Edi Rama, sistemi korruptiv dhe kumbullat prapa kurrizit

Nga Namir Lapardhaja

Kur ishte në opozitë, Edi Rama si refren ka pasur “sistemin që të korrupton”.

Në retorikën e asaj periudhe, nuk mund të ndahej individi i korruptuar veçmas sistemit qeverisës, për shkak se nuk mund të ketë sistem të korruptuar që prodhon individ të ndershëm. Me këtë “justifikim”, ai bëri marrëveshje në prillin e vitit 2013 me Ilir Metën, për shkakun e së cilit kishte organizuar një protestë të dhunshme, që rezultoi me katër viktima.

Sipas konceptit të Ramës, Meta nuk ishte më i korruptuar, ngase kishte qenë sistemi që e kishte bërë të tillë, ndaj, me marrjen e pushtetit nga socialistët, do të pastrohej dhe do të shndërrohej i ndershëm.

Se si rezultoi ajo marrëdhënie mes tyre, për shumëkënd është e njohur, ndaj nuk ka vlerë të rikujtohet, por me rëndësi është të ngrihet pyetja nëse Kryeministri i sotëm mendon ende që është sistemi ai që të korrupton apo janë individët që e përbëjnë sistemin e korruptuar.

A mendon Rama i sotëm si ai i dikurshëm që nuk mund të ketë sistem të korruptuar dhe individë të ndershëm, sepse është e pamundur bashkëjetesa mes tyre?

Pyetja është retorike, sepse Edi Rama ka shpikur një justifikim tjetër, atë “të ngrënies së kumbullave pas shpine” apo “të drurit të shtrembër” që nuk mund të prishë tërë stivën, duke dashur t’i ikë përgjegjësisë që ka si drejtues qeverie.

Njëlloj u justifikua edhe Erjon Veliaj për drejtorët e tij, kur foli me të njëjtën gjuhë si shefi i ekzekutivit. Njërit i kishte ngrënë kumbulla pas kurrizit e gjithë qeveria, tjetrit të gjithë drejtorët bashkiak.

Pavarësisht se çfarë mund të thotë Rama dhe Veliaj, është e qartë se nuk mund të ketë një kryeministër të ndershëm në krye të një qeverie të korruptuar ashtu sikurse nuk mund të ketë një kryetar bashkie pa lejen e të cilit drejtorët më të rëndësishëm të bashkisë kanë ndërtuar një skenë të pastër korruptive.

Aq më shumë në një vend si Shqipëria që gjithçka është e centralizuar dhe askush prej vartësve dhe prej zyrtarëve të niveleve më të ulëta nuk mund të bëjë asgjë pa miratimin dhe lejen e shefit.

Edi Rama jo vetëm që nuk arriti ta kuronte sistemin e korruptuar, por e thelloi edhe më shumë korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisjes, qendrore dhe lokale, duke e sofistikuar në maksimum.

Ai sot qëndron në krye të një qeverie të korruptuar, ku më shumë ka prodhuar kandidatë për në SPAK se sa VKM.

Retorika e përmbysur se nuk është sistemi ai që të korrupton, por janë ministrat ata që hanë kumbulla prapa kurrizit të Kryeministrit dhe drejtorët ata që veprojnë pa marrë lejen e kryetarit të bashkisë, duket se nuk ka kurrfarë vlere, sepse qartazi kjo është një retorikë e dalë boje, sado ngjyra dhe kurim propagandistik t’i jepet.

E vërteta është se ky është një sistem i ngritur nga korrupsioni dhe mbi korrupsionin, duke pasur në përbërje të tij individë që korruptohen dhe korruptojnë për të mbajtur sistemin gjallë, që jeton si pasojë e ushqimit nga korrupsioni.

Ndaj nuk ka zgjidhje veçse përmbysje rrënjësore e një sistemit të korruptuar që mbahet gjallë nga aktor politik po aq të korruptuar.

Artikulli paraprakRritet numri i pensionistëve më 2023, por jo përfitimet, qeveria shpenzon më pak
Artikulli tjetër“Po zhvillon luftë në zemër të Evropës për vite të tëra!”- Paralajmëron e veja e liderit opozitar rus, Yulia Navalnaya: Putin mund të përdorë armë bërthamore