Foto e kamionëve me dru në pikën kufitare të Kakavijës

Kamionët me dru kalojnë pa asnjë problem në pikën kufitare të Kakavijës, ndonëse ka një ligj për ndalimin e prerjeve të druve. Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar disa foto të kamionëve të ngarkuar me dru në doganën e Kakavijës në pritje për të kaluar pikën kufitare drejt Greqisë. “Ky është moratoriumi i eksportit të drurit dhe kontrolli i tij nga qeveria! Sb”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar fotot që i janë dërguar nga një qytetar.
Prej disa ditësh janë publikuar lajme në rrjetet sociale për masakrën që po u bëhet pyjeve në Ersekë. Të shtunën, janë publikuar disa foto të kamionëve me dru që po udhëtonin në hyrje të qytetit të Ersekës nën hundën e policisë. “Kamioni që kemi fotografuar në foton kryesore është 200 metra larg hyrjes së qytetit të Ersekës nga Jugu. Ora 18:56, 5 nëntor 2016. Më herët, në rrugën nga Gërmenji në Ersekë të tjerë kamionë me trupa janë fotografuar teksa udhëtojnë në rrugën nacionale të patrazuar nga policia, edhe pse gjoja ka një moratorium për prerjen e pyjeve”, shprehet një qytetar që ka publikuar fotot.
Një javë më parë, 10 kamionë pa targa dhe me targa janë parë të ngarkuar me trupa në Kolonjë. Denoncimi i këtij skandali është bërë nga kreu i Departamentit të Mjedisit, Pyjeve dhe Turizmit pranë Partisë Demokratike, Jamarbër Malltezi.
“E gëzofshi moratoriumin e prerjes së pyjeve! 10 kamionë (8 pa targa) kanë nxjerrë trupa vetëm brenda ditës së djeshme në Kolonjë. Kjo ndodh kur ligjet bëhen veç për fasadë. E gëzofshi edhe kontrollin e territorit ju fasadaxhinjtë! Veç mushkëritë tona e të fëmijëve tanë po gërryejmë për ca para më shumë për pushtat e shtetit”, shkruan Malltezi në një postim në rrjetin social Facebook.
Qeveria ka deklaruar moratorium, por ai duket se është vetëm për popullin, pasi njerëzit e qeverisë dhe trafikantët vazhdojnë punën të qetë. Edhe në Korçë vijon prerja e pyjeve, sidomos tani që ka trokitur stina e dimrit.

Artikulli paraprakGjobë shoferit pse dëgjonte këngën e Sali Berishës
Artikulli tjetërNdërron jetë pronari i spitalit “Hygea”