FIFA heton Manchester United për blerjen e Pogba

Në Premier League ka një çështje “Pogba”. Zyrtarisht, FIFA kërkon nga Manchester United sqarime rreth detajeve të transferimit të Paul Pogba nga Juventusi gjatë merkatos së verës. Lajmin e bën të ditur agjencia franceze e lajmeve që shton se, institucioni më i lartë i futbollit botëror paralelisht ka nisur edhe një hetim. Ishte publikimi i dokumenteve sekrete të “Football Leaks” të publikuara nga gjermania “Spiegel” që tërhoqi vëmendjen e FIFA-s sepse sipas të dhënave, nga 105 milionë euro të deklaruara për transferimin, mendohet se 49 kanë shkuar në xhepat e agjentit Mino Raiola. Llogaritë janë të qarta sepse fillimisht Raiola përfitoi 27 milionë euro nga Juventusi. Në krahun tjetër, Manchester United i ka miratuar agjentit në datën 6 gusht një shumë prej 19.4 milionësh që do të paguhej në 5 këste deri në vitin 2020.
Por nuk përfundon me kaq pasi edhe vetë mesfushori francez i ka paguar Mino Raiolas 2.6 milionë euro për finalizimin me sukses të marrëveshjes më të shtrenjtë të historisë së futbollit. Një shumë gati-gati e papërfillshme për llogarinë e lojtarit që gjatë sezonit të parë me “Djajtë e Kuq” arkëtoi plot 10.2 milionë euro, pa llogaritur këtu 3.4 milionë për të drejtat publicitare. Hetimet mund të thellohen edhe më shumë në të ardhmen pasi bonusin e përfituar, mendohet se Raiola e ka arkëtuar te kompania e tij me bazë në Montecarlo dhe në rast se vërtetohet që janë shkelur rregullat e transferimit, atëherë klubi anglez rrezikon një masë të rëndë që mund të shkojë deri në bllokimin e merkatos.

Artikulli paraprakVjen Sabatini
Artikulli tjetërDrejt Champions!