Europol: Përjashtuam Tahirin nga hetimi i Balilit

Prej më shumë se 1 viti, policia greke në bashkëpunim me DEA-n amerikane kanë kryer hetime për organizatën ndërkombëtare të drogës të drejtuar nga baroni shqiptar, Klement Balili nga Saranda. Një efektiv i policisë greke tha për gazetën helene “Newsit.gr” se të gjithë e dinin për rrjetin e drogës të drejtuar nga 44-vjeçari shqiptar, por nuk kishin prova për t’i arrestuar. “Në Evropë të gjithë e dinin për disa prej tyre (anëtarët e bandës) dhe aktivitetet që ata kryenin, por nuk kishin prova për t’i arrestuar. Këto informacione ju dhanë nga policia greke, pas hetimeve që bëri për çmontimin e rrjetit të drogës”, i tha gazetës efektivi i policisë greke.
Gazeta shkruan gjithashtu se, drejtuesi grek i hetimeve për këtë bandë të drejtuar nga 44-vjeçari shqiptar, do të shkojë gjatë fundjavës në Hagë, ku ndodhet selia e Europol, për t’i dorëzuar kolegëve europianë dokumentet e hetimit dhe që, sipas tyre, ata hasën në “dyer të mbyllura” për çmontimin e organizatës së baronit shqiptar.
Rasti i Klement Balilit ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave italiane, të cilat shkruajnë se ngarkesa e fundit prej 768 kg kanabis e kapur në brigjet e Greqisë kishte si destinacion zonën e Salentos, në Itali. Prej këtej, shkruan “Corriere”, ngarkesa do të përfundonte në qytetin e Milanos, që është dhe zona e preferuar e trafikantëve për shkak të çmimit.
Sipas gazetës, që citon burime pranë njësisë së antikrimit të organizuar pranë Guardia di Finanza, marijuana në qytetin verior të vendit fqinj arrin në 700-800 euro për kg. “Në krye të organizatës së kësaj ngarkese dhe dhjetëra të tjerave është një person i pagëzuar si “Eskobari i Ballkanit” dhe i kërkuar nga gjysma e vendeve të Europës”, shkruan “Corriere di Milano”.
Menaxheri i shtetit dhe njeriu i besuar i qeverisë shqiptare, siç e quajnë mediat që citojnë burime investigative, është parë disa herë në Milano, si për takime zyrtare për shkak të detyrës, ashtu edhe për bisedime “informale” me bashkëkombas që lëvizin në këtë qytet dhe rrethinat e tij.
“Grupet shqiptare të drogës që lëvizin në Milano dhe provincë janë shumë aktivë në zonën Abbiategrasso. Nuk ushtrojnë një kontroll të fortë të territorit, por kanë zënë vend, e njohin ambientin dhe kanë një rrjet efikas”, deklaron një zyrtar i lartë i karabinierëve. Sipas “Corriere”, gjatë qëndrimit në Milano, Balili preferonte të vizitonte pikat kryesore të qytetit, si Galeria pranë Sheshit “Duomo”, dyqanet e shtrenjta dhe zona si Porta Venezia, apo Sheshi “Repubblica”.
Ato shkruajnë se, “Eskobari”, i cili mund të fshihet në Greqi, përdorte rolin e tij prej zyrtari për të transportuar drogën dhe për të marrë vesh në kohë reale lëvizjet e prokurorëve dhe policisë. “Që në drejtësinë shqiptare diçka nuk funksionon, kjo dihet”, shkruan më tej “Corriere”, e cila vijon, “kriminelë në prag të arrestimit nga hetues të huaj marrin befas lajmin dhe zhduken”.
Klement Balili, i akuzuar si “Baroni i Ballkanit”, vijon të jetë në arrati dhe nuk ka asnjë gjurmë prej tij. Dilema qëndron në faktin se si mundi të arratisej, kur akuzat nga mediat greke drejtoheshin direkt ndaj tij gjatë javës së kaluar. Balili u arratis dy ditë, pasi u mësua se emri i tij figuronte në dosjen hetimore të Policisë së Atikës dhe zyrës së DEA-s amerikane në Athinë. Zyrtari shqiptar fillimisht i mohoi akuzat, duke i quajtur sulme politike të opozitës, por më pas humbi gjurmët, duke i shpëtuar vëzhgimit të policisë. Gjatë kontrolleve që policia ushtroi në banesën e tij, familjarët thanë se nuk kishin dijeni për vendndodhjen e Balilit, ndërsa nga këqyrja e sistemit TIM, ai rezulton të mos ketë dalë jashtë vendit, por nuk përjashtohet mundësia që ai ta ketë kaluar kufirin në mënyrë ilegale.
Klement Balili akuzohet si kreu i kartelit më të madh të narkotrafikut në Europë, ku kishte rolin e financuesit dhe furnizuesit me kanabis nga Shqipëria drejt vendeve të Europës. Sipas policisë greke, zyrtari shqiptar kishte organizuar edhe trafikimin me gomone të rreth 700 kilogramëve kanabis nga Saranda drejt ishullit të Zakinthos.
Në këtë operacion ranë në pranga 15 persona, mes të cilëve edhe disa shqiptarë, dy prej të cilëve vëllezërit Xhevahir e Dhimitër Poti, që u arrestuan në Belgjikë. Hetimet e policisë greke dhe DEA-s amerikane kanë faktuar se Balili mundësonte transportin e sasive të mëdha të drogës në rrugë detare, por edhe përmes shoqërive të transportit, duke ndërhyrë në dogana, që kamionët të mos kontrolloheshin. Ndaj Balilit do të ketë edhe një hetim për pasurinë e tij, pasi dyshohet se ka llogari bankare në 10 vende të Evropës dhe pasuri të paluajtshme në Greqi dhe Itali.

