Dy grabitje në Elbasan, pronari falënderon grabitësit që nuk më vranë

Dy grabitje kanë ndodhur gjatë natës së premte në Elbasan, ndërkohë që policia i ka fshehur këto ngjarje. Persona të paidentifikuar fillimisht kanë grabitur banesën e një 70-vjeçari, të identifikuar si Qemal Shabani dhe e kanë masakruar për t’i marrë paratë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e të premtes rreth orës 21:30. Grabitësit kanë marrë shumën prej 1500 eurosh dhe 3 milionë lekë.
Më pas është grabitur edhe një karburant në Cërrik. Sipas burimeve, pre e grabitjes nga persona të armatosur ka rënë një pikë karburanti në fshatin Mollas të Cërrikut. Grabitja ka ndodhur gjatë natës nga disa persona të armatosur dhe të maskuar, të cilët kanë goditur pronarin e karburantit dhe më pas kanë marrë me vete kasafortën me para. Nga ngjarja ka mbetur i lënduar vetë pronari, i cili në dëshminë e parë ka thënë se autorët u shfaqën me uniforma policie.
Pronari i grabitur: Falënderoj grabitësit e mi që nuk më vranë!
“Faleminderit grabitësit e mi që patët dorën e mbarë dhe nuk më vratë”. Ky është urimi i dhimbshëm i të moshuarit Qemal Shabani 70 vjeç pronarit, i cili ra viktimë e një vjedhje të dhunshme mbrëmjen e kaluar në Elbasan.
I moshuari ndodhet nën kujdesin e mjekëve në këtë qytet dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. “Mund të ishte ora 9:30 e mbrëmjës. Sapo kisha rënë në gjumë. Pas 10 minutash troket dera. “Hape, jemi policia”, më thanë. Unë u tremba, hapa derën dhe ata më drejtuan armën. Më thanë mos lëviz ndryshe të vramë. Ishin katër vetë të veshur me uniforma policie me maska dhe me armë. Unë tentova të kap armën e gjahut që kam me leje. Por më paralizuan. Kapa një vazo që ishte aty pranë dhe qëllova njërin në kokë. Por ai m’u kundërpërgjigj, duke më qëlluar me qytën e pistoletës në kokë. Nuk mundesha më. Tre më mbanin mua dhe i katërti mori kasafortën. Pastaj ikën, tregon pronari.
“Para se të hynin në banesë ata kishin shtrirë rojën përmbys dhe kishin shkallmuar derën kryesore. Pasi morën kasafortën u zhdukën. Kisha edhe dokumenta të vajzës që kam në Itali, dokumentat e shtëpisë, kisha zinxhir dhe unaza floriri. Më morën rreth 3.3 milionë lekë dhe 1500 euro”, tregon pronari. Pas grabitjes është njoftuar policia, ndërsa i moshuari është dërguar për në spital. Pak orë pas kësaj ngjarje të tmerrshme të jetës së tij, 70-vjeçari uron: Ju falënderoj grabitësit e mi që nuk më vratë. Kishit dorën e mbarë”!

Artikulli paraprakFundi i horrave
Artikulli tjetërGrabitja në Qafë Kashar, Drejtori i Policisë: Ka patur patrullë në rrugë