Dy studentë arrestohen nga policia për protestën para Kryeministrisë

Dy studentë janë arrestuar pasditen e sotme nga policia dhe janë në komisariatin numër 1, në Tiranë pas protestës së organizuar ditën e sotme para kryeministrisë. Bëhet e ditur se janë shoqëruar në polici studentët Vilson Kulemani dhe Gëzim Almeta.
Burime bëjnë të ditur se dy studentët janë shoqëruar në polici për shkak se në shenjë proteste u kanë vënë drynin fakulteteve.
Ndërkohë një grup studentësh, organizatorë të protestës po shkojnë drejt komisariatit nr.1 për të mbështetur dy të rinjtë e arrestuar.
Kujtojmë se ditën e sotme në shenjë proteste studentët i kanë vënë drynin dyerve të disa fakulteteve, ndërkohë kanë protestuar për disa orë para kryeministrisë.
Ata u shprehen të vendosur për të mos ndalur protestat deri në plotësimin e të gjitha kërkesave dhe anulimin e ligjit të arsimit të lartë.
Ndërkohë që për mbylljen e dyerve me dryn, reagoi dhe vetë kryeministri Edi Rama i cili tha se kjo është prova se protesta e studentëve është marrë peng.

Artikulli paraprak28 vjetori i RD/ Basha: PD do të jetë gjithmonë në mbështetje të gazetarëve dhe lirisë së medias
Artikulli tjetër“ZDF” jehonë protestës së studentëve: “Protestuesit kanë popullin me vete”