Dëshmitarët: Si u ngarkua me kanabis avioni në Cepo

Një avion është ngarkuar me kanabis në një pistë të improvizuar në fshatin Cepo të Gjirokastrës. Ngjarja ka ndodhur mesditën e të shtunës, ndërsa lajmi është publikuar dje nga gazeta “JuguNews”. Disa banorë kanë parë një avion të vogël të aterrohej në afërsi të fushës që ndan rrugën për në fshatin Zhulat dhe pjesën jugore për në fshatin Plesat në njësinë vendore Cepo. “Disa banorë të zonës përreth, kanë parë uljen e avionit të vogël me ngjyrë të bardhë, teksa iu afruan tre automjete mes të cilëve një fuoristradë me ngjyrë të errët. Njëra prej makinave, bëri gomën dhe kjo e vonoi nisjen e avionit të vogël në drejtimin nga erdhi.
Avioni, sipas dëshmitarëve në vendngjarje, ka qëndruar jo më shumë se 20 minuta dhe është ngarkuar me disa kuti dhe thasë të zinj. Ndërkohë që nuk dihet me saktësi se çfarë përmbajtje kishin kutitë e mëdha dhe thasët e zinj, por dyshohet se bëhet fjalë për mbi 450 kg marijuanë të presuar”, shkruan “JuguNews”.
Gjatë ditëve të fundit, në Gjirokastër janë para disa avionë të ngarkoheshin me kanabis. Gazetari Artan Hoxha publikoi dy ditë më parë fotot e dy pistave avionësh të vegjël në Gjirokastër që janë përdorur për trafik droge. Sipas Hoxhës, këto pista ndodhen në Jug të vendit dhe se ato janë përdorur për uljen e avionëve për t’u ngarkuar me kanabis. Gazetari Hoxha tha se, njëra pistë gjendet në fushën e Çajupit, ndërsa tjetër në fushën e Kardhiqit në Gjirokastër.
Gazetari Hoxha përshkroi me detaje pistën e Çajupit, aty ku sipas burimeve të tij, janë ulur avionë për t’u ngarkuar me drogë që nga viti 2013. “Njëra pistë është në zonën e Malit të Çajupit, mbi 120 metra lartësi. Zona ka një rrugë të asfaltuar, atje mund të shkosh me çfarëdolloj mjeti, fushë e rrethuar me male. Për të shkuar tek qafa e Çajupit, makina ngjitet dhe pastaj zbret deri aty. Kjo është pamja fiks. Fusha është cilësisht më e mirë se ajo e sajuara në grykëderdhjen e Ishmit. Aty nuk ke valë celulari. Në krahun e djathtë të saj ka kanale kulluese, kurse pjesa tjetër është me bar natyral të paprekur, nuk është punuar më që nga kohërat e komunizmit. Pista ka gjatësi prej 1 km e gjysmë”, shprehet ai.
Ai ka dhënë informacione të detajuara edhe për pistën e dytë të përdorur nga trafikantët në Kardhiq. Ai tha se bëhet fjalë për një rrugë, dikur e nisur për të shkurtuar distancën mes Gjirokastrës dhe Sarandës, e cila ka një gjerësi të konsiderueshme rreth 14 metra dhe me gjatësi rreth 1.5 km. Hoxha theksoi se kjo pistë është e mbrojtur nga vëzhgimi dhe nuk duket nga rruga kryesore.
“Bëhet fjalë për pistën e Kardhiqit, për trafik të lëndëve narkotike. Është një rrugë mjaft e gjerë. Është nisur për të qenë një autostradë që të lidhte Tepelenë-Gjirokastër me Sarandën, më e shkurtër. Është rrugë pa krye deri në fshatin Kardhiq. Kjo rrugë është 13-14 m e gjerë dhe gati 1.5 km e gjatë, është përdorur për uljen e avionëve të vegjël për transportin e lëndëve narkotike. Ka një pjerrësi të vogël, por lugina është mbyllur, është larg nga rruga nacionale dhe me sy të lirë je i mbrojtur. Është një vend që ofron të gjitha mundësitë për uljen e avionëve edhe pa u vënë re. Të dyja këto pista janë përfolur edhe në Kuvend se janë përdorur. Ka patur raporte të SHISH dhe policisë kriminale që ky destinacion dhe tjetri janë përdorur. Grupet e narkotrafikut që kontrollojnë linjat ndërkombëtare të trafikut të kanabisit nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së, kanë përdorur këto pista”, tha Hoxha.
Tani që është vala e trafikut të kanabisit drejt Italisë, avionët e drogës shfaqen për çdo ditë në të gjithë vendin. Gjatë tri ditëve të fundit, avionët e kanabisit kanë fluturuar në Durrës, Fier, Divjakë, Lushnjë, Berat dhe disa herë në Belsh të Elbasanit. Denoncimet janë bërë nga qytetarë të ndryshëm, të cilët kanë dërguar edhe foto të avionëve në rrjetet sociale. Dy ditë më parë ish-Kryeministri Berisha publikoi disa foto të avionëve të drogës, duke publikuar mesazhet e qytetarëve nga Durrësi, Fieri, Lushnja, Divjaka e Belshi.

R.POLISI

Artikulli paraprakTitulli për Presidentin, “Nderi i Qarkut Shkodër”
Artikulli tjetërMasakra në pyje, 10 kamionë me dru në rrugët e Kolonjës