Djali i ish deputetit të PS tek vdekja e policit

Autori i aksidentit në Kamëz, ku humbi jetën një punonjës policie dhe u plagosën rëndë dy të tjerë është djali i ish-deputetit të PS në Pukë dhe ish-kryebashkiak i këtij qyteti, Ndue Kola. Një ditë pas ngjarjes, policia raporton se 22-vjeçari mund të ketë qenë duke lëvizur me 150 kilometra në orë me makinën e tij. Policët ishin pak minuta nga ndërrimi i turnit. Ervin Haxhiaj ishte bashkë me kolegët e tij në furgonin e policisë që po lëvizte ngadalë në Bulevardin “Blu” në Kamëz kur u përplas furishëm në pjesën e pasme nga makina e 22-vjeçarit. Efektivi i policisë ndërroi jetë në spital, ndërsa dy kolegët e tij u plagosën rëndë.
I riu ka tentuar të parakalojë furgonin, por për shkak të shpejtësisë ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përplasur me mjetin e policisë, duke shkaktuar vdekjen e punonjësit të policisë, Ervin Haxhiaj dhe plagosjen e dy kolegëve të tij, Besmir Voi dhe Neil Hoxha.
Djali i ish-deputetit socialist nuk ka pësuar lëndime për shkak të hapjes së airbag-ut dhe është shoqëruar në Komisariatin e Policisë. Ndërkohë, policët e plagosur po marrin mjekim në spital, prej ku mësohet se gjendja shëndetësore e efektivit Ismail Hoxha është përmirësuar gjatë natës, ndërsa kolegu i tij Besmir Voji ndodhet në pavionin e Neurokirurgjisë, në gjendje të rëndë.

“Nga goditja, furgoni ynë u rrotullua 2 herë”

“Ishim duke patrulluar kur na përplasën…” Kështu shprehen Besmir Voi dhe Neil Hoxha, dy kolegët e policit të ndjerë Ervin Haxhia që u aksidentua mbrëmjen e së dielës nga një i ri që udhëtonte me shpejtësi. Efektivët ishin duke përfunduar shërbimin, por gjysëm ore para se turni tjetër të merrte detyrën, ndodhi e paimagjinueshmja. “Nuk e kuptuam, humbëm ndjenjat. Gjysëm ore para se të linim shërbimin na goditi makina me fuqi”, thanë Voi dhe Hoxha. Të dy policët ndodhen të shtruar tek Trauma.
Voja tha se sëbashku me shokët Ervin Haxhia dhe I. Hoxha ishin duke patrulluar me makinë, kur furgoni i policisë u trondit nga një goditje. “Kemi qenë duke ecur kur morëm një goditje të fuqishme nga mbrapa. Nuk e kuptuam, kur dhe si na erdhi goditja. Furgoni ynë pësoi dy rrotullime në vend. Kur më nxorrën nga makina e policisë, pashë dy kolegët e shtrirë. Nuk mbaj mend shumë gjëra….patrullonim shpesh në këtë segment”.

18 herë i gjobitur

Arnold Kola nuk është një emër i panjohur për policinë. Djali i ish-deputetit edhe më parë është arrestuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe mbajtje të narkotikëve. Rasti i fundit i arrestimit të tij ka ndodhur në mars të 2015-ës, kur efektivë të Policisë Rrugore e kanë arrestuar pasi drejtonte mjetin në gjendje të dehur. Në të dy rastet, ai ka qëndruar vetëm 72 orë nën arrest e më pas Gjykata e ka lënë nën masën detyrim paraqitje.
22-vjeçari Kola ishte skeduar si një drejtues mjeti problematik, pasi vetëm në një vit është gjobitur 18 herë për shkelje të rënda të Kodit Rrugor si për shembull: tejkalim shpejtësie, parakalim i gabuar, përdorim i xhamave të zinj etj.
Rasti i aksidentit të së dielës është i ngjashëm me rastin e aksidentit të ndodhur në korrik në Tiranë në rrugën “Siri Kodra”, ku u aksidentua për vdekje 37-vjeçarja Dhurata Prifti, nënë me dy fëmijët e saj. Autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje 20-vjeçari Andrea Memollari ashtu si Arnold Kola, kishte qenë i arrestuar më parë nga policia për shkelje të rënda të Kodit Rrugor.

