Gjata: Pa marrëveshje, procesi zgjedhor mbetet në stanjacion

Konstitucionalisti Çlirim Gjata është i mendimit se Kolegji Zgjedhor duhet të pranojë ankimimin e PAA për listat shumemërore të kandidatëve. I ftuar në intervistën e “Ora Neës”, Gjata thotë se ky vendim do të ishte një valvul shkarkimi i gjithë këtij presioni dhe një shtysë për marrëveshje politike mes palëve edhe nëse nuk arrihet gjë nga tryeza e djeshme mes krerëve politikë në Kryesinë e Kuvendit. Çlirim Gjata: “Gjykata ka dy mundësi ose ta pranojë ose rrëzojë. Rrëzimi mbetemi kështu si jemi në stanjacion. Pranimi, mendoj që duhet pranimi dhe flas si jurist. Gjykata duhet të shohë ligjin. Gjithë themeli i kësaj është të numërosh nga 1-50, duket qesharake, por çfarë të bëjmë. Listat e kandidatëve dorëzohen jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve, nuk përfshihet 18 qershori. Më 28 në darkë ka mbaruar afati, më 29 i kanë dorëzuar. Numërimi të nxjerr zbuluar. Kolegji nesër duke zbatuar ligjin duhet të pranojë kërkesë-padinë dhe të çregjistrohen listat. Mendimi im. Duke u çregjistruar listat, zgjedhje më 18 qershor nuk ka. Sepse nuk ka lista dhe as kandidatë, shkohet detyrimisht në shtyrje zgjedhjesh. Por nuk ka asnjë zgjidhje ligjore se kush e cakton datën e re, as KQZ nuk e cakton dot dhe as Presidenti. Përveç krizës politike ne hyjmë në krizë juridike. Detyrimisht duhet të shkojnë në marrëveshje politike që pastaj të shkojnë në Parlament dhe të ndryshojnë Kodin Zgjedhor. Prandaj ka një valvul tjetër shkarkimi nëse nuk arrihet gjë”. Duke komentuar takimin e djeshëm, Gjata shpreson në përgjegjshmërinë e atyre burrave të mbledhur në tryezë për gjetjen e një zgjidhjeje. Çlirim Gjata: “A do të ketë një marrëveshje? Të shohim sonte. Të gjithë ata burra që janë mbledhur aty, për fat ka një parti që ka çuar një grua. Le të shpresojmë që të gjithë ata persona e kanë aq përgjegjësi sa të arrijnë një marrëveshje. Opozita pas tre muaj protestë në çadër, dy mitingjeve të mëdha, shqetësuese për çdo qeveri, një bllokim rrugësh dhe një premtim për një protestë finale e bëri tërheqjen e vet. Hoqi dorë nga qeveria teknike. Në një politikë demokratike, kur njëra palë bën tërheqjen e parë, i mbetet palës tjetër, në këtë rast mazhorancës të bëjë tërheqjen tjetër. Mazhoranca ka datën e zgjedhjeve, nëse këta hoqën dorë nga qeveria teknike, mazhoranca duhet të tolerojë tek data e zgjedhjeve”.

Artikulli paraprakBasha-Ramës për shpifjen ndaj katolikëve: Do përçarje
Artikulli tjetërRama, një Fake News, si mashtroi me deklaratën e Bashës për katolikët