Drama në autobus, një i vdekur dhe 11 të plagosur

Një autobus me 31 persona ku gjendeshin edhe disa fëmijë, përfaqësues të Kishës Ungjillore, Vlorë, shpërtheu në flakë dje në mesditë në Krujë. Si pasojë e djegies së autobusit ka humbur jetën një grua, ndërsa 11 të tjerë janë plagosur rëndë. Policia ka konfirmuar emrin e viktimës, e cila është Violeta Gjika, 65 vjeçe. Ajo ka mbetur e shkrumbuar brenda autobusit pa mundur të dalë. “Vdekja e zonjës ishte e rëndë. E konfirmua në fund, pse e gjetëm kufomën vetëm kur u shuan komplet flakët”, bëri të ditur një dëshmitar në vendin e ngjarjes.
Kanë qenë banorët e zonës, të cilët u kanë ardhur në ndihmë personave që ndodheshin në autobus, duke i nxjerrë jashtë. Personat më me shumë dëmtime, raportohet të kenë qenë në pjesën e fundit të autobusit, aty nga kanë shpërthyer edhe flakët. 11 gra janë dërguar nga Spitali i Krujës në Repartin e Djegie Plastikës në QSUT e Tiranë me helikopter dhe autoambulanca, ndërsa 8 prej tyre ndodhen një gjendje më të rëndë.
Paraprakisht dyshohet se zjarri në autobus mund të ketë ardhur pas një problemi në motor. Burime nga grupi hetimor i çështjes bëjnë me dije se dyshohet që shkak i zjarrit ka ardhur nga një masë elektrike. Po sipas këtyre burimeve, zjarri më pas ka nisur në ecje nga nxehja e motorit. Zhvillimi i zjarrit nga lart ka ardhur si pasojë e ushqimit me oksigjen tek pjesa e tavanit, e cila ka një hapësirë boshe që përcjell ajrin e kondicionimit. Përzierja e dioksidit të karbonit me ajrin i ka trullosur pak pasagjerët dhe kjo ka bërë që ta kapin me vonesë zjarrin. Kjo hapësirë ka shpërndarë zjarrin me sekondam duke mos i lënë hapësira për ndërhyrje askujt, në një farë mënyre ka eksploduar furishëm.
Burimet bënë të ditur se mjeti me targa AA 584 MP, që transportonte një grup besimtarësh të Kishës së Shën Theodhorit në Vlorë, ka shfaqur probleme gjatë ngjitjes për në qytetin e Krujës. Ishte ora 11:25 kur autobusi shpërtheu në flakë.
Pasagjerët e plagosur kanë dëshmuar në polici se, fillimisht kishin dëgjuar një shpërthim të fuqishëm, më pas kanë ndjerë erën e keqe, por menduan se ishin plehrat që digjeshin anës rrugës. Ata janë shprehur se nuk kanë reaguar vetëm kur ka shpërthyer zjarri në pjesën e përparme. Sipas tyre, dera u bllokua dhe nuk kishin nga të dilnin, ndërkohë që zjarri përfshiu sediljet.
Shpëtimtar ka qenë një kalimtar që ka thyer dyert me një sëpatë që kishte me vete. Mësohet se autobusi është i vit prodhimit 2006. Akti i ekspertimit teknik për udhëtimet ishte kryer në 24 dhjetor të vitit 2015, ndërsa kolaudimi i skadonte në qershor të këtij viti. Pronar dhe drejtues i mjetit është identifikuar shtetasi Skënder Jonuzaj, 56 vjeç, i cili është marrë në pyetje në Komisariatin e Krujës.

