Enrike: Për të gjithë ata që besuan

Trajneri i Barcelonës ka përjetuar një nga mbrëmjet më fantastike të jetës së tij teksa skuadra që drejton arriti të realizojë përmbysjen më të madhe të historisë së Ligës së Kampionëve duke mposhtur PSG-në me rezultatin 6-1 pas humbjes 4-0 në ndeshjen e parë. Ai ua dedikoi fitoren të gjithëve atyre që besuan që nga dita e parë në shanset e përmbysjes.
“Askush nuk rreshti së besuari, pavarësisht se pësuam një gol. Ishte diçka spektakolare sa u përket emocioneve. Më kënaqi të shijoja diçka të tillë pas ndeshjes së parë. Çelësi ka qenë besimi. Goli i gjashtë e kurorëzoi diçka të tillë. Ky kompeticion nuk e fal një ndeshje të keqe. Duhet të mësojmë nga gabimet.
Jemi rikthyer dhe kjo nuk do t’i pëlqejë shumë ekipeve të tjera. Ua dedikoj të gjithëve atyre që patën besim që nga dita e parë. Ka qenë një shfaqje e mrekullueshme e ekipit në të gjithë aspektet. Mbrojtja ishte mbresëlënëse”, u shpreh Enrike pas ndeshjes.
Mediat ndërkombëtare i dhanë jehonë kësaj fitoreje epike të Barcelonës, e cila 3 nga gjashtë golat i shënoi 8 minutat e fundit.
Kështu, spanjollja “El Mundo Deportivo” shkruan thjesht duke e titulluar artikullin “Madhështi e Barcelonës”. Ndërsa “Marca” shkruan se fitorja e mbrëmjes së djeshme është “Përmbysje historike”. Në të njëjtën valë është edhe “AS”, që shkruan “Barcelona hyn në histori”.
Po të njëjtën jehonë përmbysja e madhe ka patur edhe në Britani. Mediat ishullore janë magjepsur nga fitorja historike e katalanësve duke parë edhe një formë jo të mirë të klubeve angleze. “E pabesueshme”, shkruan “Daily Mail”. “Barcelona hyn në histori me përmbysjen ndaj PSG-së”, vijon ajo më tej.
Edhe “The Sun” dhe “Mirror” nuk ndahen nga “Daily Mail” kur shkruajnë: “Përmbysja më e madhe në histori”. Media gjermane “Bild” ia ka kushtuar faqen e parë përmbysjes së Barcelonës.

Artikulli paraprakBarça “leksion” botës
Artikulli tjetërDe Biasi: Duhet të japim 150%