Dortmund rigjen buzëqeshjen pas eliminimit nga E. League

Borussia Dortmund rigjen buzëqeshjen pas eliminimit tragjik në “Anfield Road”. Skuadra e drejtuar nga Tomas Tuchel kaloi pastër 3-0 Hamburgun në ndeshjen e javës së 30, duke e çuar sërish në -7 diferencën me Bayernin kryesues. Në “Signal Iduna Park”, vendasit nuk e vunë asnjëherë në dyshim fitoren, pasi e gjetën golin në minutën e 38 me Pulisic, ndërsa një minut nga fundi i pjesës së parë, Adrian Ramos dyfishoi shifrat. Hamburgu u tregua i pafuqishëm për të reaguar, duke mos e ngacmuar pothuajse asnjëherë portën e skuadrës së Dortmundit që golin e tretë e gjeti sërish me sulmuesin kolumbian në minutën e 86.
Kur duhen edhe 4 javë nga fundi i sezonit, Borussia vazhdon të qëndrojë metametikisht në garën për titullin edhe pse diferenca prej 7 pikësh nuk e lejon skuadrën e Tuchel të ëndërrojë, ndërsa në krahun tjetër, Hamburgu mbetet në mesin e artë të klasifikimit. Në ndeshjen tjetër të së dielës, Mainzi bëri të pabesueshmen, duke u mundur 3-2 edhe pse kryesonte 2-0. Vendasit u kapën në befasi nga Kolni, ku Mërgim Mavraj u aktivizua titullar. Golat për vendasit u realizuan në pjesën e parë nga Corboba dhe në të dytën nga Balogun, por ekipi mik shënoi tre gola brenda pak minutave ku Rise, Jojic dhe Modeste arritën të rrëmbenin një fitore edhe pse ndeshja dukej e mbyllur. Me këtë humbje, Mainz mbetet në vendin e 6 me 45 pikë, ndërsa Koln mbetet në pozicionin e 12.

Artikulli paraprakDi Francesco: Rinovoj me Sassuolon
Artikulli tjetërInteri shpreson!