Frenohen Barcelona dhe Reali

Barcelona dhe Atletico Madrid barazuan 1-1 në supersfidën e mesjavës në La Liga, të luajtur në “Camp Nou”. Katalanët nuk përfituan nga gjysmëhapi fals i Realit të Madridit, që u frenua në shtëpi nga Villarreali.
Ivan Rakitiç kaloi Barcelonën në avantazh, pak çaste përpara pushimit të ndeshjes, por rrjeta e kroatit nuk mjaftoi. Dëmtimi dhe zëvendësimi i Lionel Mesit në minutën e 59-të ishte një goditje e madhe për katalanët dhe i dha zemër Atleticos. Simeone aktivizoi Angel Correa-n, që vetëm pas një minute në fushë, barazoi shifrat në prekjen e parë të topit.
Barcelona provoi me të gjitha mënyrat, por pa arritur të depërtonte në murin e “colchoneros” dhe rrëshqet në vendin e tretë në renditje me 10 pikë, ku është parakaluar nga Sevilla.
Ndalet në 16 fitore radhazi seria e Realit të Madridit. “Los Blancos” u frenuan në barazim 1-1 në “Santiago Bernabeu” nga Villarreal-i. Skuadra e drejtuar nga Zidane humbi pikët e para në këtë sezon, përballë “nëndetëses së verdhë”, që nuk e njeh humbjen në pesë ndeshjet e para.
Villarreali zhbllokoi shifrat në fundin e pjesës së parë të sfidës pas 11-metërshit të ekzekutuar në mënyrë të shkëlqyer nga Bruno Soriano. Reali riktheu baraspeshën prej startit të fraksionit të dytë të lojës.
Sergio Ramos shleu gabimin në penalltinë e shkaktuar, ndërsa Reali nuk arriti të shënonte edhe golin e fitores, pavarësisht se për herë të parë në këtë edicion, në fushë ishte treshja Bale-Benzema-Cristiano Ronaldo. Pavarësisht barazimit të parë sezonal, madrilenët mbeten në krye të La Liga-s, me 13 pikë.

Artikulli paraprakMesi tre javë larg fushave
Artikulli tjetërStrakosha “gradohet” zëvendësues i Marketit