Dëshmitarët e dosjes së Shullazit po thirren dhe kërcënohen nga Tahiri

Me urdhër të Ramës, të gjithë dëshmitarët e dosjes Shullazi po thirren një nga një personalisht nga Tahiri ku nën presion po u kërkohet që të ndryshojnë dëshmitë e tyre në lidhje me kërcënimet dhe gjobëvëniet që kanë marrë nga Emiljano Shullazi. Denoncimi është bërë dje nga një komisar policie dhe është publikuar nga ish kryeministri Berisha në një postim në profilin e tij në rrjetin social Facebook.
“Komisari dixhital informon nga Ministria e Brendshme: Me urdhër të Ramës janë thirrur dhe po thirren jo në polici, por nga vetë ministri Saje qorri në ministri, të gjithë personat e dosjes Shullazi për të fshehur dokumentet dhe ndryshuar me çdo kusht dëshmitë kundrejt shpërblimeve të mëdha në taksa, dogana, tendera punësh publike, leje ndërtimi etj.,etj” thuhet në denoncimin e publikuar nga ish kryeministri Berisha.
Ky denoncim erdhi pasi mediat nisën të publikonin deklarata të biznesmenëve që kanë rënë pre e kërcënimeve të Shullazit por që në reagimet e tyre ata mohonin që kishin njohje apo presione nga Shullazi. Denoncimi i komisarit dëshmon përpjekjet e pushtetit për të moslejuar ngritjen e dëshmive kundër Shullazit me qëllim lirimin e shpejtë të tij.
Po dje, në një reagim në Facebook, ish-kryeministri Berisha akuzoi qeverinë se është shndërruar në një organizatë kriminale. “Organizatë kriminale qeveritare me në krye Edvin Shullazin para ligjit! Sot lajmet hapen dhe mbyllen me kronikat e proceseve të krimeve të saj! Qeveria shqiptare me në krye Edi Ramën është shndërruar në një organizatë të vërtetë kriminale. Cilido që ka ndjekur lajmet në televizione të ndryshme sot, ka konstatuar se ato u hapën dhe mbyllën me kronikat e proceseve gjyqësore të krimeve të lidhura me qeveritarët. Kështu të gjitha mediat njoftuan se: – Milit të Partisë dhe ushtarëve të tij, gjykata ju vendosi burgun pa afat si masë sigurie. – Saje qorri, që nga dita që është bërë ministër e gjer sot, shqipëroi paradite për herë të parë emrin e Sajmir Shullazit!  – Në Fushë-Arrëz, deputeti Pjerin Ndreu, me porosi të Ramës liroi nga burgu narkotrafikantin e dënuar 7 vjet burg dhe arrestuar me urdhër të Prokurorisë. Narkotrafikanti u lirua sepse ishte vëllai i mikut të ngushtë të Ramës, kryetarit të Bashkisë së Fushë-Arrëzit. – Gjykata Kushtetuese kishte thirrur para trupit gjykues për gjykim, kryemafiozin e Jugut, sivllaun Kokëdhima për vjedhjen e parave publike duke shfrytëzuar mandatin e deputetit! Por krimet për të cilat ishte sot para drejtësisë, organizata kriminale e Edvin Ramës janë thjesht maja e ajsbergut e krimeve monstruoze të saj!” shkruan Berisha në reagimin e tij.
Më herët Berisha postoi denoncimin e një qytetari, i cili dëshmon se si Shullazi i kishte rrëmbyer makinën e tij në qytetin e Vlorës.  “Përshëndetje nuk kam dashur të shqetësoj, por para 2 muajve ne kaluam një situatë shumë të vështirë me Shullazin që doja t’ja harroja emrin, kur të kesh kohë do ta tregoj nga afër, por makinën 100 mijë euro na e mori për një xhiro dhe erdhi edhe duke na bërë presion. Makinën e mban akoma. Shullazi më fal për edukatën një …. Nga Fushë-Kruja” thuhej në denoncimin e postuar nga Berisha.
Gjobvëniet, kërcënimet me jetë të biznesmenëve e familjeve të tyre si dhe torturat e kërcënime ndaj zyrtarëve të hipotekave kanë qenë mjetet e Shulalzit dhe bandës së tij për të përvetësuar mijëra hektarë sipërfaqe toke, biznese, godina etj. Sipas kësaj dosjeje, Emiljano Shullazi dyshohet se është kreu i një “bande”, e cila vijon aktivitetin e saj kriminal, për të realizuar ardhjen e pasojave, marrjen e përfitimeve të padrejta, nëpërmjet kanosjes, si dhe trafikimit e lëndëve narkotike.

Kërcënimi i Shullazit ndaj Dhori Kules, i filmuar nga kamerat e një hoteli

Kërcënimi i rektorit të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule nga Emiljano Shullazi, është filmuar nga një kamera sigurie. Ngjarja ka ndodhur fundjavën e kaluar përpara njërës prej kamerave të sigurisë së një hoteli me 5 yje në Tiranë. Këtë fakt e konfirmuan burime të Prokurorisë. Para dy ditësh, profesor Mynyr Koni është thirrur për të dëshmuar në polici për kërcënimin që është bërë ndaj tij. Ai ka thënë se, nuk i mbaj mend fytyrat e personave, por sakaq ka treguar skenën e krimit. “Isha në rrugë, duke shkuar për në shtëpi, një makinë më ndaloi tek këmbët dhe një person më urdhëroi të hyja brenda. Aty jam kërcënuar. Ishin tri veta. Njëri prej tyre më tha ‘Ti do të tërhiqesh deri nesër nga gara!’. I thashë të mendohem deri nesër. Personi në fjalë me ton të lartë më tha: Ti do të japësh dorëheqjen!”, është shprehur Profesor Koni në dëshminë e tij në polici. Pas kësaj, banda e ka lënë akademikun të lirë. Pas kërcënimit, Profesor Koni ka shkuar në zyrën e rektorit aktual të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, ku i ka shprehur atij tërheqjen nga gara dhe se do të paraqiste dorëheqjen. Kjo kërkesë e Konit ka hasur në kundërshtinë e Kules, i cili i ka shprehur mbështetjen atij për të vijuar garën deri në fund. Të nesërmen e kësaj dite, të premten më 15 prill, teksa ecte rrugës për në Rektorat tek sheshi “Nënë Tereza”, e njëjta bandë që një ditë më parë kishte kërcënuar akademikun Koni duke i kërkuar të tërhiqej nga gara, ndaloi edhe rektorin aktual Dhori Kule. Me tone kërcënimi, banda i ka kërkuar Kules të ndërpresë urgjentisht çdo lloj mbështetjeje ndaj akademikut Koni përndryshe jeta e tij dhe e familjarëve të tij ishte në rrezik.

Arben Shahini

Artikulli paraprakShullazi në gjykatë, i papuni me qindra prona në tre vjet
Artikulli tjetërDeputeti Ndreu liron të dënuarin ndërkombëtar për trafik droge