Etiketa shqip e konsumit të energjisë, gati projektligji

Të gjitha pajisjet që konsumojnë energji do të kenë së shpejti një etiketë të re në gjuhën shqipe, e cila do të saktësojë konsumin e energjisë, zhurmën, ose konsumin e ujit.

Për të jetëzuar këtë nismë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka iniciuar projektligjin “Për etiketimin e produkteve me ndikim në energji” I cili prej 2 javësh është hedhur në konsultim publik me ekspertë dhe qytetarë.

Ai synon vendosjen në treg ose në shërbim të produkteve me ndikim në energji dhe dhënien e informacionit standard në lidhje me eficiencën e energjisë, konsumin e energjisë dhe të burimeve të tjera gjatë përdorimit, duke u mundësuar kështu qytetarëve që të zgjedhin produkte më eficiente në mënyrë që të reduktojnë konsumin e tyre të energjisë.

Klasat e energjisë të përcaktuara në legjislacionin në fuqi A (A+, A++ dhe A+++) në etiketat e produkteve në treg do të ndryshohen. Rregullorja e re e Bashkimit Europian për etiketimin e energjisë përcakton një shkallë të re krahasuese për klasat e energjisë nga A më efikase në G më pak efikase.

Do të jenë furnizuesit dhe tregtarët ata që do të përmbushin detyrimet e përcaktuara në këtë nisme ligjore lidhur me vendosjen apo shfaqjen e etiketave, markave apo simboleve në përputhje me këto karakteristika.

Përveç informacionit në lidhje me konsumin e energjisë së produktit, etiketat mund të ofrojnë gjithashtu të dhëna specifike për veçori të tjera përkatëse të përdorimit, të tilla si emetimet e zhurmës së produktit ose konsumin e ujit.

Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut do të jetë përgjegjës edhe për inspektimin e zbatimit të legjislacionit parësor dhe dytësor në fushën e etiketimit të energjisë për produktet me ndikim në energji.

Artikulli paraprakRikthimi i Vedat Muriqit në fushë, trajneri i Mallorcas zbulon situatën e lojtarit
Artikulli tjetër“Masa me efektin domino”, Holanda në alarm nga klanet shqiptare të drogës. Prokurori: Autorët shpesh kanë dokumente italiane apo grek