Rama dhe Tahiri padrinot e vërtetë të Klement Balilit

Europol njoftoi dje opinionin se, në hetimin e grupit të Klement Balilit kanë bashkëpunuar vetëm policia greke, DEA amerikane dhe policia italiane. Pas këtij njoftimi ka reaguar ish-Kryeministri Berisha, i cili në një postim në Facebook shkruan se Europol u çorri maskën Edi Ramës, Saje qorrit dhe Haki Çakos, duke faktuar se ata janë padrinot e vërtetë të Klement Balilit dhe vëllezërve Poti.
“Europol me komunikatën e tij hodhi poshtë dhe përgënjeshtroi deklaratat e Edvin Shullazit, Saje qorrit dhe Haki Çakos, që në garë me njëri-tjetrin mashtruan shqiptarët, duke deklaruar se policia shqiptare prej kohësh po hetonte së bashku me policinë greke dhe DEA-n amerikane grupin trafikant të Edeskobarit të Ballkanit. Europol sot njoftoi opinionin se në hetimin e këtij grupi kanë bashkëpunuar vetëm policia greke, DEA amerikane dhe policia italiane, pra jo policia shqiptare”, shkruan Berisha.
Ish-Kryeministri Berisha shkruan më tej se, pas deklaratës së Europol faktohet katërcipërisht se krerët, padrinot e grupit trafikant janë vetë Edvin Shullazi dhe Saje qorri. “Me këtë mashtrim të turpshëm e të paskrupullt të Ramës, Sajes dhe Hakiut dhe arratisjen me urdhër të Ramës dhe Sajes të Balilit nga Shqipëria, faktohet katërcipërisht se krerët, padrinot e grupit trafikant janë vetë Edvin Shullazi dhe Saje qorri! Sb”, përfundon Berisha.

“Escobari i Ballkanit”, 250 kg drogë për çdo rrugë në vendet e BE

Mediat greke shkruajnë se “Escobari i Ballkanit” dërgonte 250 kg drogë për çdo rrugë në vendet e BE. Xhevahir Poti, i arrestuar pak ditë më parë në Belgjikë, bashkë me të vëllain Dhimitrin, si pjesë e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, në muajin prill dyshohet se ka negociuar trafikimin e një sasie prej rreth 250 kilogramë kanabis në drejtim të Gjermanisë.
46-vjeçari ka mbërritur në Shqipëri në fund të muajit mars, ku ka negociuar për gjetjen e sasisë së drogës. Policia greke ka raportuar se kjo sasi drogë iu është dorëzuar me datën 8 prill disa bashkëpunëtorëve ende të panjohur në Gjermani, në zonën e quajtur Konstandinopoja e vogël në kryeqytetin Berlin. Kjo sasi droge nuk është arritur të kapet nga autoritetet gjermane.
Xhevahir Poti rezulton të ketë dalë nga Shqipëria më datën 10 prill, pasi ngarkesa ka mbërritur në destinacion. Ndërsa Dhimitër Poti, pothuajse të gjitha hyrje-daljet drejt vendit tonë i ka nëpërmjet Athinës dhe Kakavijës, pavarësisht se ka një vendqëndrim të përhershëm në Belgjikë. Poti rezulton të ketë qenë në Shqipëri në mes të dhjetorit të vitit 2015, ku ka qëndruar dy ditë dhe më pas është larguar.
Dyshohet se ka zhvilluar takime me Balilin dhe pjesëtarë të tjerë të organizatës, emrat e të cilëve nuk bëhen me dije. Vëllezërit Poti dhe Klement Balili, sipas mediave greke, janë krerët e një prej grupeve më të mëdha të narkotrafikut.

