Dosja “Buka sh.a”/ Më 17 janar seanca paraprake për Arben Ahmetajn në GJKKO

Më 17 Janar do të mbahet seanca paraprake për Arben Ahmetajn në lidhje me akuzat për privatizimin e shoqërisë “Buka sh.a”.

Ish-ministri i Financave akuzohet për shpërdorim detyre në procedimin penal që njihet si dosja “Buka”, privatizmi i ish-fabrikës së Bukës, ku tashmë ndodhet kompleksi ‘Emerald’ tek rruga “5 Maji” në Tiranë, në zonën e “Medresesë”.

Një procedurë që dyshohet të jetë kryer në mënyrë jo ligjore dhe vlerësohet se i ka shkaktuar shtetit një dëm prej 7 mld lekë të vjetra.

Sipas dokumentit të SPAK, gjithçka lidhet me ankandin e vitit 2015 për privatizimin e 45.9 për qind të aksioneve të shoqërisë, ku trualli prej 7680 m2 u ishte njohur pronarëve, ndërsa 6370 m2 ishte ndërtesë. Për çështjen Prokuroria e Posaçme ka dorëzuar në gjykatë edhe përgjime të numrave celularë dhe komunikimet telefonike mes palëve të përfshira në dosje.

Madje, akuza shton se përmes bisedave të ministrit Ahmetaj dhe fituesit të ankandit të fabrikës ka pasur komunikime nga viti 2014, në 2019 dhe 2020, duke shtuar se kjo konfirmon njohjen mes palëve. Ndërsa në dokumentet e dorëzuara nga pronarët e tokës thuhet se vlera e truallit është vlerësuar me 4.73 për qind të aksioneve në total, duke pretenduar se me ekspertizë të pavarur vlera e tyre duhej të ishte 26.17 për qind, çka shkakton një dëm prej 175 milionë lekësh.

Ish-numri dy i qeverisë së Edi Ramës gjatë gjysmës së mandatit të tretë të Edi Ramës aktualisht është në kërkim ndërkombëtar, i akuzuar nga SPAK-u për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, në një procedim penal i nisur si pjesë e dosjes së “Inceneratorëve”.

Artikulli paraprakPD, Mirela Karabina: Njerëzit presin zgjidhje nga Edi Rama, ai u ofron shfaqje
Artikulli tjetërBashkimi i opozitës vlen vetëm nëse është cilësor