Ëndërrojmë finalen

Në “Velodrome” ishte mbrëmja e Antoine Griezmann. Pas paraqitjeve shpërthyese ndaj Irlandës dhe Islandës, sulmuesi i Atleticos së Madridit zhvilloi një tjetër ndeshje të madhe dhe me dy golat e tij ndaj Gjermanisë kualifikoi Francën për herë të tretë në histori në finalen e një Kampionati Europian. Ai është një fenomen, madje një gjigant që falë magjive të tij çoi Gjelat në finale. Ishin këto disa nga vlerësimet e mediave franceze për 25-vjeçarin, i cili është edhe golashënuesi më i mirë i europianit me 6 gola.
Vetëm Michel Platini ka realizuar më shumë se Griezmann në një kompeticion të tillë dhe në Francë kanë nisur ta krahasojnë që tani me ish-yllin e Juventusit. Ashtu si finalen e Championsit edhe një herë tjetër përballë Griezmann do të jetë Cristiano Ronaldo me Portugalinë e tij. Në “San Siro” 25-vjeçari francez u dorëzua përballë Realit të 3 herë fituesit të Topit të Artë, madje në atë sfidë Griezmann humbi edhe një 11-metërsh, megjithatë këtë herë ish-lojtari i Real Sociedad është i bindur se do ta mposhtë Ronaldon në finalen e europianit që do të luhet të dielën në “St Denis”, për t’u shndërruar më pas edhe në favoritin e madh për të fituar Topin e Artë.
“Jemi të gjithë shumë të lumtur. Kemi filluar të ëndërrojmë për finalen e 10 korrikut. Jemi shumë të gëzuar për këtë sukses, por nuk ka kohë për të festuar sepse duhet të mendojmë menjëherë për ndeshjen ndaj Portugalisë. Ka ardhur momenti që kjo skuadër të fitojë një tjetër trofe të rëndësishëm. Dua të festojmë bashkë me publikun tonë, kemi besim se do ta kalojmë me sukses edhe ndeshjen ndaj Portugalisë”, u shpreh Griezmann.
I lumtur për suksesin ndaj Gjermanisë u shfaq edhe trajneri Didier Deschamps, vëmendja e të cilit gjithsesi shkoi menjëherë te ndeshja finale ndaj Portugalisë. “Kemi bërë një hap të madh përpara, por megjithatë hapin më të rëndësishëm duhet ta hedhim të dielën”, theksoi trajneri i Gjelave. Do të japim maksimumin në fushë për të triumfuar edhe ndaj Portugalisë, ashtu siç bëmë ndaj Gjermanisë shtoi në fund të fjalës së tij Deschamps.
Skuadra e Didier Deschamps realizoi misionin që u mungonte Gjelave që nga 1958, mposhti Gjermaninë, kampione të botës, me një fitore të pastër 2-0 në “Velodrome”, aty ku vendosi një dygolësh i Antoine Griezmann, që tani ashtu si në finalen e Championsit dhe në atë të Europianit gjen përballë Cristiano Ronaldon.

Artikulli paraprakManchester City, ofertë 60 milionë euro Juves dhe 40 milionë Bonuçit
Artikulli tjetërLëv: Jemi ekipi më i mirë. Na mungoi fati