Gjermania ashpërson rregullat për emigrantët, i pajis me një kartë të veçantë debiti! Ja për çfarë do shërbejë

Gjermania i ka hapur rrugë futjes së një karte debiti të veçantë që kufizon si dhe ku mund të shpenzojnë azilkërkuesit paratë që marrin, një kthesë drejt një politike më të rreptë për emigrantët.

Tre grupet parlamentare të qeverisë së koalicionit të kancelarit Olaf Scholz kanë rënë dakord për projektligjin që do të shkojë për votim në dhomën e ulët të parlamentit, pasi të Gjelbrit e mbështetën draftin pas disa muaj negociatash.

Shtetet federale të Gjermanisë, disa prej të cilave kanë prezantuar karta të tilla në mënyrë të pavarur, nxitën legjislacionin në nivel kombëtar.

Karta, e krijuar për të kontrolluar fondet e azilkërkuesve dhe për të parandaluar transferimin e parave jashtë vendit, është diskutuar prej kohësh si një mënyrë për të reduktuar shpenzimet e parave, të cilat partia që është pjesë e koalicionit qeverisës, Demokratët e Lirë (FDP) besojnë se motivojnë emigrantët të vijnë në Gjermani.

Kancelari Scholz dhe partia e tij socialdemokratët (SPD) po përpiqen të reduktojnë numrin e azilkërkuesve në mënyrë që të ulin mbështetjen e votuesve për Alternativën për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë.

Artikulli paraprakGuterres: Vdekja e fëmijëve në Gaza nga uria është e pakuptueshme dhe e shmangshme
Artikulli tjetërSPAK: Krimi përdor bizneset për pastrimin e parave me komision deri në 16%, ja skema