Faktet e reja nga “McGonigal”/ Si Berisha u bë pjesë e planit të Ramës për të goditur Bashën

NGA BATO KOSOVA

Teksa shihja sot Sali Berishën kur futej në ambientet e SPAK-ut, m’u kujtua një varg i Dantes te “Ferri”, që thotë: “O ju që hyni mbrendë, keni mbarue!”

Ashtu m’u duk Berisha, një i mbaruar politik-penal, me ca të mbaruar të tjerë të cilët presin që të përfitojnë nga rënia e tij.

Mirëpo, ndërsa u thirr për të dëshmuar për aferën “Partizani”, në dalje të saj ai solli sërish në vëmendjen e publikut çështjen McGonigal, e cila, pas fakteve të reha të dala dhe të botuara një ditë më parë në “Zërin e Amerikës”, është më e qartë se çfarë ka ndodhur dhe kundër kujt ka ndodhur.

Por Berishës i intereson ta thellojë edhe më shumë gënjeshtrën, duke u bërë thellësisht i pabesueshëm.

E vërteta, tashmë, është e qartë, duke nisur nga thirrja e Agron Nezajt një ditë më parë, përreth gjashtë orë, për të dëshmuar për aferën McGonigal. Sigurisht që pas tij e ka radhën ish-zëvendësministri dhe këshilltari i Edi Ramës, Dorian Duçka, dhe në fund, qershia mbi tortë, Edi Rama, i cili ka qenë i interesuari kryesor për të goditur Partinë Demokratike dhe kreun e saj, Lulzim Basha.

E duke vijuar me kronikën e fundit të VOA, e cila evidenton se “dokumente të drejtësisë Amerikane të para nga ‘Zëri i Amerikës’, vënë në dukje se në gjysmën e parë të vitit 2018, shqiptaro-amerikani Nezaj u bë një burim konfidencial i FBI-së për hetimet e saj mbi kontaktet dhe lëvizjet e zotit McGonigal në Shqipëri”.

Ashtu sikurse vë në dukje se nga hetimi i McGonigal në rastin e Partisë Demokratike apo të Lulzim Bashës, nuk është gjetur asnjë veprimtari e paligjshme.

Ndërkohë që FBI-ja e ka mbyllur hetimin më 25 korrik 2019 dhe ka filluar më pas një hetim ndaj agjentit të saj, në Shqipëri ka vijuar sulmi i pistë politik ndaj Lulzim Bashën si kreu i PD-së dhe si politikani që do ta zëvendësonte Edi Ramën në zgjedhjet e ardhshme.

E gjithë kjo veprimtari e jashtëligjshme ndaj Bashës, evidenton një fakt të rëndësishëm: të qenurit të Bashës armiku numër një i Edi Ramës, ndaj të cilit ka qenë i aftë dhe i gatshëm të komplotojë dhe të paguajë deri zyrtarë të lartë të shtetit Amerikan.

Si për të mos i mjaftuar Lulzim Bashës një sulm i tillë nga Edi Rama, të gjitha akuzat e Ramës, janë marrë, janë përpunuar, janë thelluar dhe janë përdorur ndaj tij nga Sali Berisha, duke anatemuar dhe portretizuar përgjatë dy viteve të fundit një Lulzim Bashë bashkëpunëtor dhe të marrë peng nga Edi Rama.

Jo vetëm kaq, por të gjithë “operacionin McGonigal” ndaj PD-së dhe ndaj Lulzim Bashës, e ka shitur te militantët si një sulm ndaj tij, ashtu sikurse u mundua të bënte edhe sot në daljen nga godina e SPAK-ut. Kulmi u arrit kur nëpërmjet të ashtuquajturit “Komisioni hetimor Mandia”, Berisha tentoi të riciklojë gjithë stisjen e planit Rama-McGonigal me “lobimin rus”, ndërkohë që hetimet ishin mbyllur përfundimisht si në SHBA ashtu edhe në Shqipëri. Ndërkohë që Rama e dinte se ishte kapur në flagrancë nga FBI për komplotin kundër Bashës dhe PD, nëpërmjet Berishës ai e mbajti atë gjallë edhe për dy vite.

Koordinimn e sulmit të Ramës dhe Berishës ndaj Bashës, duket se e ka vërtetuar edhe një natë më parë Argita Malltezi, e cila u shpreh në një televizion se i është kërkuar që në 2017 që të marrë drejtimin e Partisë Demokratike, duke hequr dhe spostuar Lulzim Bashën.

Pra, duket se ka pasur një plan të mirëmenduar dhe të strukturuar për të ardhur te dita e sotme.

Ndërkohë që Rama e ka sulmuar, duke paguar kundër Bashës deri në Amerikë, Berisha ka marrë dhe ka thelluar akuzat e Ramës ndaj Bashës, ky i fundit duket se ia ka arritur të mbijetojë dhe sot e vërteta është më e qartë se kurrë.

Afera Mc Gonnigal, gjyqi dhe dënimi i tij në SHBA, por edhe çështja që pritet të hetohet nga SPAK në Tiranë, treguan një Lulzim Bashë që jo vetëm nuk ka bashkëpunuar dhe ka qenë peng i Ramës, por Edi Rama ka qenë njeriu i vetëm i interesuar për ta fundosur politikisht.

Me ç’po del, në këtë rrugë, ka qenë i ndjekur nga Berisha që në vitin 2017./Alfapress.al

Artikulli paraprak“Nxiti tensione ndëretnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve”, zv.kryeministri Gruvi: Putin ka dashur të destabilizojë RMV-në
Artikulli tjetërBasha në KiE: Serbia saboton sigurinë në Ballkan me strategji nga Moska. Hetim ndërkombëtar PËR parregullësitë e zgjedhjeve serbe