Detyrimet e vendorëve në 6 muaj, 9.5 miliardë lekë të papaguara

Njësitë e qeverisjes vendore, edhe pse me ristrukturim pas reformës së re territoriale, përsëri kanë krijuar detyrime të prapambetura. Kështu sipas statistikave të Ministrisë së Financave, detyrimet e prapambetura të krijuara rishtazi për njësitë vendore deri në qershor 2017, arrijnë në vlerën 9.5 miliardë lekë, të cilat janë kryesisht investime, shpenzime për mallra dhe shërbime dhe vendime gjyqësore. Vetëm në tremujorin e dytë të vitit 2017, janë krijuar detyrime që kapin vlerën 3.2 miliardë lekë. Sipas informacionit të njësive të vetëqeverisjes vendore një pjesë e detyrimeve të krijuara deri në qershor 2017 janë likuiduar dhe ndërkohë pritet likuidimi i plotë i tyre në periudhën në vazhdim. Peshën më të madhe të detyrimeve të reja të krijuara rishtazi e ka Bashkia Tiranë me 3.7 miliardë lekë. Këto detyrime janë rezultat i procesit të ristrukturimit dhe shlyerjes të stokut të detyrimeve të prapambetura në tre vjet, duke i dhënë përparësi shlyerjes së detyrimeve më të vjetra, dhe pagesës së detyrimeve më të fundit në periudhat pasardhëse, por gjithmonë duke siguruar shlyerjen e plotë dhe qëndrimin korrent brenda 2 viteve të ardhshme. Po sipas këtyre statistikave, njësitë e qeverisjes vendore edhe kanë shlyer një pjesë të detyrimeve. Kështu deri në qershor të 2017, janë likuiduar 12.2 miliardë lekë, detyrime të krijuara gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017, vitit 2016 dhe detyrimet e akumuluara në vite deri në dhjetor 2015. Në tremujorin e dytë të vitit 2017, janë likuiduar rreth 3.9 miliardë lekë. Vlera e mbetur e cila parashikohet të shlyhet në vitin në vazhdim, bazuar në planin e shlyerjes së dërguar nga të gjitha bashkitë në Ministrinë e Financave është 9.1 miliardë lekë.

Artikulli paraprakPëson rënie indeksi i çmimeve të bujqësisë
Artikulli tjetërTregu Rajonal, Shqipëria përkeqësoi tregtinë me vendet e CEFTA më 2016