Drejtësia, Hahn kërkon reformë me 93 vota dhe kompromis për çështjet politike

Komisioneri për Zgjerimin në BE, Johanes Hahn kërkon nga qeveria Rama kompromis me opozitën në lidhje me çështjet politike, ndërsa thekson rëndësinë e miratimit të Reformës në Drejtësi me një kuorum prej dy të tretave të votave në Parlament ose 93 vota. Kërkesë kjo, që i heq Ramës çdo mundësi për të miratuar reformën në mënyrë të njëanshme, pa votat e opozitës. Eurokomisioneri Hahn kërkoi për herë të parë në mënyrë të drejtpërdrejtë shumicën prej 93 votash për miratimin e saj. Ndërsa, ambasadori amerikan Lu, shigjetoi drejtpërdrejt qeverinë kur kërkoi të mos i konsiderojë shqiptarët budallenj, sepse ata e dinë sa e rëndësishme është Reforma në Drejtësi. Edhe  ambasadorja e BE, Vlahutin apeloi për intitucione që janë më të forta se krimi.
Ndërkombëtarët i kanë lëshuar thirrjen e fundit klasës politike në Shqipëri, për të miratuar brenda pak ditëve Reformën në Drejtësi Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hann zgjodhi të fliste me një gjuhë të drejtpërdrejtë duke sugjeruar për herë të parë 93 votat e nevojshme në Kuvend për të miratuar paketën kushtetuese. Hahn rekomandon kompromisin për çështjet e mbetura politike, por pa dëmtuar thelbin e draftit që është pranuar ndërkombëtarisht. “Tani është me rëndësi të bëhet dhe kilometri i fundit dhe të sigurohet shumica prej dy të tretash që nevojitet për ndryshimet përkatëse kushtetuese”, është thirrja që lëshon komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hann për politikën shqiptare. Ambasadori amerikan Donald Lu, shigjetoi drejtpërdrejt politikanët kur u kërkoi të mos i konsiderojnë shqiptarët budallenj. “Kam pasur një diskutim me një politikan që pretendonte se populli shqiptar nuk mund ta kuptojë në të vërtetë debatin për Reformën në Drejtësi. Sinqerisht kjo është tipike për arrogancën e politikanëve dhe elitës shqiptare që besojnë se vetëm ata janë të zgjuar mjaftueshëm për të kuptuar se çfarë po ndodh në shoqërinë shqiptare”, tha ambasadori Lu. Shqiptarët e kuptojnë se korrupsioni po u shkatërron atyre jetën, pohoi Lu, që përsëriti në publik historinë e një gruaje që ishte trajtuar padrejtësisht nga gjykata. “Kjo grua humbi dy nga tre fëmijët e saj dhe gjithë pasurinë, të cilat gjykata ia dha me ligj bashkëshortit të saj. Ky i fundit kishte qenë dënuar më parë për krime seksuale. Kjo grua në sistemin gjyqësor në vend që të gjente drejtësi gjeti vuajtje. Kjo është vetëm një histori, por sa nga ne kanë dëgjuar shumë histori të tilla? Përse do të vendoste një gjyqtar në favor të një personi të tillë. Një arsye e thjeshtë: Korrupsioni. Korrupsioni në drejtësi jo vetëm lejon politikanët e gjyqtarët të mbushin xhepat me para të pista. Ai po shkatërron jetën e njerëzve të ndershëm dhe normalë. Të pasurit dhe të fortët blejnë drejtësinë ndërsa gratë dhe të varfërit, ata pa pushtet politik janë viktima”, tha Lu. Zërave për forcim të shtetit të së drejtës iu bashkua edhe ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin që apeloi për institucione që janë më të forta se krimi. “Krimi nuk duhet të jetë më i fortë se institucionet prandaj duhen shkëmbime efikase dhe në kohën e duhur edhe për raste të caktuara sa i takon inspektimeve dhe hetimeve”, tha Vlahutin. 91 për qind e shqiptarëve kërkojnë drejtësi në vend të korrupsionit, sipas sondazheve të opinionit publik, presion ky që ka rezultuar deri tani i pamjaftueshëm për të bindur shumicën kushtetuese prej 93 votash për ta miratuar draftin. Eurokomisioneri Hahn vendos 10 qershorin si një afat përfundimtar për të dëshmuar nëse Shqipëria do të përparojë drejt Kampionatit Europian, që nis po në këtë ditë apo nëse do të qëndrojë në fazën e grupeve.

Artikulli paraprakDaily Mail: Drama e shqiptarëve që “çajnë” detin për në Britani
Artikulli tjetërËshtë ministri apo Kryeministri?