Dy të vrarë në Durrës, tronditet qyteti bregdetar

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Durrësit. Dyshohet se nipi ka vrarë gjyshen dhe më pas veten, ndërsa policia bëri të ditur se po heton edhe për vrasje nga persona të tjerë. Burimet bëjnë të ditur se Ersid Curri, 25 vjeç dhe gjyshja e tij, 80 vjeçe, ishin mbyllur në shtëpi. Gjithçka është zbuluar vetëm pasi e moshuara, Hurme Curri, nuk i përgjigjej telefonatave të familjarëve. Për këtë arsye, ata kanë shkuar në banesë, ku janë përballur me pamjet e rënda.
25-vjeçari jetonte me gjyshen, për të cilën dyshohet se e qëlloi me breshëri automatiku në shtratin e saj. Më pas duhet të ketë vrarë veten me plumb në gojë. Policia gjeti automatikun pranë trupit të tij. Nuk dihet pse dhe për çfarë, kur i riu shkrehu armën e zjarrit mbi të moshuarën e shtrirë, por fqinjët treguan se pas burgut Curri sillej frikshëm.
Policia shkoi në vendin e ngjarjes, pasi u njoftua nga familjarët në Itali, të cilët nuk merrnin përgjigje në telefonin e 80-vjeçares. Dy trupat e pajetë dhe të vrarë ishin në të njëjtën dhomë.
Ersid Curri, 25 vjeç, 1 vit më parë doli nga burgu ku qëndroi për rreth 10 vjet. Pasi u dënua se vrau një bashkëmoshatarin e tij pas një sherri në diskotekë, kur ishte vetëm 14 vjeç. Por vrasjet e kanë ndjekur këtë familje që në atë kohë.
Pas burgosjes së Ersidit, u vra vëllai i tij shtatë vjet më parë me plumb pas koke në sheshin “Pranvera”. Gjashtë muaj pas vrasjes së tij, u vra edhe babai i Ersidit. Për këto arsye dyshohet se kemi të bëjmë me vrasje dhe jo vetëvrasje. Nga policia nuk ka një variant përfundimtar zyrtar për ngjarjen, nëse ajo është një krim familjar dhe vetëvrasje, apo diçka fshihet pas gjithë kësaj skene.

Artikulli paraprakMaskat terror në Korçë, grabisin një kazino në qendër të qytetit
Artikulli tjetërSkandali me abonetë e studentëve në tregun e zi