“Na mori në qafë shoferi”

Një nga gratë që mbeti e lënduar nga përfshirja në flakë e autobusit me besimtarë ortodoksë ka rrëfyer momentet e tmerrit që përjetoi. Luçiana Mita ndodhet e shtruar në Tiranë në QSUT dhe e ka kaluar rrezikun për jetën. Ajo bën përgjegjës shoferin e autobusit për tragjedinë që ndodhi. “Luçiana është më mirë se të gjithë të tjerët, më thotë një doktoreshë. Bobooo!, thashë me vete. Qenka bërë hataja! I putha gishtat shoqes së bangës të fakultetit. Qeshi në sytë me rimelin e tymit nxirë. “Na mori në qafë shoferi!” Flaka nisi tek motori para. Pastaj në telefon mori Gjena Goga edhe ajo shoqe e kursit, por unë ja hoqa telefonin nga dora Luçianës që të mos i lëndoheshin plagët”, shprehet ajo.
Dëshmitari: Pashë njerëz me rroba në flakë që tentonin të dilnin nga autobusi
Një prej besimtarëve, të cilët ishin pasagjerë në autobusin e përfshirë nga flakët dje në mesditë në qytetin e Krujës u shpreh se kishte parë njerëz me rroba në flakë që tentonin të dilnin nga autobusi. “Në moment pamë tym që po dilte dhe i folëm shoferit. Autobusi kishte vetëm një derë. Ishte vështirë për të dalë. Shpëtuam falë ndërhyrjes së krutanëve që me sëpata dhe hanxharë thyen xhamat. Pashë njerëz me rroba në flakë që po tentonin të dilnin nga autobusi”, u shpreh dëshmitari.
Ai tha më tej se, njerëzit e përfshirë nga flakët shpëtuan falë ndërhyrjes së krutanëve që thyen xhamat. “Në moment pamë tymin që po dilte, i folëm shoferin, kishte vetëm një derë, vështirë për të dalë, shpëtuam falë ndërhyrjes së krutanëve që me sëpata dhe hanxharë thyen xhamat, pashë edhe njerëz me rroba në flakë që tentonin të dilnin nga autobusi”, përfundoi ai.

Banorja: O, nuk përgjigjet policia, plasa duke i rënë

Një prej banoreve shprehet se i ka rënë disa herë numrit të telefonit të policisë për t’u ardhur në ndihmë njerëzve që ndodheshin në autobusin që po shkrumbohej, por askush nuk përgjigjej. “O nuk përgjigjet policia, plasa duke i rënë telefonit”, thotë banorja e Krujës. Ky fakt u zbulua nga një video e publikuar në rrjetet sociale. Në video dëgjohen edhe banorë, të cilët kërkojnë për t’i dhënë ndihmë pasagjerëve.
Autobusi ishte djegur më shumë se gjysma dhe aty nuk dukej as policia dhe as zjarrfikësit. Kanë qenë banorët që kanë shpëtuar sa kanë mundur pasagjerët e autobusit.
Njëmbëdhjetë gratë e plagosura nga shpërthimi i flakëve në autobusin me besimtarë në Krujë i kanë vizituar edhe përfaqësues të Kishës Ortodokse të Shqipërisë. Njëri prej tyre përcolli për publikun edhe dëshminë që kishte dëgjuar nga një prej të mbijetuarve. “Një zotëri është brenda dhe thotë: “Ishte diçka e papritur, në automjet ndjemë një erë zjarri, menduam sikur ishin furrat gëlqerore që ndodhen në Krujë. Ndaloi autobusin shoferi, pamë që për punë sekondash zjarri përpiu autobusin. U munduam që të dilnim, u bë një rrëmujë e madhe. Disa qytetarë thyen xhamat dhe mundën të nxirrnin njerëz të tjerë”.
Fillimisht zjarri shpërtheu në pjesën e përparme të autobusit. Flakët përfshinë derën, duke e bërë të pamundur që pasagjerët të dilnin jashtë. Më pas zjarri nisi të përhapej edhe në pjesën e pasme. Fatmirësisht një prej kalimtarëve me sëpatë në dorë ka thyer xhamat e autobusit, duke bërë të mundur daljen e pasagjerëve. Ndërkohë është identifikaur viktima. Ajo është 65-vjeçarja Violeta Gjika nga Vlora. Trupi i saj është dërguar në morgun e Tiranës për ekzaminim.

