Denoncimi i fortë i Bashës: Në katin e Zyrës së Prokurimeve ka rënë zjarr, hetimi i tenderave sekretë test për jetë a vdekje për SPAK

Kreu i opozitës, Lulzim Basha gjatë bashkëbisedimit me gazetarët ka bërë një denoncim të fortë për manipulimin me dokumnetat e tenderave sekretë. Basha tha se, në katin e Zyrës së Prokurimeve në Ministrinë e Shëndetësisë ka rënë zjarr, pasi SPAK-u nisi hetimet. Sipas Bashës, hetimi i tenderave sekretë është test për jetë a vdekje për SPAK-un, nëse dështon, SPAK-u i ri ka lindur i vdekur.

“Edi Rama ka dhënë ndihmën më të ulët direkte në rajon dhe në Europë, 0. 86 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Pse?! Sepse vazhdon të paguajë shuma stratosferike të taksave të shqiptarëve për koncesione, sepse edhe në kohë pandemie e ka mendjen për të vjedhur, prandaj shkojnë edhe për tenderat sekrete. Paska rënë edhe zjarri në një nga katet e Ministrisë se Shëndetësisë tani që SPAK-u filloi hetimin.

Keni dëgjuar apo jo?! Ka rëne zjarri në katin e 4-rt, tek zyra e Prokurimeve në Ministrinë e Shëndetësisë para disa ditësh. Arsyeja kryesore përse Edi Rama nuk publikon, siç e ka për detyrë ofertat, kontratat e tenderave sekretë është sepse po manipulon të dhënat. Si duket nuk ia kanë dalë dot me manipulimin dhe i kanë vënë flakën. Por uroj që të kenë mbetur mjaftueshëm gjurmë sepse ky është një test për jetë a vdekje për SPAK-un. Në qoftë se dështon në këtë test, praktikisht, SPAK-u i ri ka lindur i vdekur.

Ndaj dua t’i bëj thirrje prokurorëve që të procedojnë me hetimin me transparencë dhe të komunikojnë me publikun sepse bëhet fjalë për taksat e shqiptarëve në kohë pandemie dhe të refuzojnë çdo formë presioni apo joshje nga Ëngjëll Agaçi, Taulant Balla, nga Ulsi Manja dhe korrierët e tjerë të Edi Ramës, të cilët nga mëngjesi deri në darkë ushtrojnë presion ndaj SPAK-ut për të mbyllur hetimet kundër korrupsionit.

Ky është një test të cilin shqiptarët, jo vetëm opozita, po e shikojnë me shumë, shumë vëmendje dhe jam i sigurt edhe faktori ndërkombëtar. Dhe askush nuk ka për t’i falur, nëse nuk ngrihen në lartësinë e detyrës për të cilën u krijuan, për të hetuar korrupsionin dhe për t’i vënë prangat zyrtarëve të lartë të korruptuar”, u shpreh Basha.

Artikulli paraprakBasha: Fundi i Ramës është i pashmangshëm, fundi i kësaj qeverie është i vulosur!
Artikulli tjetërAvokati i Popullit dënon dhunën e policisë ndaj protestuesve, nis hetimin