Drejt Champions!

“Nuk ka kuptim që të shkojmë në finale dhe të mos fitojmë. Duhet të fitojmë patjetër në Kardif”, u shpreh portieri dhe kapiteni i Juventusit, Bufon, pas ndeshjes ndaj Monacos. Kapiteni i Juventusit do të luajë finalen e tretë të Championsit, pas asaj të humbur ndaj Milanit më 2003-shin dhe ndaj Barcelonës më 2015-ën. Bufon mendon se ka ardhur koha që Juventus të fitojë këtë trofe, i cili i mungon klubit që prej sezonit 1995-1996.
Në të njëjtën linjë me kapitenin, është edhe trajneri Alegri, i cili ishte në krye të Juventusit edhe në finalen e para 2 viteve, të humbur ndaj Barcelonës. “Mendoj se kemi shanse të mira për të fituar Championsin këtë vit dhe pse jo, edhe tripletën. Besoj se kundërshtari i Kardifit do të jetë Real Madrid, por kemi një muaj kohë, për të përgatitur si duhet këtë takim”, tha Masimiliano Alegri.
Dy vite më parë, të gjithë ishin të sigurt se Xhixhi Bufon mund të fitonte “Topin e Artë”, nëse do të mundte Barcelonën e frikshme në finalen e Ligës së Kampioneve. Portieri nuk ia doli, as të fitonte turneun dhe as trofeun, i cili duket si utopi për ata që qëndrojnë mes shtyllave.
Por ëndrrat mund të bëhen realitet edhe në moshën 39-vjeçare. Bufon kthehet përsëri në finale pas suksesit të Juventusit kundër “fëmijëve të tmerrshëm” të Monacos dhe veterani pranon se nuk e kishte menduar se do të ishte përsëri aq afër trofeut më të rëndësishëm për klube që i mungon në karrierë.
“Është gjithçka e vërtetë, por ka qenë gjithçka shumë e vështirë. Nëse do të kishim ardhur në këtë ndeshje si mendjemëdhenj do të kishim rrezikuar shumë. Kemi arritur finalen dhe ishte vetëm objektivi ynë i parë, pasi tani të arrish në finale nuk ka asnjë lloj vlere.
Arrij në formë në këtë finale, nëse nuk do të luaja në një skuadër të madhe nuk do të kisha arritur përsëri deri këtu. Dy vite më parë, të gjithë mendonin se do të ishte finalja ime e fundit dhe edhe unë gjithashtu, ndonëse nuk isha i sigurt. Por duhet të besosh deri në fund te ëndrrat”, tha portieri pas ndeshjes ndaj Monacos.
Juventus është finalisti i parë i Uefa Champions League. Bardhezinjtë u rikthyen në finalen e kompeticionit pasi mundën dhe në ndeshjen e kthimit Monaco me rezultatin 2-1 dhe pse një këmbë e kishin vendosur në finale që në raundin parardhësh kur fituan 0-2 në transfertë. Në “Juventus Stadium”, bardhezinjtë thjesht zyrtarizuan kalimin për më tej dhe e bënë mjaft shpejt duke mbyllur llogaritë që në pjesën e parë falë një epërsie të dyfishtë.
Mandzukiç shënoi i pari në minutën e 34-tërt ndërsa para pushimit Dani Alves realizoi dhe golin e 2-0. Me 2 gola epërsi pas pjesës së parë, menaxhimi i rezultatit të përgjithshëm ishte shumë i thjeshtë për ekipin e Alegrit pavarësisht se në fraksionin e dytë, Monaco arriti të shkurtojë diferencën me talentin Mbappe që shënoi në minutën e 64-tërt duke vulosur rezultatin përfundimtar në 2-1 me Juventusin, që në Kardif përgatitet tashmë të gjejë përballë me shumë mundësi Realin e Madridit, i cili niset shumë i favorizuar përballë Atletikos së Madridit falë fitores 3-0 në ndeshjen e parë.

Artikulli paraprakFIFA heton Manchester United për blerjen e Pogba
Artikulli tjetërBonuçi më i miri në botë