Durrës, plagosje në mes të qytetit

Agjentë të krimeve në Durrës arrestuan këtë të premte shtetasin Gazmend Peposhi, pasi pak më parë kishte plagosur një person me armë zjarri. Ngjarja ndodhi pas një konflikti të çastit, me 28-vjeçarin Peposhi që qëlloi me pistoletë 25-vjeçarin me inicialet R.Gj. Më pas, nën kërcënimin e armës autori i mori automjetin një shtetasi dhe u largua nga vendngjarja. Por uniformat blu të Durrësit, pas hetimeve të shpejta paraprake bënë të mundur identifikimin e tij dhe kapjen e tij në Kamëz, ku sekuestruan edhe armën e krimit. Gjithashtu, agjentët e krimeve gjetën dhe automjetin me të cilin 28-vjeçari ishte arratisur, tip “Audi” me targë “AA 915 AG”. Përveç armës së krimit, tip “Grizzly”, blutë e Durrësit gjetën edhe një krëhër me 7 fishekë, i cili përfundoi gjithashtu nën sekuestro. Materialet e mbledhura i kaluan tashmë Prokurorisë së Rrethit, ndërkohë që i plagosuri ndodhet në Spitalin Rajonal të Durrësit, jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë një 26-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Elbasanit, pasi akuzohet se ka dhunuar një person, duke e lënë të plagosur rëndë. Personi i arrestuar është shtetasi Ramadan Ibra, 26 vjeç, banues në fshatin Bulçar, Gramsh. Bëhet e ditur se 26-vjeçari u ndalua  nga efektivat e policisë gjatë ditës së premte, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta,  dyshohet të ketë goditur me sende të forta shtetasin  B.D,  47 vjeç, banues në Gramsh. 47-vjeçari është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Artikulli paraprakPërndoqi ish-të dashurin, dënohet 32-vjeçarja
Artikulli tjetërBritanikët kundër shqiptarëve: “Mos jepni azil për ta”