Emrat e ushtarëve të Shullazit që drejtojnë sot policinë

Kryetari i opozitës, Basha denoncoi dje me emra armatën e ushtarëve të kryekriminelit Shullazi në kupolën e Policisë së Shtetit. Basha deklaroi gjatë një interviste në “Opinion” se nga dita e sotme PD do të bëjë transparencën e këtyre lidhjeve kriminale. Besmir Qebini, një ushtar i Shullazit rezulton sot të jetë zv/drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të doganave në Tiranë.
Në lidhje me vrasjen e Cicos në Bllok, Basha shtoi një pyetje se e kujt ishte arma që kishte me vete Cico dhe që u fsheh më pas nga një prej njerëzve që qëndronte me të dhe që ishte edhe oficer policie me emrin Alban Trimi. Basha u shpreh se kjo armë i përket një zyrtari të lartë në kupolën e lartë të policisë dhe prandaj është zhdukur për t’i shpëtuar hetimit. Shefi i Operacioneve Speciale, Alban Ahmeti është një tjetër emër i denoncuar për lidhjet me bandën e Shullazit, i cili ka ngjitur shkallët e karrierës në polici. “Kanë krijuar një shtet brenda shtetit me këtë bandë”, u shpreh Basha.
Gëzim Zhupa, një tjetër shef komisariati në Tiranë është pjesë e bandës së Shullazit, i cili po ashtu është emëruar në atë post për shkak të lidhjes me bandën kriminale.
Ermal Muça, i cili mban edhe postin më të lartë të zëvendësdrejtorit për Krimet në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë është një tjetër emër i lidhur me këtë bandë kriminale dhe i denoncuar mbrëmë nga Kryetari i opozitës, Basha.
Banda e Shullazit sipas denoncimit rezulton të ketë emërimet e saj në të gjitha komisariatet e Tiranës. Engjëllush Abdyli një tjetër emër i kësaj bande rezulton të jetë drejtues i Komisariatit Nr. 2 në Tiranë.
Këta janë disa nga emrat e drejtuesve në polici, të cilët rezultojnë me lidhje dhe të katapultuar në ato poste vetëm se janë pjesë e bandës së Shullazit.
Kjo nuk mund të konsiderohet më një polici, por një bandë kriminale që ka veshur uniformën e policisë, ndërsa shteti mund të konsiderohet tërësisht i rënë në gjunjë përballë kësaj bande.

Krim lufte vjedhja në shëndetësi

Kryetari i PD, Basha ka denoncuar si krim lufte vjedhjen që u bëhet shqiptarëve në Shëndetësi nga Ilir Beqja dhe Rama. Basha tha se vetëm po të llogarisësh analizat e 635 mijë të sëmurëve kushtojnë 500 mijë euro, ndërsa koncesionarja e Ramës e Beqes, Nushi, merr deri në 12 milionë euro në vit për një analizë. “Ilir Beqja është superhajduti me çizme në Shëndetësi, u shpreh Basha.

Kulla në stadium nuk do të lejohet

Lulzim Basha ka shprehur qëndrimin e tij dhe të Partisë Demokratike kundër projektit me kullë të ndërtimit të Arenës Kombëtare. Basha ka paralajmëruar investitorët që të mos harxhojnë para ose të marrin kredi për ndërtimin e kësaj kulle në stadium, pasi do të kenë konseguenca financiare. “Ky projekt kështu si është konceptuar nuk është për sportdashësit, por për klientët e qeverisë. Këtu ka një hapësirë të limituar në zonë monumentale. Jo çdo gjë mund të mblidhet te Blloku. Ky do Kulla. Kjo është një nga bëmat e Ramës. Ky stadium siç është konceptuar nuk është stadium, por është një hu. Ne sportdashësve u njohim të drejtën e një stadiumi europian. Ndjesë që nuk e ndërtuam ne, dhe i garantojmë që ky stadium do të ndërtohet edhe pa kullë. Çdo investitor dhe çdo bankë që krediton këtë projekt është i paralajmëruar nga Partia Demokratike se do të mbajë konseguenca të plota materiale, financiare. E kuptojnë vetë ata se çfarë do të thotë. Është qëndrim për të mbrojtur interesat publike dhe jo kërcënim…”

765 milionë euro koncesione

Basha ka denoncuar mbrëmë vjedhjen gjigante që u është bërë shqiptarëve gjatë këtyre dy viteve me koncesionet. “Qeveria ka dhënë rreth 765 milionë euro koncesione”, u shpreh ai. Basha ka bërë një pasqyrë të plotë të gjithë këtyre tenderave dhe koncesioneve, Vjedhja më e madhe e këtyre tenderave bëhet përmes ofertave më të larta, ndërsa përfituesit janë pjesë e klientelës së Ramës.

Drejtësia

Basha tha se, PD është partia ku shqiptarët bashkohen për një drejtësi të pavarur. Ai tha se takimi me ambasadorin Donald Lu nuk dështoi me Grupin parlamentar të PD-së. Basha theksoi se nuk pati asnjë dështim, por takimi është shtuar për ditën e martë, pasi ambasadorët patën lajmëruar se takimi i parë do të realizohej me grupin e PS-së.
Lideri i opozitës deklaron se e mirëpret praninë e ambasadorit të SHBA,  Donald Lu në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat. “Nuk kemi asgjë për të fshehur. I jam shumë mirënjohës Donald Lu që ka folur në mënyrë të drejtpërdrejtë për shumë çështje”, theksoi Basha, duke saktësuar se do të jetë një takim pyetje-përgjigje në lidhje me Reformën në Drejtësi.
“Edi Rama dhe Ilir Meta nuk donin njerëz si gjyqtari që arrestoi Shullazin, por donin njerëz që t’i merrnin për këmbë.
Kjo është mazhoranca që zvarriti reformën, pasi këta njerëz kanë frikë nga reforma, ata dridhen, sepse të fortët e tyre do të merrnin fund nga ajo”.

Zgjedhjet

Basha tha mbrëmë se, asnjë nga deputetët aktualë nuk e ka vendin të sigurtë në listat e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare që do të propozojë Partia Demokratike. Ai e konsideroi mjaft të rëndësishme Reformën Zgjedhore dhe propozoi një sistem të ri që evidenton në maksimum manipulimin. “Ne jemi për votim elektronik me shenja gishtërinjsh, që është plotësisht e realizueshme. Që do të thotë automatikisht. Ku eliminohet një potencial i madh për intimidimin e qytetarëve për blerjen e votave. Votimi e zhduk mundësinë që një palë e tretë të shikojë se si ka votuar qytetari. Dhe për gjysëm orë vjen rezultati në rang kombëtar”.

Artikulli paraprakVendi protektorat i krimit, rruga e vetme përzënia e qeverisë
Artikulli tjetërProkuroria: Banda e Shullazit ka kryer 6 vepra penale në 15 raste