Emrat/ Të shtënat me armë në Peqin, i pranishëm në konflikt edhe kryetari i bashkisë

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mesditën e sotme në qytetin e Peqinit. Burime për mediat bëjnë me dije se shtetasit Leonard Elezi dhe Adriatik Ceka janë konfliktuar me njëri-tjetrin dhe në momentin e të shtënave i pranishëm ka qenë dhe kreu i bashkisë së Peqinit, Bukurosh Maçi.

Sipas të dhënave paraprake kryebashkiaku ka debatuar me Adriatik Cekën, 40-vjeçarin që ka qëlluar disa herë me armë zjarri në ajër.

Në reagimin për ngjarjen, uniformat blu sqarojnë se është vënë në kërkim të Leonard Elezit dhe Adriatik Cekës.

Njoftimi i policisë 

“Rreth orës 13:30, në lagjen “Xhami”, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ndërmjet shtetasve L. E., 50 vjeç dhe A. C., 40 vjeç, dyshohet se ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri, në ajër. Nga të shtënat nuk ka shtetas të dëmtuar.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe vijojnë krehjen e zonës, me qëllim kapjen e shtetasve L. E. dhe A. C. Ndërkaq, grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të rastit”, njofton policia.

Sa i përket Adriatik Cekës, ai rezulton të ketë precedentë të mëparshëm penal.

Artikulli paraprakAdministrata rreth 5 muaj pushime në vit, shtohet edhe një festë
Artikulli tjetërFasonët po shkurtojnë punonjës/ Rënia e euros, zero fitimet! Çdo muaj 9 milionë euro humbje