Dënohet Bilali në SHBA, a po i vjen radha Ramës?

Edi Rama pritet të hetohet në lidhje me shkeljen e ligjit federal për donacionet e huaja në fushatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas dëshmive që pritet të japë bashkëpunëtori i tij dhe i Bilal Shehut në skemën e mashtrimit. Gjykata Federale në Newark, New Jersey ka dënuar me një vit burg me kusht Bilal Shehun, shqiptari me nënshtetësi amerikane, pasi ai pranoi se ka ndihmuar në dhënien e fondeve për të ndihmuar Edi Ramën të bënte një foto me ish-presidentin Obama, gjatë fushatës elektorale të vitit 2012. Vetë Bilal Shehu sipas portalit www.nj.com ka pranuar fajin, duke shkelur ligjin federal, se ka dhënë kontribut në shumën e 80 mijë dollarëve që të ndihmonte kryetarin e Partisë Socialiste që të merrte pjesë në këtë eveniment, lajm që e konfirmon zyra e prokurorit të çështjes, Paul Fishman. Edhe avokatët e Shehut në këtë çështje Alan Abramson dhe Eric Breslin, kanë thënë se Bilal Shehu ka bërë një “gabim të tmerrshëm”, duke shtuar se është i lumtur që i jepet mundësia që ta shlyejë fajin që ka bërë. Më datë 14 shkurt do të zhvillohet një tjetër gjyq sipas portalit dhe këtë herë është greko-amerikani William Argeros, njeriu që kanalizoi fondet që do të përballet para drejtësisë. Argeros ka bërë të mundur blerjen e dy biletave nga 40 mijë dollarë secila në formë donacionesh në emër të Bilal Shehut (ka deklaruar se ka një kompani limuzinash, pasi ligji federal nuk lejon donacione nga individë më shumë se 5000 dollarë) dhe një tjetër në emër të gruas së tij, por që në vend të bashkëshortes së Bilal Shehut është paraqitur Edi Rama. Argeros pritet të përballet me një akuzë, e cila mund t’i kushtojë 5 vjet burg dhe 250 mijë dollarë gjobë. Ky është momenti kyç në bazë të të cilit prokurorët federalë do të hetojnë dhe në lidhje me burimin e të ardhurave, gjë e cila bën që fijet të çojnë dhe tek kryeministri aktual.

Bilali ishte i pari

Por në rast se gjykata e New Jersey-t provoi se Bilal Shehu ishte thjesht një vegël në të gjithë këtë skemë mashtrimi, ku sipas avokatëve i ka premtuar gjykatës se “do të provojë se është i gatshëm për ta shlyer atë që ka bërë”, nuk është e njëjta gjë për financuesit e kësaj skeme mashtrimi. Madje i gjithë hetimi është përqendruar pikërisht tek çështja se nga kanë ardhur këto financime. Ligji për financimet elektorale është i qartë dhe ndalon çdo lloj organizate, kompanie, partie politike apo politikani të lartë të japë financime për fushatën elektorale që zhvillohet në SHBA. Madje ndalohen dhe personat rezidentë në Shtetet e Bashkuara, që nuk disponojnë Green Card. Ndoshta ky ka qenë dhe qëllimi pse është përzgjedhur Bilal Shehu, një person me nënshtetësi amerikane për të blerë biletat që nuk ishin gjë tjetër vetëm se donacione, në emër të tij. Por, qoftë Rama, qoftë Argeros dhe qoftë Shehu e dinin fare mirë që po kryenin një krim federal në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ligji jo më kot është ndërtuar në mënyrë të tillë, pasi shmang paratë e pista që vijnë nga aktivitete të ndryshme, që të ndikojnë tek njëri apo tjetri kandidat në Shtetet e Bashkuara. Ligji është i qartë, se në çdo rast dënohen jo vetëm ata që kanë kryer aktin, por hetim dhe dënim ndërmerret dhe nga personat që kanë bërë të mundur financimin e kësaj skeme, gjë që mund t’i kushtojë shumë liderit global. Procesi vazhdon dhe natyrisht që Argeros, nuk ka pse rrezikon aq shumë që të mbajë mbi shpatulla mëkatet e kryeministrit tonë, që kërkoi të përdorte foton me ish-presidentin Obama si një mbështetje që po i jepnin Shtetet e Bashkuara.

