Dhuna barbare, lirohet nga qelia nipi i Rrahman Rrajës dhe dy të arrestuar të tjerë

Tre të akuzuar nga Rrajat për dhunën barbare ndaj kushërinjve Maja janë liruar nga qelia.

Gjykata e Tiranës zbuti nga arrest me burg në arrest shtëpie masën e sigurimit për Andi Rrajën, nipin e ish-deputetit të PS-së Rraham Raja. Në arrest shtëpie u lanë edhe dy të arrestuarit e tjerë, Ineidi Rraja dhe Eni Kullaj.

Gjykata pranoi kërkesën e mbrojtjes që kërkoi zëvendësimin e masave të sigurisë me argumentin se është tejkaluar afati i paraburgimit.

Roli i dyshimtë i policisë

Më 6 Korrik të vitit të kaluar, Anëtarë të fisit Rraja goditën me sende të forta dhe kërcënuan me armë Bilbil dhe Jashar Majën, pasi këta të fundit kishin denoncuar në polici se aktiviteti shpërthyes i gurores në pronësi të një prej anëtarëve të fisit Rraja u kishte shkaktuar dëme në banesa.

Një video e publikuar në rrjete sociale dhe media, që dukej se ishte filmuar nga një prej pjesëtarëve të grupit dhunues, tregoi se si vëllai, djali dhe të afërm të tjerë të deputetit të PS-së Rrahman Rraja dhunuan brutalisht me shkop bejsbolli dhe kërcënuan me pistoletë dy kushërinjtë.

Ngjarja shkaktoi indinjatë në opinionin publik. Rrahman Rraja dha dorëheqjen si deputet pas publikimit të pamjeve, ndërsa ministri i Brendshëm Bledi Çuçi u shkarkua nga kryeministri Edi Rama për tu zëvendësuar me Taulant Ballën. Kushërinjtë e dhunuar hodhën akuza ndaj policisë se po amnistonte Rrajat me veprimet e vonuara, që faktohen nga vetë njoftimet publike të policisë lidhur me ngjarjen. Shoqërimi dhe më pas lirimi i një prej vëllezërve të Rraham Rrajës apo shpallja në kërkim e djalit të tij disa orë pas publikimit të pamjeve, ngritën dyshime për sjelljen e njëanshme të policisë në favor të dhunuesve. Asnjë prej të dyve nuk është arritur të ndalohet ende nga policia.

Zbutja e akuzës

Përveç rolit të policisë, institucionet të tjera ligjzbatuese lehtësuan pozitën e Rrajave në këtë çështje. Fillimisht, ndaj personave të arrestuar u ngrit akuza e plagosjes së rëndë, që u zbut më pas në plagosje e lehtë.

Lehtësimi i akuzës, sipas prokurorisë së Tiranës, bazohej në një ekspertizë mjeko-ligjore sipas së cilës, dhuna nuk u ka rrezikuar jetën kushërinjve Maja, pavarësisht se një prej të dhunuarve pësoi thyerje kockash në kokë e trup.

Pas publikimit të konkluzioneve të ekspertizës në media bashkë me kundërshtitë e të dhunuarve, prokuroria urdhëroi një ekspertizë të dytë, që megjithatë doli me të njëjtin konkluzion.

Në këto kushte, ndaj personave të akuzuar u depozitua në gjykatë kërkesa për gjykim me akuzën e plagosjes së lehtë, nga prokurori Ylli Bashaj.

Artikulli paraprakLoja e Ramës me segmente të opozitës kundër Reformës Zgjedhore, Basha lajmëron konferencë me mediet
Artikulli tjetërKërkesat për azil në Bashkimin Europian, VOA: Shqiptarët vijojnë të kryesojnë