Deputetët e PD-së, do zgjedhin të jenë vasalë të Berishëve apo partnerë të Bashës?

Nga Bato Kosova

Kuvendi i thirrur nga Berisha më dy dhjetor mund të përmblidhet shumë thjesht me titullin: Kuvendi i Argitës.
Asgjë nuk prodhoi mbledhja e delegatëve të Rithemelimit përveç ngritjes në skenë, të bijës së ish-kryeministrit, si trashëgimtarja e votave dhe influencës të akumuluar ndër vite nga Sali Berisha, njeriu më i pushtetshëm i tranzicionit.

Një zgjedhje politike e respektueshme, përmes të cilës Berisha heq dorë nga shumë hipokrizi proceduriale, pas të cilave shfaqet nevoja për të çuar përpara përmes njeriut të gjakut, betejën e tij personale në politikë.

Problematikat e kësaj lëvizje janë të shumta, ku mund të veçohen si kryesore, dy.
E para, është papajtueshmëria me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Non grata familjare e Berishëve, shënjestron edhe Argita Malltezin. Kjo ka një peshë të posaçme për politikën shqiptare. E dyta është pesha e drejtësisë në hapat e mëtejshëm të Berishës dhe familjes së tij.

Përballja me SHBA-të dhe me SPAK-un e kornizojnë qysh në lindje këtë kalim të mundshëm pushteti, si një vijim përmes trashëgimisë familjare të betejës mbrojtëse. Një betejë që mund të çohet përpara vetëm nga një person absolutisht i besuar, siç është e bija, e cila mund të tërheqë pas vetes, sigurisht me dirigjimin e të atit dhe pushtetin financiar dhe mediatik që nuk mungon, mbështetësit personal të Berishës. Duke vijuar kështu narrativën e vetëprodhuar këto dy vite të viktimizimit, si njerëz të vendosur në shënjestër nga Rama dhe Sorosi. Teza që besohen vetëm nga ithtarët e Doktorit, sikurse sugjerojnë dhe rezultatet zgjedhore neto.

Një parti e tillë, nën markën e Berishëve, nuk do të jetë kurrë një parti me vokacion mazhoritar, gjithsesi mund të sigurojë një bërthamë pushteti politik të mjaftueshëm për të mbrojtur kuotat e tyre shoqërore, politike dhe ekonomike. Ndoshta, në idenë e farkëtuesit të kësaj lëvizje, në një masë të mjaftueshme për të vazhduar për një afat të gjatë përballjen me SHBA dhe SPAK. Pra, jo vetëm përmes avokatëve në sallat e gjyqit, por edhe përmes mikrofonave, logove politike dhe militantëve të mbledhur në salla e në rrugë.

Partia familjare e zyrtarizuar ditën e shtunë, e dyta pas asaj të Ilir Metës, e cila rrokadën në krye e ka mes burrit dhe gruas, nuk përbën një tabu politike. Sidomos pasi u shpall zyrtarisht. Për këtë ka mjaftueshëm shembuj në botë, por, siç u tha më parë, edhe te ne, siç dëshmon LSI, tani, PL.

Përkundrazi, zyrtarizimi i partisë familjare të Berishës qartëson mënyrën sesi do të veprojë në të ardhmen grupimi i drejtuar nga ish-kryeministri. Një parti me qëllime të qarta. Një parti me kundërshtarë të qartë. Një parti me lidership të qartë.

Dhe lidershipi është edhe themeli i këtij momenti politik.

Nëse partitë politike shqiptare kanë në qeverisjen e tyre të brendshme mjaftueshëm probleme në lidhje me demokracinë, në një parti familjare ky diskutim filozofik bie. Në to nuk mund të flitet për garë, meritokraci, kontroll dhe balanca pushtetesh, por vetëm për vasalitet.
Një parti familjare funksionon si një monarki. Drejtuesi apo drejtuesja e saj nuk kanë partnerë e bashkëpuntorë, por vetëm subjekte të vullnetit të tyre.
Ndaj, me qartësimin e qëllimeve politike nga ana e Berishëve, topi kaloi te deputetët e dalë nga listat e Partisë Demokratike dhe gjithë mbështetësit e ish-kryeministrit, që dolën komit kundër SHBA dhe SPAK, nën thirrjen e ndërtimit të një partie ndryshe nga ajo e “liga” në të cilën militoni të gjithë bashkë deri më 9 shtator 2021. Paradoksalisht, ata që e nisën “luftën” për demokraci të brendshme, për një parti më të hapur, më të bashkuar e më të fortë, e bitisën si vasalët e një monarkie familjare.

Një fatkeqësi politike që kërkon një korrigjim të menjëhershëm, sidomos duke patur parasysh se zgjedhjet e vitit 2025 po trokasin, e në ndërkohë SHBA dhe SPAK po bëjnë të tyre ndaj të gjithë atyre që janë në borxh moral, ligjor dhe ekonomik me shqiptarët.

Për t’iu kundërvënë këtij vasaliteti feudal që promovuan verbërisht edhe me përpjekjen e tyre, disa për ambicie të mëdha (që ngrinë të shtunën, bashkë me buzëqeshjen e atyre që e ndiqnin nga salla apo nga ekranet pasi egoja e tyre ishte përkëdhelur me shpërblime të imagjnuare, që të tilla do mbeten), disa për naivitet, e disa për ta parë veten sërisht në një listë të sigurtë. Kanë vetëm dy rrugë të tjera, përpos kësaj të mbajtjes së jastëkut mbi të cilën ndodhet kurora, për t’ia zgjatur trashëgimtares kur do të lipset nevoja.

