Dimri i Doktorit

Nga Namir Lapardhaja

As vetë Sali Berisha nuk e kuptoi se pse këtë të enjte Edi Rama, që e kishte thyer sa e sa herë Rregulloren për t’i pasur në skenën e cirkut parlamentar, u mbylli derën e Kuvendit, duke mos i qasur brenda.

Çudi, këto ditë Doktori mirë është sjell: ka sulmuar vazhdimisht SPAK-un, siç do Rama, ka fajësuar Erjon Veliajn për inceneratorin e Tiranës, rrjedhimisht ka amnisutuar shefin e qeverisë nga kjo aferë, duke e quajtur Veliajn si strumbullarin Nr. 1 të djegësit të kryeqytetit, ka mbajtur PD-në në tension dhe presion të vazhdueshëm, duke mos lënë alternativë të ngrejë kokë përballë Ramës.

Ndonëse nuk i lanë të hynin, sërish Doktori e gjeti një vend nga ku t’i thërriste demokratët për të mbrojtur demokracinë (lexo: hallin e Doktorit): pikërisht në ditën e mbledhjes së komisionit të mandateve për të diskutuar për heqjen e mandatit të tij.

Të mendosh se këtë që po bën aktualisht Sali Berisha, duke thirrur njerëzit për ta mbrojtur nga drejtësia, nuk e ka bërë asnjë politikan tjetër, as në Shqipëri, as në Afrikë, as në Azi, askund në Botë.

Ai, një ndër njerëzit më të pushtetshëm, njeriu që ka ngritur dhe ulur në karrierë dhjetra figura, njeriu që ka pasuruar me HEC-e e TEC-e, që ka shpërndarë pushtet dhe para për një kohë të gjatë.., ka frikë nga përballja me drejtësinë dhe thërret demokratët për t’i bërë presion SPAK-ut.

Kohë të turbullta për Doktorin….

U premtoi demokratëve që nuk do t’i përziente çështjet e tyre me hallin e vet, mirëpo i gallaviti aq keq saqë u kërkon të ngrihen nga janë e nga s’janë, të lënë hallet dhe punët e tyre dhe të venë te Kryesia e Kuvendit, jo për të protestuar kundër qeverisë dhe varfërsisë, kundër vjedhjeve dhe korrupsionit, kundër pamundësië dhe pabarazisë, por u kërkon të bëhen gardh, të hipin mbi kangjella, të kacavirren mbi dritare e hekura dhe të përplasen me punonjësit e gardës për të mos lejuar të realizohet mbledhja për shqyrtimin e mandatit të Doktorit.

U premtoi se do t’u hiqte Lulin dhe do t’u jepte garën, pastaj do ikte në shtëpi, madje mblodhi rreth vetes të gjithë ata që nuk donin Bashën me justifikimin se vetëm Doktori mund ta zbojë Lulin, mirëpo, jo vetëm që Lulin s’e hoqi, garën s’e hapi dhe vetë nuk iku, por, nëse dikur vuri shokun e çupës në krye të PD-së, tani po u lë shoqen e Lulit në krye të Rithemelimit.

Ai, dikur Doktori i madh, që simbolizonte fitoren dhe pronësinë mbi Partinë… Ai që të gjithë besonin se me një ultimatum mund të trembej Rama, Luli e Partia, me një fishkëllimë mund të mblidhej anëtarësia e shqiptaria, me një shenjë mund të goditej godina dhe selia, tani është shndërruar në një Hilecak të vogël që, ndonëse trimërohet teorikisht, frikësohet praktikisht dhe bën veprime prej frikacaku, duke nxjerr njerëzit përpara për ta mbrojtur.

Një herë e një kohë Doktori kishte qenë tjetër, por sot ai është i “detyruar” t’i dërgojë mesazhe Edi Ramës duke sulmuar Erjon Velinë, sepse kështu mendon se mund të shpëtojë nga drejtësia, ngase precdeneti i tij sot i hap rrugë të njëjtës gjë për Ramën nesër.

Doktori ka frikë nga përballja i vetëm me drejtësinë, mirëpo çfarëdo që të bëhet, sado që të mblidhen, sado presion dhe kërcënime për trazira të bëjë përditë, mëngjes e mbrëmje, ai është i pafuqishëm, njerëzit s’e besojnë, demokratët s’i mblidhen, deputetët i fshihen, sepse ai është duke konsumuar dimrin e tij politik.

Dhe dimri vjen me të ftohtin acar.

Artikulli paraprakMonika Kryemadhi bëhet pishman për reformën në drejtësi: Bëra gabim që e votova
Artikulli tjetërMasa e arrestit ndaj Berishës, ambasadori britanik: Të fillojë të kuptojë se askush nuk është imun