Ditmir gjinkalla në bunkerin e diplomacisë!

Nga Enver Bytyçi

Gjinkalla u bë këto ditë personazh në gojën e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati. U duk se ky insekt ka lindur më 25 qershor, ditën e zgjedhjeve politike në vendin tonë. Shefi ynë i diplomacisë së gjinkallave e lidh raportin e Policisë dhe Prokurorisë së Holandës, ku propozohet anulimi i lëvizjes së lirë për shqiptarët, me “shpifjet” ose “zhurmën” e gjinkallave të 25 qershorit. Pra, zoti Bushati e krahason opozitën shqiptare me gjinkallat, sepse sipas tij, nuk ka asgjë të vërtetë sa i përket asaj që është njoftuar në media për çfarë përmban raporti holandez, ku propozohet anulimi i lëvizjes së lirë për shtetasit shqiptarë!
Por ambasadorja e Holandës në Tiranë pranoi se, humbësit e 25 qershorit ose opozita në Shqipëri nuk kanë të bëjnë me raportin holandez. Se ky raport nuk është sajesë e opozitës, por është një realitet të trishtë, se raporti është i saktë dhe zbulon të dhëna të tmerrshme për imazhin e diplomacisë shqiptare dhe të vetë Shqipërisë. Jo pak, por 5800 shqiptarë në këto vitet e fundit kanë hyrë në dyert e policisë holandeze për hetim në pjesëmarrje në vepra kriminale e penale. Sikur në Holandë të jetonin një milion shqiptarë, përsëri shifra prej 5800 prej tyre qoftë dhe si të dyshuar si kriminelë është mjaft e lartë dhe alarmuese. Jo më që në këtë vend nuk jetojnë më shumë se 20 mijë shqiptarë, çka i bie se më shumë se një e katërta prej tyre e “kanë parë birucën me sy”!
Po pse pikërisht në vitet e fundit?! Sepse qeveria jonë zbatoi politikën e kanabizimit, kokainizimit dhe kriminalizimit të politikës dhe të shoqërisë shqiptare, si mjet për t’u pasuruar dhe për të përjetësuar pushtetin. Sepse kjo qeverisje nuk e sheh të ardhmen e shqiptarëve në Europë, por në bunker. Sepse politika e kriminalizimit sjell izolimin e shqiptarëve dhe izolimi është mjeti më i mirë për ushtrimin e dhunshëm të një pushteti jolegjitim.
Nuk po ndalem në pjesët e tjera të raportit që nxin Shqipërinë dhe na penalizon ne të gjithëve në imazhin tonë, në dinjitetin dhe integritetin tonë. Ne jemi një shoqëri e pafuqishme që t’i dëshmojmë Holandës, Europës dhe botës se integriteti dhe dinjiteti i shqiptarëve nuk është i njëjtë me atë të kreut të diplomacisë shqiptare, se gjinkalla nuk gjendet te opozita, por te bunkeri i diplomacisë sonë diku aty “te Brryli”! Që godina e Ministrisë së Jashtme është shndërruar në një bunker, ku zhurmojnë gjinkallat jo vetëm në mot me temperatura të larta, por edhe në kohë ngricash, këtë e dëshmon dështimi i suksesshëm i kësaj diplomacie në të gjitha iniciativat rajonale, europiane dhe ndërkombëtare. Se politika dhe diplomacia jonë janë shndërruar në diplomaci e politikë gjinkallash, këtë e dëshmojnë të gjitha shfaqjet komike në veprimtaritë ndërkombëtare të përfaqësuesve të ekzekutivit shqiptar!
Se gjinkallat e bunkerëve tanë të qeverisjes kanë marrë dhenë në Europë e më gjerë, e thotë raporti holandez, kur përmend që bandat shqiptare merren me trafik kokaine e kanabisi, me larje hesapesh dhe me pastrim parash. Pra, fundi i procesit të krimit është pastrimi i parave. Shqiptarët duhet të kërkojnë të dijnë se cila pjesë e parave që pastrohet i përket gjinkallës dhe gjinkallave që bërtasin për gjinkalla?! Kjo është çështja. A ka lidhje kjo veprimtari kriminale me kryegjinkallën dhe njerëzit e tij përrreth?!
Nëse jo, pse u ndalua kryegjinkalla nga policia holandeze para disa javësh?!
Ndërkohë në Holandë janë regjistruar se ku qëndrojnë, ku akomodohen, me kë shoqërohen gjinkallat e pushtetit dhe për këtë arsye ka dyshime të bazuara se paratë e pista të trafikut të kokainës dhe kanabisit, të cilat pastrohen në këtë vend, janë para të kryegjinkallës dhe gjinkallës në krye të diplomacisë së gjinkallave, në bunkerin e gjinkallave në Tiranë. Por kjo pjesë e realitetit të dhimbshëm nuk i intereson Ditmir Gjinkallës, sepse mbetet me gisht në gojë!

Artikulli paraprakSot Skënderbeu-Dinamo, përkrahje dhe nga Kosova
Artikulli tjetërDuan të na bëjnë qytetarë me barkun plot, por shqiptarë me kokën bosh!