Gati për Rumaninë

Kombëtarja shqiptare nisi përgatitjet për ndeshjen me Rumaninë. Kuqezinjtë zhvilluan seancën e parë stërvitore që pas ndeshjes me Francën në fushën e stadiumit “Yvves Janneau” në “Perros Guirec”, pasi e enjtja ishte ditë pushimi me lojtërat që u mjaftuan me masazhe dhe rehabilitim. Kjo është njëkohësisht dhe seanca e vetme stërvitore për përballjen e fundit në grup me Rumaninë, pasi të shtunën ekipi do të niset që në orën 11:00 drejt Lionit, ku do të luhet dhe takimi i radhës. Ajo që ra në sy ishte fakti se Ledian Memushaj, lojtari që vrapoi më shumë në fushë në Shqipëri-Francë, duke u bazuar në statistikat zyrtare të UEFA-s e nis stërvitjen i diferencuar dhe gjendja e tij mbetet për t’u vlerësuar.
Ishte rregullisht me grupin ndërkohë Arlind Ajeti, i cili pësoi një kontraktim në ndeshjen me Francën ç’ka kushtëzoi dhe zëvendësimin e tij me Veselin në minutat e fundit të ndeshjes. Në seancën stërvitore theksi është foksuar te veprimet taktike në sulm dhe mbrojtje, me De Biasin që i duhet të ndryshojë në ndeshjen e radhës. Për trajnerin është rikthyer i gatshëm pas pezullimit Lorik Cana, ndërkohë që duhet plotësuar boshllëku i krijuar nga mungesa e Burim Kukelit, që plotësoi numrin e kartonave në ndeshjen me Francën. Trajneri pritet të bëjë ndryshime të rëndësishme dhe në fazën sulmuese, nisur nga fakti që ndaj Rumanisë i duhet vetëm fitorja në mënyrë që Shqipëria të mbajë gjallë shpresat për një kualifikim si një ndër katër skuadrat e treta më të mira të të gjitha grupeve.
Andi Lila konfirmoi se objektivi kryesor ishte rikuperimi i forcave nga lojtarët. “Kemi dy ditë pas ndeshjes me Francën, ku patëm ngarkesë të madhe fizike. Ekipi po punon për t’u rikuperuar për ndeshjen e radhës, ku do të japim maksimumin dhe mendojmë që të marrim rezultat sa më pozitiv”, u shpreh Lila.
Kavajasi 30-vjeçar u aktivizua si titullar pikërisht prej karakteristikave fizike dhe aftësive në fazën mbrojtëse, por në 20 minutat e fundit trajneri De Biasi e zëvendësoi, me synimin që të përfitonte nga shpejtësia e Roshit në kundërsulm. “Kurrë nuk diskutohen vendimet e trajnerit, sepse ato merren në mënyrë që skuadra të arrijë rezultat. Sfida me Francën pati mjaft ngarkesë fizike, e skuadra e përballoi me sukses. Por, në futboll duhet edhe fati. Me mua apo pa mua në fushë nuk ka asnjë ndryshim, pasi të gjithë japin maksimumin. Skuadra kërkoi rezultat që do të na gëzonte të gjithëve, por në minutën e fundit pësuam golin. Dhe kur lodhjes fizike i shton goditjen psikologjike të disavantazhit, gjithçka bëhet më e vështirë. Ne do të vazhdojmë përpara dhe do të shohim rrugën tonë”, tha ai.
Kundër Rumanisë, te Shqipëria rikthehet Lorik Cana. Megjithatë paraqitjen e mirë të repartit difensiv përballë Francës, Lila vlerësoi rolin e kapitenit.

Artikulli paraprakRruga e Kombit, “fati” i koncesionarit vendoset në fund të muajit
Artikulli tjetërRaporti për falsifikimet e pronave, akuza për zvarritje në hetime