Fitorja nga stoli

Juventus arrin një sukses të rëndësishëm në ndeshjen e parë të 1/8-ave të UEFA Champions League kundër Portos. Bardhezinjtë treguan forcë karakteri në “O Dragao” ku dominuan për 90 minuta dhe triumfuan 2-0 edhe falë kartonit të kuq të Alex Telles në minutën e 27 të takimit. Pas këtij momenti, “Zonja e Vjetër” mori frenat e lojës duke diktuar ritmin në tokën luzitane dhe pas shumë rasteve të shpërdoruara e gjeti golin e parë vetëm në minutën e 72 me kroatin Marko Pjaca, i cili kishte hyrë në fushën e lojës vetëm pak minuta më parë.
Goli shkarkoi tensionin në radhët e skuadrës së Alegrit që dyfishoi 120 sekonda më pas me mbrojtësin brazilian, Dani Alves. Dy zëvendësime të goditura nga ana e trajnerit toskan, i cili la jashtë skuadrës për këtë ndeshje mbrojtësin Leonardo Bonuçi për shkak të polemikave të krijuara gjatë ditëve të fundit. Kjo fitore e afron shumë skuadrën italiane me fazën çerekfinale të UEFA Champions League.
Juventusi fiton dhe hipotekon kualifikimin në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Bardhezinjtë mposhtën 2-0 Porton në transfertë në përballjen e vajtjes për fazën e 1/8-ve. Suksesi në “Estadio do Dragao” është meritë veçanërisht e trajnerit Masimiliano Alegri, i cili ndryshoi rrjedhën e lojës me zëvendësimet e bëra në pjesën e dytë.
Pas fitores në “O Dragao” kundër Portos, trajneri Masimiliano Alegri është shfaqur shumë i entuziazmuar, në konferencën për shtyp. Alegri ka mbetur shumë i kënaqur nga paraqitja e futbollistëve të tij dhe ka lavdëruar edhe Marko Pjaca-n për paraqitjen e bërë dje dhe të premten ndaj Palermos. “Është një djalosh i ri që po fillon të krijojë vazhdimësi në paraqitjet e tij. Ka nevojë për këshillim, durim dhe qetësi, që t’ia dalë të ketë një të ardhme të ndritur”, tha Alegri për kroatin. Më pas tekniku komplimentoi edhe kundërshtarin për mënyrën e vendosjes dhe paraqitjes në fushë, pavarësisht rezultatit. “Ndeshjet luhen me 23 lojtarë dhe jo më 11. Tani jemi futur në një fazë interesante dhe të rëndësishme të sezonit dhe duhet ta përballojmë me dëshirë dhe entuziazëm. Ekipi ka akoma vend për përmirësim, por sot pashë një provë karakteri nga djemtë”, u shpreh trajneri i bardhezinjve.
Sukses regjistroi edhe Sevilla që kaloi 2-1 Leicester në “Sanchez Pizjuan”. Andaluzianët e patën mundësinë e parë që në minutën e 14 kur Correa gaboi një 11 metërsh, por në të 25-ën, Sarabria kaloi në avantazh ekipin e Juan Manuel Lillo. Pjesa e parë nuk dhuroi më emocione dhe në të dytën ishte sërish Sevilla që gjeti rrugën e rrjetës me Joaquin Correa, ndërsa në krahun tjetër, Jamie Vardy riktheu në lojë ekipin e Claudio Ranierit që shpreson të kthejë disavantazhin 2-1 në favor.

Artikulli paraprakMurinjo kundër federatës për kalendarin: Nuk duan t’ia dinë
Artikulli tjetërAromë divorci me Juventusin