Njëra prej tyre është strehimi nëpër lista të tjera, apo hapja e një partie të re. Një model i vjetër ky, në gjurmët e Patozit, Topallit dhe Murrizit, të cilët morën një përgjigje aspak shpërblyese nga elektorati në zgjedhjet e vitit 2021. Sigurisht nëse për qëllim kishin të ishin përfaqësues, e jo t’i hiqnin vota të djathtës. Por, siç sugjerojnë emrat, përvoja dhe pesha e dikurshme brenda PD-së të dy të parëve, kjo është një rrugë jo fortë e këshilluar.

Rruga e tretë është ajo e kthimit në shtëpinë e tyre politike dhe rimarrja e aksionit kundër Ramës me gjithë potencialin e PD-së, të lënë në mes nga revanshi i Berishës i nisur më 9 shtator. Të gjithë bashkë, të qartë për vlerat dhe parimet, për aleancat dhe strategjinë, për t’u përballur me qeverinë më të korruptuar në Europë, duke ndërtuar një model politik krejt ndryshe.

Për ata, PD-ja është një shtëpi e vjetër por njëkohësisht e re. Është një shtëpi e gjymtuar nga lufta e ashpër vëllavrasëse, por që arriti të qëndrojë në këmbë, duke e ndarë fatin e saj nga fati personal i Berishës. Duke mbrojtur partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke mbrojtur investimin politik tek drejtësia, për të cilën kjo parti nuk ka çeduar të aspekti më kritik i saj, këmbëngulja për ngritjen e SPAK-ut.

Disa nga depuetetët dhe njerëzit që u larguan prej saj mund të kenë vizione të kundërta me drejtuesin e PD. Kjo është diçka e domosdoshme për nxitjen e një dialektike të brendshme virtuoze. Sidoqoftë, të gjithë e dinë shumë mirë se, ndryshe nga sa hidhërimi i përballjes nga prodhuar në artikulimin publik, te Basha kanë një partnerë, i cili nuk i ka trajtuar kurrë si vasalë.

Rikthimi i tij, pasi siguroi vazhdimësinë e PD-së, duke e shpëtuar nga izolimi ndërkombëtar që i kanosej prej Berishës; nga hapi pas, i kërkuar nga grupi parlamentar, paçka se i nxitur nga një puç të orkestruar nga Berisha, Rama dhe Meta (kujtoni vetëm Shkodrën, me tre kandidatë në 6 mars 2022 Berisha “fiton”, me dy kandidatë në 14 maj 2023 Berisha humb), është vendosja në vend e një padrejtësie të bërë ndaj Bashës, i cili vijon të mbetet kandidati më i mirë i opozitës për të sfiduar Edi Ramën.

Koha i dha të drejtë Bashës, sigurisht edhe atyre që luftuan për të mbrojtur investimin e shqiptarëve dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të një alternativë qeverisëse ndaj Ramës, që të ishte e reformuar dhe e ndarë nga e shkuara problematike.
Koha i dha të drejtë Bashës sepse “revolucioni” i Berishës rezultoi një lëvizje e diktuar eskluzivisht nga interesa personale, për të cilat ai ishte dhe është gati të asgjesojë çdo gjë dhe çdo forcë politike që nuk pajtohet me mbrojtjen vetëmohuese të tyre.
Ndryshe nga Berisha, Basha sakrifikoi interesat e tij, imazhin (u bë shënjestër e një operacioni monsturoz baltëhedhës që ende vijon, të paguar shtrenjtë nga kundërshtarët e tij), pozicionin e çdo gjë, për të mbrojtur PD. Një akt që vijon të rezultoi ende jo i lehtë, nisur nga frika dhe pafuqia e shumë politikanëve për të mbajtur një qëndrim konsekuent përballë Berishës sot e kësaj dite.

Kjo është edhe përballja mes dy modeleve mbi të cilat do të konkurojë e djathta shqiptare në zgjedhjet e ardhshme. Dy forma lidershipi krejtësisht të ndryshme, por të pashmangshme. Berishët, me feudalizimin e tyre të përligjur nga karakteri personal i mbështetjes që ata kanë ngjizur dhe inkurajuar te një segment i militantëve.
Dhe Basha si drejtuesi i Partisë Demokratike, si model i politikanit kooperativ dhe perëndimor, që arriti të qëndrojë përballë njëriut më të pushtetshëm të tranzicionit, të mbajë gjallë potencialin e kësaj force politike, e në ndërveprim me shqiptarët dhe ndërkombëtarët (të cilët, të na pëlqejë apo jo, janë ende DESU EX MACHINA) ka të gjitha mundësitë për ta kthyer me alternativë qeverisëse, në një kontekst konkurues që po ndryshon dita ditës.

Përballë këtyre dy botëkuptimeve, të çliruar nga frika, hatri, dyshimi, e për të përligjur ambiciet e tyre, deputetët dhe njerëzit me ambicie politike do të duhet të bëjnë një zgjedhje maturie, e cila do të vëzhgohet me imtësi nga votuesit qysh këto ditë dhjetori, e me shumë gjasë do të përcakojnë trajektoren e tyre politike: Do zgjedhin të jenë vasalë Berishëve, duke i dhënë frymëmarrje një partie familjare që kultivon mitin e themeluesit e cila nuk synon pushtetin por mbijetesën? Apo partnerë të Bashës, brenda një partie të çliruar nga hipokiriza edhe barra e rëndë e atit-padron, që për dekada e atrofizoi PD, me objektivin hileqar për ta mbajtur nën kontroll, e që tani është gati të nis rrugëtimin post-berishist?

Artikulli paraprakGati 25 vjet pas zbarkimit, NATO-ja shqyrton përforcime të përhershme në Kosovë
Artikulli tjetërSimptomat e diabetit, si t’i dalloni dhe disa këshilla parandaluese