Demokratët duan një Parti Demokratike të vërtetë dhe fituese

Nga Mirela Karabina

Partia Demokratike sot dhe kryetari saj Lulzim Basha janë në një moment historik për t’i dhënë shqiptarëve partinë e tyre të dëshiruar, siҫ ajo që lindi më 1990, një parti me identitet të djathtë dhe e vlerave më të mira perëndimore, e njerëzve të lirë me besimin në Zot, në respekt të pronës e familjes.

Dhe kjo arrihet vetëm duke u përballur me të vërtetat!

Gjendur në një agresion të paparë prej dy vitesh si rezultat i qëndrimit parimor që mbajti Lulzim Basha ndaj sanksionit amerikan “non grata” më 9 Shtator 2021, Partia Demokratike kaloi krizën më të rëndë në 33 vjet, luftën brenda llojit.

Ardhur në pushtet për herë të parë më 1992-in me mbështetje të hapur të aleatit tonë strategjik SHBA-së, mëgjithëse Partia Demokratike do të fitonte zgjedhjet parlamentare me 62.08% të votave ndërsa Partia Socialiste me 25.70% të votave, ajo shumë shpejt do të braktisej nga shtresat e qenësishme të saj.

Dhe kjo për arsye se ajo kamufloi të vertetat!

Bashkëvuajtës e bashkëfajtorë, slogani famëkeq që përligji lidershipin e PD-së asokohe i cili ishte pothuajse i gjithi zgjatim i nomeklaturës komuniste, do të vinte shenjën e barazisë mes vuajtësve të diktaturës komuniste dhe fajtorëve.

E paimagjinueshme ҫfarë dëmi!

Me këtë frymë Partia Demokratike jo vetëm nuk u përball me fajtorët e regjimit komunist por, përkundrazi, i lejoi ata të vazhdonin karrierën e tyre politike edhe pse bashkëpunëtorë të regjimit apo të UDB-së jugosllave dhe KGB-së sovjetike duke lënë në terr të shkuarën.

Po si mund të ndërtohet e ardhmja dhe të marrë kuptim e tashmja, pa ditur të shkuarën?!

Shumë shpejt shtresa e të përdjekurve politikë, njerëzit që vuajtën më shumë se të tjerët në burgje e internime të ferrit komunist do të largoheshin nga PD, pasi sakrifica u barazua me dhunën e xhelatëve të tyre.

Ligji 7501 që vuri në zbatim PD riktheu plagën 46 vjeҫare të pronarëve, zhveshjen për herë të dytë nga prona. Kjo ishte një tjetër goditje e largimit të shtresave të qenësishme nga PD.
Ngjarjet që pasuan më tej, zgjedhjet e deformuara të 1996-ës, traziarat e 1997-ës, një milion votat kundër të 2013-ës, do ta godisnin besueshmërinë ndaj PD-së pasi vetë ajo përmes lidershipit të saj nuk u përball asnjëherë më të shkuarën dhe të vërtetat e saj.

Tashmë ajo ishte kthyer në një parti elektorale pa filozofi, larguar nga boshti i saj i djathtë.

Sulmet e pamasa pas 2013-ës ndaj PD-së dhe Z. Basha për ta penguar ardhjen e PD-së në pushtet shkuan shumë larg, deri në FBI përmes McGonigal, duke i mohuar shqiptarëve të drejtën për pasur një parti demokratike të vërtetë dhe fituese. Establishmeti i vjetër bën ҫdo përpjekje për të konservuar status quonë duke ruajtur fort të fshehur të shkuarën.

Dhe sot Partisa Demokratike dhe Lulzim Basha janë në sfidë si të rikthejnë besimin ndaj saj, jo vetëm të demokratëve por dhe shumicës së heshtur të qytetarëve.

Dhe rruga e duhur është përmes përballjes me të shkuarën dhe me të vërtetat, duke i parë në sy!

E riorganizuar dhe e qartë ne agjendën politike të saj, me një ekip me ide dhe integritet që prioritet ka interesin qytetar, me program të thjeshtë që zgjidh problemet jetike të qytetarëve, Partia Demokratike do të jetë alternativa më e mirë qeverisëse.

Pasi, demokratët dhe qytetarët duan një PD të vërtetë e fituese.

Artikulli paraprakPD, Kulluri: Lista e hapura dhe vota e emigrantëve, çështje të sistemit demokratik. 3-4 vetë po e çmontojnë në një tryezë pazari
Artikulli tjetërRaporti i KLSH/ Miliarda lekë abuzime me tenderat e QSUT, trashëgimia që la Albana Fico