMaskat terror në Vlorë, grabiten tre karburante