Nafta në Shqipëri, 320 lekë për litër më shtrenjtë se në Gjermani

Nafta në Shqipëri shitet sot 320 lekë për litër më shtrenjtë se në Gjermani. Një qytetar ka postuar çmimin e blerjes së naftës në Gjermani dhe e ka krahasuar atë me çmimin e naftës në Shqipëri, ku duket qartë diferenca. Qytetarët e vendit më të varfër në Europë e blejnë sot naftën më shtrenjtë se qytetarët e vendit më të pasur. Korrupsioni i qeverisë, rritja e taksave dhe situata oligopol kanë sjellë këtë gjendje në të cilën është sot Shqipëria.
“Ky ishte premtimi i tij për të ulur çmimin e naftës nepërmjet uljes së akcises! Ai trefishoi taksën e qarkullimit dhe tani me Besnikun e Partisë kontrollon çmimin e naftës!

Analiza e FMN

Rënia historike e çmimeve të naftës në dy vitet e fundit duket se i ka vënë vulën furnizimit në perspektivat afatgjata me çmime të ulëta. Sipas një analize që ka bërë Fondi Monetar Ndërkombëtar, kërkesa për naftë në të ardhmen do të kufizohet nga rritja e ngadaltë e tregjeve në zhvillim dhe përpjekjet globale për të ulur më tej emetimet e karbonit. Të gjitha këto zhvillime kanë çuar në një “normalitet të ri” për çmimet e naftës.
Edhe pse rënia e çmimeve shkaktoi një rënie masive të investimeve në naftë, prodhimi nuk reagoi me ulje, duke e mbajtur ofertën njësoj. Edhe pse kostot e larta të naftës argjilore kanë frenuar prodhimin, pjesëmarrësit në tregun e naftës kanë befasuar duke ofruar çmime më të ulëta se në vitin 2015.
Nga ana tjetër, kompanitë e mëdha të nxjerrjes së naftës i kanë shkurtuar ndjeshëm shpenzimet, nëpërmjet rritjes së efikasitetit teknologjik.
Edhe pse vendet e jo OPEC kanë reduktuar prodhimin më 2016, konsumi ende mbetet më i ulët se prodhimi. Shumë ekspertë presin që tregjet e naftës të balancohen disi në vitin 2017, megjithëse inventarët e sektorit janë të larta. Por, nga ana tjetër, ka pasiguri sa i përket furnizimit, për shkak të kostove që kërkon prodhimi argjilor. Ky lloj prodhimi mund të shtojë flukset e prodhimit për çështje javësh dhe të ndryshojë dinamikën e prodhimit në mënyrë të konsiderueshme.
Nga ana tjetër, vendet e OPEC-ut dhe Rusia janë në një fazë prodhimi të bollshëm dhe kthimi i Iranit në tregje e ka shtuar edhe më shumë furnizimin. (Ndërsa anëtarët e OPEC kanë rënë dakord së fundmi për të ulur prodhimin, por marrëveshja, ende nuk është finalizuar.) Por ka faktorë të tjerë në lojë. Të dhënat e fundit sugjerojnë se prodhimi mund të jetë më elastik se sa pritej. Dhe një vendim i mundshëm për shkurtimin e prodhimit nga OPEC-u do të stimulojë më tej prodhimin nga shtresat argjilore.
Çmimet në rënie kanë nxitur rritjen e kërkesës për naftë, e cila shënoi rekordin në rreth 1.8 milionë fuçi në ditë në vitin 2015. Kjo kërkesë pritet të ngadalësohet në nivelin prej 1.2 milionë fuçish në ditë për 2016-2017. Një pjesë e konsiderueshme e rritjes së kërkesës për naftë i atribuohet rënies së çmimeve. Me hapësirë të kufizuar për rënie të mëtejshme të çmimeve në terma të dollarit, rritja e kërkesës për naftë do të varet kryesisht nga perspektivat për rritjen ekonomike globale.
FMN vlerëson se perspektiva për rritjen e kërkesës nuk është inkurajuese. Në dy vitet e fundit, kërkesa për naftë është nxitur nga Kina dhe vende të tjera në zhvillim. Ndërsa Kina është përgjegjëse për vetëm 15% të konsumit të naftës botërore, kontributi i saj në rritjen e kërkesës për naftë është i konsiderueshëm, pasi ekonomia e saj po rritet shumë më shpejt se ato të kombeve të përparuara (e njëjta gjë është e vërtetë për disa vende të tjera në zhvillim). Rritjet e ngadalta në ekonomitë në zhvillim mund të ndryshojë pamjen e kërkesës në mënyrë të konsiderueshme. Ndryshimi strukturor në ekonomitë në zhvillim, veçanërisht në përpjekjet e Kinës për të kaluar nga investimet dhe eksporti drejt rritjes së kërkesës së brendshme po çon modelin e rritjes në implikime të mëdha.
Gjithashtu politikat e energjisë do të duhet të ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme për të përmbushur qëllimet e caktuara në Konferencën e Parisit mbi Klimën më 2015, mbi reduktimet (COP21). Kështu një pjesë e rëndësishme e rezervave të naftës do të duhet të mbeten nën tokë dhe të padjegura.
Projeksionet e fundit kanë treguar se perspektivat për çmime më të larta të naftës janë përkeqësuar. Kjo nuk duhet të vijë si një e papritur. Rishikimet në rënie të rritjes globale, sidomos për tregjet në zhvillim, kompensohen nga faktorët mbështetës, të tillë si rritja e kërkesës për naftë nxitur nga çmimet më të ulëta në vitin e kaluar.
Ndërsa FMN jep garanci se çmimet e naftës nuk do të rriten, ajo që ndodh në Shqipëri është krejt e ndryshme. Çmimet reflektojnë një rritje të vazhdueshme të këtyre produkteve, ndërsa askush nga institucionet shtetërore nuk ndërhyn ndaj asaj që konsiderohet si një oligopoli në Shqipëri.

Artikulli paraprakOKB: Trafikantët 1.5 miliardë USD fitime nga droga më 2016
Artikulli tjetërKoncert në vitin 2016: Për tokën, për ajrin, për ujin dhe për jetën