Dhuna e tatimorëve ndaj biznesit, u mohojnë edhe apelimin

Një grup i veçantë i ankesave të tatimpaguesve në Avokatin e Tatimpaguesit është ai që ka të bëjë me pajisjen me njoftim-vlerësim të tatimpaguesve.
Tatimpaguesve u është dhënë vetëm një formular për kërkesë pagimi të detyrimeve, që në fakt Drejtoria e Apelimit Tatimor nuk e njeh për akt administrativ që lidhet me një procedurë apelimi, shprehet Avokati i Tatimpaguesit në një raport të posaçëm.
Rastet e ndodhura, kur nuk u jepet tatimpaguesve një akt administrativ, i vlefshëm për t’ju dhënë mundësinë e së drejtës së ankimimit, prekin të drejtat e tatimpaguesve, shprehet avokati.
Ligjërisht, ky akt administrativ, i emërtuar “Njoftim dhe kërkesë për t’u paguar”, është i përdorshëm në kuadrin e zbatimit të një procedure të mbledhjes së detyrimeve tatimore, parashikuar në Kreun XI të Ligjit “Për procedurat tatimore”, por ai asnjëherë nuk është dhe nuk mund të bëhet, objekt apelimi administrativ, pranë Drejtorisë së Apelimit Tatimor.
“Në këto raste, nga ana jonë, janë mbështetur kërkesat e ligjshme të tatimpaguesve. Qëndrimi ynë bazohet në parimet parësore administrative në Republikën e Shqipërisë, paraqitur në Kodin e Procedurave Administrative nenet 9–20 të tij. Për sa i takon legjislacionit tatimor, Ligji nr. 9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, në nenin 38 të tij vendos të drejtën e tatimpaguesit për t’u ankimuar: “Tatimpaguesi gëzon të drejtën e ankimimit dhe të sigurimit për një shqyrtim të pavarur administrativ të çështjeve të lidhura me të”, shprehet Avokati i Tatimpaguesit.
Bazuar në nenin 29 të ligjit, pika 3, “Administrata tatimore vë në dispozicion dhe garanton, në rrugë elektronike, aksesin e tatimpaguesit në dosjen e tij. Në rastet kur tatimpaguesi nuk mund të përdorë rrugën elektronike të marrjes së të dhënave, administrata tatimore vë në dispozicion kopje të dokumenteve të dosjes, sipas kërkesës me shkrim të tatimpaguesit”.
Sipas nenit 32 të po këtij ligji, “Çdo tatimpagues ka të drejtë të marrë njoftim për çdo akt administrativ, veprim ose mosveprim, të bërë për mbledhjen e detyrimeve tatimore, i cili prek pasurinë e tij, me përjashtim të rasteve kur administrata tatimore vlerëson se ekziston rreziku real që, pas marrjes së njoftimit, tatimpaguesi ta transferonte pronësinë para përfundimit të vlerësimit tatimor”.
Në bazë të nenit 36 të ligjit “Tatimpaguesi ka të drejtë të kërkojë nga administrata tatimore, në rrugë elektronike apo me shkrim, kopje të njësuara me origjinalin, për çdo dokument, që ndodhet në dosjen e hapur për të apo të kërkojë kopje të printuara dhe të çertifikuara të të dhënave elektronike, të lidhura me të, shprehet avokati.
Avokati i Tatimpaguesve shprehet se pajisja e tatimpaguesve me njoftim-vlerësimi tatimor, që në fakt është një akt administrativ, i vlefshëm për t’ju dhënë atyre mundësinë e së drejtës së ankimimit, plotëson të drejtat e tyre, si në fushën e ankimimit, por edhe të vënies në dispozicion të dokumenteve që prekin situatën e tyre financiare. Njoftim-vlerësimet e dërguara elektronikisht tatimpaguesve apo ato dhe të printuara nga sistemi nuk plotësojnë kushtin e formës së një akti administrativ, deri në momentin e miratimit të nënshkrimit elektronik e vulës dixhitale. Rekomandojmë zgjidhjen e shpejtë, të pajisjes së tatimpaguesve, me njoftim-vlerësimi tatimor, formati i printuar, që në fakt administrata e ka një detyrim të tillë.

Artikulli paraprakTrump: Sistemi është i kalbur dhe i manipuluar
Artikulli tjetërParalajmërimi i FMN për huadhënësit europianë