Rama e dinte se po shkel ligjin

Po përse u zgjodh pikërisht Bilal Shehu dhe jo një kompani lobimi për këtë çështje? Në zgjedhjet presidenciale të vitit 1966, prodhuesit e sheqerit nga Filipine ishin investuar shumë në fushatën presidenciale dhe Senatit të asaj kohe, me qëllim që Senati të favorizonte çmimet e importit nga ky vend. Nga ajo kohë Senati vendosi që t’i presë rrugën çdo financimi të huaj që mund të ndikonte sadopak në politikat e shtetit amerikan. Sot në Amerikë dhe kompani apo korporata të fuqishme si Toyota, Nisan, Sony, Samsung, kompania e naftës Shell, kompani kafeje dhe gjithfare tjetër që operojnë në Shtetet e Bashkuara, por bazën e kanë jashtë vendit nuk mund të japin donacione në fushatë elektorale për asnjë kandidat apo senator në Shtetet e Bashkuara. Në raste të veçanta mund të kanalizojnë, kur bie fjala për aktivitete bamirësie që bëjnë kandidatët vetëm 5000 mijë dollarë (donacioni i Ramës ishte 80 mijë). Më vonë në vitin 1990, listës së kompanive iu shtuan dhe qytetarët e huaj amerikanë, partitë politike jashtë Amerikës apo politikanët. Askush prej tyre nuk ka të drejtë sipas ligjit elektoral për financimin e partive të ndërhyjë me anë të financimit në zgjedhjet amerikane. Në rast të kundërt masat janë shumë të rrepta. Në fakt, në lidhje me këtë çështje senatorët dhe politikanët amerikanë nuk kanë reshtur asnjëherë së bëri amendamente me qëllim shtrëngimin e masave dhe parandalimin e futjes së parave me burim të dyshimtë nga jashtë. Madje në amendamentin e reformës të bërë në vitin 2002, kandidatët që pranojnë shumë më shumë se 5000 dollarë, qofshin për Senat apo presidencë, duhet të deklarojnë dhuruesin dhe burimin me të cilat ky dhurues i ka përfituar këto para. Natyrisht këtu bëhet fjalë për shtetas amerikanë që gjithsesi në bazë të ligjit për donacionet individuale nuk kanë të drejtë të kalojnë shumën e 15 000 dollarë vit dhe për këto duhet deklaruar burimi i fitimit. Kjo është arsyeja se përse Edi Rama i kaloi këto financime nëpërmjet Bilal Shehut, duke përdorur si burim për kanalizmin e tyre biznesmenin William Argerosi, i cili përdori lidhjet e tij me administratën Obama që këto donacione të kanalizoheshin për të fituar biletat për aktivitetin e kandidatit demokrat. Por nuk është çudi që Argeros të akuzohet dhe për fshehje të të ardhurave, dhe mosjustifikimin e futjes së tyre në Shtetet e Bashkuara. Nga ana e tyre prokurorët e Newark thonë se askush nga Komiteti për Mbledhjen e Fondeve s’është akuzuar ende për këtë rast, por hetimet do të vazhdojnë, nën moton follow the money (ndiq paratë) dhe dëshmia e grekut Argeros është shumë e rëndësishme në këtë rast. Bilal Shehu e ka pranuar me vetëdije se ka kryer një krim federal, duke përfituar kështu nga statusi i të penduarit. Por Bilali ishte vetëm zbatuesi i kësaj skeme mashtrimi urdhëruesi ndodhet në godinën e Kryeministrisë.

Kryeprokurori ka nisur hetimet për falsifikimin e kryeministrit

Kryeprokurori, Adriatik Llalla ka nisur hetimet për falsifikimin e kryeministrit. Ai ka deklaruar në studion e Opinion, se do të thërrasë ish-ministrin Ylli Manjani për të dëshmuar në lidhje me akuzat e bëra publike mbi Kryeministrin Rama. Ai tha se ka nisur hetimet ndaj qeverisë për deklaratat e bëra nga Manjani. Ky i fundit deklaroi se ka pasur shkelje me mbledhjet e qeverisë dhe për këtë arsye kanë nisur hetimet. “Hetimi ka nisur menjëherë pasi Manjani ka bërë ato akuza”, tha ai.  “Nuk kam frikë të hetoj. Pas deklaratës së ish-ministrit kanë nisur edhe hetimet e para. Menjëherë pas konferencës së mbajtur nga Manjani është regjistruar si procedim penal, dhe ka nisur hetimi për akuzat e bëra. Por duhet koha e nevojshme për hetimet”, u shpreh kryeprokurori Llalla. Menjëherë pas publikimit të lajmit për shkarkimin e tij nga posti i ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani në një deklaratë për mediat ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Rama dhe disa ministrave të qeverisë. Manjani tha se mbledhjet e Qeverisë firmosen koncesione pa dakordësinë e ministrave. Madje ai tha se në jo pak raste ato janë fiktive.

Artikulli paraprakBalili nuk lejon Ramën tek Këshilli i Sigurisë
Artikulli tjetërBasha me investitorët italianë: Do kemi taksat më të ulëta në 26 vite