Dy minutat që ndanë jetën nga vdekja

Një tjetër dëshmi e rëndë është dhënë për shpërthimin e autobusit që ndodhi sot në qytetin e Krujës. At Lluka Gjergji ka treguar se djegia e autobusit ndodhi në harkun kohor të dy minutave, pasi shoferi ndaloi i sinjalizuar nga tymi. “Ishte një ekskursion për t’u çlodhur me besimtarët, do të shkonim në Shkodër dhe në Ulqin. Sa ndjemë tymin ndaluam, shoferi hapi kroskotin, në 2 minuta autobusi mori flakë”, u shpreh ai.
At Lluka Gjergji ka rrëfyer se ndihmën e parë e morën nga një qytetar i Krujës, i cili theu xhamat e autobusit. “Ndihma e parë na erdhi nga një krutan, ai theu xhamin. Zonja që mbeti aty nuk mund të dilte nga autobusi. Unë isha në vendin e parë në të njëjtin drejtim dhe më shtynë. Pashë njerëz që bërtisnin e shkelnin njëri-tjetrin. Njerëzit dilnin me flakë. I shuam jashtë. Ne ishim 4 meshkuj në autobus. Të tjerat zonja”, tha At Lluka Gjergji.
Prifti thotë se nuk ishte në dijeni të ndonjë defekti të autobusit. “Gjatë rrugës nuk pati nxehje dhe probleme. Gjendja e mjetit ishte në rregull mesa di unë. Fatkeqësi e madhe për ne. Perëndia të na falë gjynahet tona”, përfundoi At Lluka Gjergji.

Mjekët: 8 janë në gjendje më të rëndë, djegia në 50% të trupit

Mjekët e QSUT-së bënë të ditur gjendjen shëndetësore të grave të plagosura të transportuara me helikopter e autoambulanca nga Kruja. Sipas njërit prej mjekëve që po kujdesen për të plagosurat, në total në Tiranë janë transportuar 11 gra, 8 prej të cilave në gjendje më të rëndë. “Ndodhen në terapi intensive, po mjekohen, po ekzaminohen, po ju bëjmë analiza. 8 prej tyre janë në gjendje të rëndë, 2 të mesme, ndërsa një paciente pritet të transferohet në shërbimin e Toksikologjisë. Shkalla e djegies është gati sa gjysma e sipërfaqes së trupit. Janë më rëndë ato që janë të moshuara, për faktin se nuk dihet si do ta tolerojnë. Ju sigurojmë se janë të gjitha medikamentet, pajisjet, drejtoria na i ka siguruar”, tha ai.
Më tej, mjeku ka siguruar e nëse është e nevojshme janë të gjitha mundësitë për transferimin e tyre jashtë vendit. “U vumë menjëherë në gatishmëri, përveç dy helikopterëve, që kryen dy rrugë çdo 5 minuta, dy pacientë të tjerë u transportuan me autoambulanca”, tha ai. “Të 8 pacientët i kemi pritur në gjendje emergjence, kemi vënë staf shtesë në dispozicion. Jemi të gjithë në gjendje gatishmërie, me barna e ekzaminime, po e mbajmë situatën nën kontroll”, tha ai.

