Europa e papërgatitur për sfidat e këtij viti

Europa është dobësuar aq shumë nga eventet e vitit 2016 sa tani e gjen veten të papërgatitur përballë tri sfidave të mëdha që do të sjellë 2017-a. E para është ndryshimi i pushtetit në Shtetet e Bashkuara këtë muaj, e dyta është rritja e pushtetit të Vladimir Putinit, presidenti rus, i cili ndihet më i fuqizuar nga rënia e Aleppos dhe sfida e tretë që është terrorizmi.
Në vitin 2016, vendimi i Britanisë për të dalë nga Bashkimi Europian e ka lënë Europën pa një anëtare që gëzon një traditë dhe eksperiencë të gjatë në trajtimin e çështjeve të sigurisë, inteligjencës dhe mbrojtjes. Kriza e euros vazhdon ta gjurmojë rajonin. Sistemi i ndjeshëm bankar i Italisë dhe dorëheqja e kryeministrit Matteo Renzi ishin shenjat e fundit të vështirësive financiare të bllokut dhe dobësisë së monedhës së përbashkët.
Për sa i përket krizës së refugjatëve, numri i njerëzve që po i drejtohen Europës është duke u ulur, megjithatë vala e njerëzve që vijnë nga Lindja e Mesme e shton ndjeshëm rrezikun e sulmeve terorriste, si ai në Berlin më 19 dhjetor. Sulmi nxori në pah dështimin e strukturave të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Liderët nuk kanë arritur deri tani të bien dakord mbi një politikë gjithpërfshirëse të azilit dhe refugjatëve për të kontrolluar se kush hyn në bllok. Ata nuk kanë arritur as të sigurojnë kufijtë e tyre dhe mbi të gjitha, nuk kanë ngritur dot një sistem të shpërdarjes së inteligjencës apo një politikë të fortë të sigurisë dhe mbrojtjes.
Rezultati është që Europa gjatë vitit 2017 do të vërë në provë aftësinë për të mbrojtur veten. Putini ka shumë për të përfituar nga dobësimi e Europës dhe presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara ka bërë thirrje që vendet të jenë më të përgjegjshme për vetë sigurinë e tyre. Duke përhapur keqinformimin dhe duke mbështetur lëvizjet populiste, Kremlini ka aftësinë për ta përçarë Europën.
Për shembull, partia e Rusisë së Bashkuar të Putinit ka firmosur një marrëveshje bashkëpunimi me Partinë e Lirisë së të djathtës ekstreme në Austri vetëm disa javë pasi kandidati i saj u mund me një rezultat të ngushtë në garën presidenciale, nga politikani i pavarur pro europian. Lideri Heinz-Christian Strache i Partisë së Lirisë dhe liderët e tjerë populistë të Europës, kërkojnë që sanksionet e imponuara kundër Rusisë të hiqen.
Presidenti i zgjedhur Donald Trump i ka bërë thirrje vendeve europiane që të fillojnë të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen e tyre, në vend që të vazhdojnë të jenë të varur nga mbrojtja e ofruar nga Shtetet e Bashkuara. Pavarësisht disa përpjekjeve të vogla të liderëve të Bashkimit Europian për të përforcuar politikat e sigurisë, mbrojtjes dhe shpërndarjes së inteligjencës, Europa nuk ka bërë ende asgjë për t’i bërë zotimet e saj më të besueshme, siç duket qartë edhe nga sulmet terroriste të vitit të kaluar.
“Europa ndodhet përballë një krize të thellë sigurie”, thotë Julian Lindley-French, një ekspert britanik i sigurisë. “Është shfaqur edhe një herë paaftësia e plotë e liderëve të Europës për të siguruar siç duhet dhe për të mbrojtur qytetarët europianë”.
I dyshuari për sulmin e Berlinit, Anis Amri, ka arritur të qarkullojë i lirshërm nga Italia në Gjermani dhe përsëri nga Franca në Milano, edhe pse ishte i dënuar për djegien e një qëndrimi burgimi kur ndodhej në Itali. Shërbimet gjermane të sigurisë e kishin mbajtur prej kohësh nën vëzhgim, megjithatë ai arriti të lëvizë i pashqetësuar brenda dhe jashtë vendit.
Nëse hedhim përsëri sytë nga viti 2016, Brexit dhe kriza e euros, së bashku me krizat e refugjatëve dhe terrorizmit duhet të kishin qenë mundësia më e mirë për Bashkimin Europian që të bashkonte akoma më shumë integrimin ekonomik dhe politik, përfshirë këtu edhe unifikimin e politikave të shpërndarjes së inteligjencës dhe atë të azilit dhe refugjatëve. Në fakt ka ndodhur e kundërta.
Vendet anëtare janë duke përcaktuar secili politikat e tij teksa lëvizjet populiste përhapen në të gjithë Europën. Disa prej këtyre lëvizjeve janë nxitur më shumë nga paaftësia e elitës politike për të adresuar, ndërmjet të tjerave, çështjet e sigurisë dhe terrorizmit.
Vendet e tjera si Polonia apo Hungaria besojnë se shteti kombëtar duhet të ketë precedencë mbi burokracinë e Brukselit, të cilën e konsiderojnë të largët dhe ndërhyrëse ndaj vlerave si rregulli i ligjit dhe sistemi i drejtësisë, edhe pse këto vende kanë firmosur për implementimin e standardeve të përbashkëta në Bashkimin Europian në vitin 2004.
Ky është realiteti me të cilin do të përballet këtë vit Europa: një president amerikan, i cili i kërkon aleatëve të paguajnë më shumë për sigurinë e tyre, një president rus, i cili ndjek politika për të shkatërruar aleancën transatlantike dhe për të dobësuar Bashkimin Europian, si dhe rritje e jashtëzakonshme të rrezikut të terrorizmit në rajon. Në vend që të bashkohen, liderët europianë duket se i kanë lënë qytetarët e tyre të pambrojtur dhe të dobët përballë sfidave me të cilat do të përballen së afërmi.

Artikulli paraprakZgjedhjet gjermane 2017, CSU është e pozicionuar mirë
Artikulli tjetërQeverisje me termometër!