Dhoma Amerikane e Tregtisë: Gjoba dhe dhunë ndaj biznesit

Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford kritikoi dje qeverinë për sjelljen ndaj biznesit dhe investitorëve të huaj.
Në një intervistë për “ATSH”-në, Crawford deklaron se në kuadër të përmirësimit të ambientit të të bërit biznes, Shqipëria e ka të domosdoshme zgjidhjen e pronësisë së tokës, duke ndjekur shembujt pozitivë të vendeve fqinje.
“Të gjejmë shembuj pozitivë. Ne mund të shikojmë Maqedoninë që ka bërë një hartë të pronarëve të tokës. Mund t’i shtojmë edhe informacionin se kush është në proces gjyqësor për çështje pronësie”, nënvizoi Crawford.
Lidhur me paketën e taksave konkurruese në rajon, Crawford thotë se po t’i referohemi raportit të Doing Business, Shqipëria renditet e fundit në rajon. Ndaj, ai kërkon hartimin e një pakete të tillë që niveli i taksave të konkurrojë vendet e rajonit.
“Ne kemi thënë që do të konkurrojmë me fqinjët. Po të shikojmë Doing Business, jemi në fund të rajonit. Ndaj duhet paketë fiskale konkurruese në rajon, që i vë bizneset shqiptare në pozita të barabarta me vendet e rajonit përndryshe ato do të drejtohen drejt vendeve fqinje”, u shpreh Crawford.
Lidhur me ligjin e taksave, ai tha: “Ne i presim me pozitivitet ndryshimet në procedurat tatimore. Nëse duam reformë, kjo s’mund të bëhet përmes gjobave e dhunës. Duhet të kemi një ambient që është pozitiv e që ndihmon aktivitetin e sipërmarrjes. Duhet të përkrahet edhe kultura shqiptare, përndryshe mbetet vetëm aksion”.
Sipas tij, në shumë raste inspektorët vendosin penalitete të mëdha duke frikësuar sipërmarrjen, ndërsa ai sugjeron se sipërmarrja duhet të paguajë gjobë në përputhje të drejtë me gabimin.
Ndryshimet në procedurat tatimore, thotë Crawford, konkretisht në nenin që parashikon paralajmërimin nga ana e inspektorit tatimor për kohën dhe afatin e kontrollit është diçka shumë pozitive.
“Bizneset që kanë bërë gabime mund të vetëkorrigjojnë gabimet e tyre dhe mund të kuptojnë se sa do të qëndrojë inspektori tatimor, sepse kemi dëgjuar raste që inspektorët qëndrojnë me muaj pranë bizneseve duke bërë që të ndërpriten operacionet normale të tij”, tha Crawford.
Lidhur me procedurat e apelimit, një tjetër ndryshim në Ligjin “Për procedurat tatimore”, Crawford thotë se ky është një ndryshim pozitiv, pasi bizneset humbasin shumë kohë nëpër gjykata kur duan të kundërshtojnë një vendim të inspektorit tatimor.
“Nëse ka ndonjë strukturë apeluese kundër vendimit të inspektorit tatimor kjo është pozitive. Do të kemi një bilanc. Investitorët do të fitojnë kohë, pasi kemi raste kur një investitor sillet me vite nëpër gjykata duke pritur vendimin. Kjo ka bërë që shpeshherë investitorët të largohen nga Shqipëria”, shprehet Crawford.
Sipas tij, ndryshimet në ligj parashikohet të kenë efekte pozitive. “Ligji në vetvete nuk është efekt, por një pjesë rruge për të bërë ambientin për biznesin tërheqës”, tha ai.

Artikulli paraprakMziu inauguron nisjen e punimeve për rrugën 7 km në Babrru
Artikulli tjetërVendimi i Kushtetueses për taksat vendore