Nishani: Prokuroria të hetojë ngjarjen e rëndë

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani shprehu keqardhjen për ngjarjen tragjike të autobusit të besimtarëve në Krujë, duke ngushëlluar njëkohësisht familjarët e viktimës që humbi jetën. Me anë të një deklarate për shtyp, Kreu i Shtetit shprehu urimet për një shërim sa më të shpejtë të të lënduarave si dhe i bëri thirrje qeverisë dhe institucioneve përkatëse që të ofrojnë ndihmë të specializuar jashtë vendit, nëse është e nevojshme.
“Presidenti i Republikës, Bujar Nishani shpreh keqardhjen e sinqertë dhe dhimbjen e thellë për ngjarjen tragjike të autobusit të besimtarëve në Krujë, duke ngushëlluar njëkohësisht familjarët e viktimës që humbi jetën.
Kreu i Shtetit, krahas shqetësimit për ngjarjen e rëndë, shpreh urimet për një shërim sa më të shpejtë të të lënduarve të shumtë, duke i bërë njëkohësisht thirrje qeverisë dhe institucioneve përkatëse e përgjegjëse që të ofrojnë ndihmë të specializuar jashtë vendit, nëse është e nevojshme.
Presidenti Nishani kërkon gjithashtu nga Prokuroria dhe organet e ligjzbatuese të hetojnë ngjarjen e rëndë me pasoja fatale për pelegrinët e aksidentuar, në mënyrë që të dalë në dritë e vërteta dhe të zbulohen shkaqet e vërteta të kësaj tragjedie”, thyhet në njoftim,in për shtyp.

Basha: Dhimbje dhe pikëllim për aksidentin e rëndë në Krujë

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka shprehur dhimbje dhe pikellim për aksidentin e rëndë që ndodhi dje në Krujë. “Dhimbje dhe pikëllim për aksidentin e rëndë në Krujë. Ngushëllimet e mia për familjarët e viktimës. Bashkohem në lutjet dhe shpresen që pasojat e këtij aksidenti të mos rëndohen më tej dhe që të lënduarit të kenë shërim sa më të shpejtë”, shkruan Basha në një postim në Facebook.
Edhe ish-Kryeministri Berisha ka shprehur ngushëllime familjes së viktimës së aksidentit tragjik që ndodhi në Krujë dhe u ka uruar shërim të shpejtë personave të djegur dhe lënduar në këtë ngjarje tragjike. “Ngjarje tragjike në Krujë”!, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
“Të dashur miq, sot në Krujë një autobus me vizitorë nga Vlora mori flakë me një shpejtësi të madhe. Një grua u dogj e gjallë, disa persona të tjerë kanë pësuar djegie të rënda. Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së viktimës le t’iu urojmë nga zemra shërim të plotë të gjithë personave të tjerë të djegur dhe lënduar në këtë ngjarje tragjike! Sb”, shkruan Berisha.

Deputetet e PD pranë të plagosurave të aksidentit

Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë dhe deputetet Irma Kopliku dhe Mimoza Hajdarmataj vizituan personat e lënduar nga djegia e autobusit në Krujë. “Për të gjithë është një ngjarje shumë tronditëse. Ne mundëm të vizitonim, një vajzë dhe dy zonja që paraqisnin një gjendje më të mirë se të lënduarat e tjera. Shtatë prej tyre ishin në reanimacion me djegie relativisht të larta në trup, por po mbahen në kontroll të vazhdueshëm. Tri të lënduara që kishin kaluar në pavion ishin mirë dhe shpresa është që ato mund të shërohen shpejt. Ne bashkojmë lutjet tona që të gjitha të plagosurat të shërohen sa më shpejt dhe gjithashtu përcjellim ngushëllimet më të sinqerta për familjarët dhe të afërmit e viktimave që humbën jetën në këtë aksident tragjik”, u shpreh deputetja Vokshi.
Familjarë dhe të tjerë që ishin në autobuz u thanë deputeteve të PD se nuk mbanin mend çfarë kishte ndodhur, pasi zjarri kishte qenë i menjëhershëm. Ishin disa qytetarë që kanë thyer xhamat e autobuzit, duke i ardhur në ndihmë me mjete rrethanore njerëzve të lënduar brenda në autobuz.
“Unë shpresoj që gjendja është në kontroll. Personeli mjekësor është i gatshëm për t’i ardhur në ndihmë pacientëve. Unë do t’i kërkoja Ministrisë se nëse do të ketë një rast urgjent të ndonjë pacienteje të marrë masa për ta përcjellë në klinikë më të specializuar”, u shpreh Vokshi.

R.POLISI

Artikulli paraprakSadriu shkel fëmijën dhe nuk ndalohet nga policia
Artikulli tjetërProkuroria urdhëron sekuestron e pajisjes së përgjimit