Urdhër arresti ndërkombëtar për “Eskobarin e Ballkanit”

Autoritetet greke kanë lëshuar një urdhër arresti për “Eskobarin e Ballkanit” i identifikuar si Klement Balili. Sipas mediave, hetimet kanë rezultuar se bëhet fjalë për kreun e rrjetit më të madh të trafikut të drogës, në nivel europian. Brenda 48 orëve të ardhshme, prokurori i çështjes pritet ta shndërrojë atë në urdhër arresti ndërkombëtar dhe t’u dërgohet gjithë policive europiane. Ndërkaq, një dosje e çështjes do t’u dërgohet autoriteteve kompetente shqiptare. Sapo dosja të mbërrijë në vendin fqinj, autoritetet atje duhet ta gjejnë të dyshuarin dhe ta arrestojnë. Gjithmonë sipas mediave greke, ai nuk do të ekstradohet në Greqi, por do të qëndrojë që të japë shpjegime para autoriteteve gjyqësore në Shqipëri. Krahas shpalljes së urdhër arrestit, mësohet se po hetohet për llogaritë bankare të të dyshuarit në më shumë se 10 vende të Europës.
Rrjeti i drogës në të cilin dyshohet se ka qenë përfshirë edhe Klement Balili, kishte planifikuar të fuste në Francë 60 kg kokainë. Kjo ishte planifikuar të realizohej më 18 nëntor 2015. Droga ishte magazinuar në një vend të panjohur në Belgjikë dhe që andej do të dërgohej në Itali e më pas në Francë. Mirëpo, masat e larta të sigurisë, pas sulmeve terroriste në Paris, që ishin kryer pesë ditë më parë, i detyruan krerët e organizatës që ta anulonin operacionin. Kështu bën të ditur portali grek, “The Toc”, që pretendon se ka në dorë gjithë dosjen penale të çështjes. Sipas “The Toc”, operacioni financohej nga kreu shqiptar, me moshë 44 vjeç (që sipas gjithë mediave greke në fakt, është Balili).
Një tjetër operacion ka dështuar sërish, në shkurt 2016. Një sasi droge do të transportohej nga Spanja për në Itali, me një kamion të transportit ndërkombëtar. Përgjegjës për sigurimin e drogës ishte një pjesëtar i rrjetit, shtetas shqiptar, me moshë 43 vjeç. Për transportin ishin destinuar 100.000 euro, nga të cilat, 20.000 do t’u jepeshin drejtuesve të mjetit dhe 80.000 do t’u shpërndaheshin pjesëtarëve të tjerë, me rol mbështetës. Kamioni u nis më 20 shkurt nga Vjena e Austrisë, hyri në Itali dhe përmes Portit Civitavecchia mbërriti me traget në Portin e Barcelonës, për të marrë ngarkesën e drogës. Mirëpo, edhe ky aksion u anulua, për shkak të kontrollit  të kamionit nga autoritetet spanjolle, gjë që krijoi dyshime tek drejtuesit e rrjetit.
Por edhe më herët, në prill 2015, kishte dështuar një tentativë për të transportuar drogë nga Belgjika për në kryeqytetin e Norvegjisë, Oslo, siç citon dosjen penale portali grek, “The Toc”. Kamioni ishte nisur me një ngarkesë të ligjshme nga Greqia, me stacion tranzit Mynihun, ku do të shkarkohej e do të merrte një ngarkesë tjetër, gjithashtu të ligjshme, për në Oslo. Kamioni ishte planifikuar të kalonte nga Belgjika, ku në vendet e posaçme do të fshihej sasia e drogës. Por edhe ky aksion u anulua, pasi skadoi afati i marrjes në dorëzim të ngarkesës së ligjshme. Por edhe për një arsye tjetër: Karroceria e kamionit kishte lartësi më të madhe nga sa lejohej që të qarkullonte në rrugët e Norvegjisë…
Në dosjen penale, gjithmonë sipas citimeve të portalit grek “The Toc”, ka edhe një detaj interesant sa i përket qëndrimit të policisë shqiptare, kur homologët grekë u folën mbi veprimtarinë e “Kelit”, siç përmendet Balili. Përfaqësuesit e autoriteteve shqiptare, “kur dëgjuan emrin, u thanë se nevojiteshin prova të pakundërshtueshme, me qëllim që ata ta gjenin e ta arrestonin”. Dhe kjo, shpjegon “The Toc”, për arsye se “Keli” sillej të kishte lidhje të fuqishme me aparatin shtetëror të vendit fqinj”.

R.POLISI

Artikulli paraprakPërgjimet, Prokuria thërret Zv.drejtorn e policisë së shtetit
Artikulli tjetërFaqja e parë