I arrestuar në 2015 në gjendje të dehur

Arnold Kola është arrestuar një vit më pare, pikërisht në vendin ku kreu aksidentin tragjik mbrëmjen e kaluar. Drejtësia i dha atij një shans, duke e dënuar me kusht për shkak të faktit se nuk kishte qenë herë tjetër i dënuar më parë dhe se po ndiqte studimet e larta.  Ai kishte tre ditë që kishte përfunduar dënimin me kusht, por ky dënim nuk i shërbeu atij as për të reflektuar dhe as për t’u rehabilituar nga alkooli. I riu do të dalë para Gjykatës për dy vepra penale atë të “shkeljes së rregullave të qarkullimit me pasojë vdekjen”, si dhe “drejtim mjeti në gjendje të dehur”.
Hetimet paraprake hedhin dritë mbi dinamikën e aksidentit. Në orën 21:10 minuta të së dielës, mjeti i policisë pas goditjes nga mjeti “Lexus” është spostuar, duke u rrotulluar në krahun e kundërt të lëvizjes, ndërkohë që mjeti është përplasur më tej me një shtyllë ndriçimi dhe është përmbysur gati 40 metra më tej.

Vdekja e policit, Basha: S’ka ditë pa një viktimë! Shthurje totale e rendit

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka shprehur shqetësimin e thellë për aksidentin tragjik, ku humbi jetën një punonjës policie në Kamëz dhe u plagosën rëndë dy të tjerë. Nëpërmjet një deklarate për mediat, Basha shprehet se, situata e rendit dhe sigurisë është shthurur totalisht dhe kërkon domosdoshmërisht një reflektim, një zgjidhje.
“Ngjarje jashtë mase tronditëse ajo mbrëmë në Kamëz, ku pas një aksidenti humbi jetën në detyrë, polici Ervin Haxhiaj. Dua të ngushëlloj nga zemra familjarët, të afërmit dhe kolegët e tij, dhe uroj shërim sa më të shpejtë për dy policët e tjerë, Besmir Voi dhe Neil Hoxha. Duke kërkuar hetim të plotë të rrethanave të ngjarjes, dua të shpreh shqetësimin e thellë për pasigurinë në rritje, në çdo drejtim në vendin tonë si pasojë e shthurjes totale të sigurisë dhe rendit”, deklaroi Basha.
Basha tha se duhet zgjidhje, pasi vendi meriton rend dhe siguri. “Nuk kalon një ditë e vetme pa një viktimë në rrugët tona, pa një përplasje me armë, apo një vrasje për shkak të drogës. Duhet një reflektim, duhet zgjidhje, vendi meriton rend dhe siguri”, përfundon Basha.

Përcillet për në banesën e fundit efektivi i policisë

Ervin Haxhiajt, baba i tre fëmijëve dhe me një karrierë 18-vjeçare në polici iu dha lamtumira e fundit nga familja, kolegët dhe të njohurit. Homazhet e fundit për inspektorin që humbi jetën në detyrë si pasojë e një aksidenti u zhvilluan pak metra larg Komisariatit të Kamzës, ku dhe ai shërbeu në vitet e fundit. Ervin Haxhiaj u aksidentua për vdekje në kohën që po patrullonte në këtë zonë bashkë me dy kolegët e tij Besmir Voi dhe Neil Hoxha, të cilët u plagosën.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se, mjeti i policisë u godit në udhëtim nga një mjet tjetër që drejtohej nga shtetasi Arnold Kola. Menjëherë pas aksidentit aparati “Drager” tregoi se 22-vjeçari po e drejtonte mjetin “Lexus” në gjendje të dehur, me test alkooli 0.57 për qind. Ndërsa shpejtësia e mjetit llogaritet të ketë qenë 150 km në orë.

Kush është polici që humbi jetën

Haxhiaj, 41 vjeç, babai i tri fëmijëve, ishte efektiv në Komisariatin Nr. 5. Furgoni i policisë, me targë “Policia 2146″, e Komisariatit Nr. 5 u përplas nga automjeti fuoristradë, me të cilën udhëtonte Arnold Kola, djali i ish-deputetit, Ndue Kola për Qarkun e Shkodrës, në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009.
Kola ishte në timon në gjendje të dehur. Ndërkohë nga aksidenti kanë mbetur të plagosur edhe dy efektivët e tjerë: Besmir Voi dhe Neil Hoxha. Burime nga Spitali i Traumës bëjnë me dije se efektivët e tjerë, që ndodhen të shtruar në Reanimacion kanë kaluar fazën e rrezikut për jetën, njëri prej tyre në gjendje më të rëndë.
Furgoni i policisë u aksidentua gjatë momentit që 3 efektivë po patrullonin në Bulevardin “Blu”, në Kamëz, pranë shkollës “Ibrahim Rugova”. Në orën 12:30 u zhvillua ceremonia e lamtumirës për efektivin 41-vjeçar, i cili humbi jetën në krye të detyrës. Ceremonia u zhvillua në ambientet e Komisariatin Nr. 5. Pas homazheve, kortezhi lëvizi në drejtim të varrezave në Thumanë.

“Rilindja” i pushoi gruan nga puna policit të vrarë në aksident

Bashkëshortja e efektivit të policisë që humbi jetën të dielën në aksident në Kamëz, ishte pushuar nga puna pak kohë më parë si mësuese në Thumanë, fshati ku dhe banonte. “Rilindja” e hodhi në rrugë mësuesen e efektivit të policisë për ta zëvendësuar me një militante të PS.
Të dielën në mbrëmje në Kamëz, gjatë patrullimit të zakonshëm, një mjet policie me tre efektivë goditet nga pas nga një mjet tip “Lexus” me shpejtësi mbi 140 km në orë. Aksidenti shkaktoi një të vdekur dhe dy të plagosur. Mjeti i policisë u kthye përmbys dhe një makinë tjetër e parkuar aty pranë u dëmtua. Efektivi i policisë Ervin Haxhiaj humbi jetën dhe dy kolegët e tij mbetën të plagosur rëndë.
Nga informacionet rezultoi se, personi që shkaktoi aksidentin ishte djali i ish-deputetit socialist Ndue Kola. Drejtuesi i mjetit, i cili shkaktoi aksidentin e rëndë rrugor mbrëmjen e të dielës në Kamzë, ku humbi jetën një punonjës policie dhe dy të tjerë u plagosën, ka rezultuar nën ndikimin e alkoolit.
Në shtëpinë e Ervinit ka rënë morti, por dera e të këqijave është hapur disa kohë më parë dhe atë e hapi “Rilindja”. Bashkëshortja e Ervinit, efektivit të policisë që humbi jetën të dielën në aksident, ishte pushuar nga puna pak kohë më parë si mësuese në Thumanë, fshati ku dhe banonte. Cityneës.al ka mësuar se, Argita bashkëshortja e Ervinit është sot e papunë, “Rilindja” e hodhi në rrugë bashkëshorten e policit dhe nënën e tre fëmijëve.
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla dhe kreu i qeverisë Edi Rama, pritet të japin ngushëllimet e tyre familjes për efektivin e policisë. Por a mund të ketë fytyrë Rama, Tahiri dhe Nikolla t’i dalin përpara bashkëshortes të Ervinit?
“Rilindja” e hodhi në rrugë mësuesen e Thumanës, bashkëshorten e një punonjësi policie që humbi jetën në krye të detyrës.
“Rilindja” po përpiqet të sillet e pikëlluar, e vrarë nga ky krim që i mori jetën. Në fakt krimi që i mori jetën Ervinit ishte një aksident, krimi i vërtetë ishte dënimi që Rama dhe Nikolla i bënë atij duke i hedhur gruan në rrugë, duke ja lënë pa punë për ta zëvendësuar me një “rilindase” që i shërbente partisë. “Rilindja” të vret natën dhe të qan ditën!
Miq të afërm dhe kolegë i kanë dhënë dje lamtumiren e fundit efektivit 42-vjeçar Ervin Haxhiut, baba i tre fëmijëve, i cili humbi jetën në aksidentin e ndodhur mbrëmjen e së dielës. Homazhet u zhvilluan në ambientet e Komisariatin Nr.5 në Kamëz.

R.POLISI

Artikulli paraprakAlarmi i OKB, mbetje toksike drejt Shqipërisë?
Artikulli tjetërKa shqetësim për plehrat krimi i organizuar, problem