Del Bosque, i lumtur për kualifikimin

Vicente Del Bosque i lumtur për kualifikimin. Trajneri i Kombëtares së Spanjës u shpreh i kënaqur për paraqitjen që bëri skuadra e tij përballë Turqisë. Del Bosque u shpreh se, kualifikimi i La Rojas për në fazën tjetër ishte objektivi i tyre i parë për këtë europian, të cilin arritën ta përmbushnin me sukses. “Ia dolëm të kualifikohemi për fazën pasardhëse dhe ky ishte misioni ynë i parë, të cilin arritëm ta realizojmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Futbollistët zhvilluan një ndeshje të bukur, me intensitet të lartë. Mbrojtja gjithashtu ishte në lartësinë e duhur. Paraqitje të tilla na motivojnë që të vazhdojmë të japim më të mirën tonë në fushën e blertë”, u shpreh Del Boske.
Më tej, tekniku i kampionëve në fuqi të Europës foli dhe për takimin e radhës ndaj Kombëtares Kroate. Del Bosque u shpreh se nuk do të ketë ndryshime rrënjësore në formacion. “Ndaj Kroacisë nuk do të ketë ndryshime në modulin e lojës, gjithashtu dhe në formacion. Sigurisht që na pret një ndeshje jo e lehtë pasi, Kroacia ka në përbërje të saj shumë futbollistë cilësorë, të cilët nëse nuk tregohemi të vëmendshëm mund të na ndëshkojnë në çdo moment”, tha ai.
Në fund trajneri i “La Rojas” foli dhe për gjendjen fizike të mesfushorit të Barcelonës, Andres Iniesta, duke qetësuar tifozët e Spanjës, pasi dirigjenti i mesfushës nuk ka asnjë problem dhe se do të jetë i gatshëm për takimin kundër Kroacisë.
Rezultati 3-0 me të cilin kampionët në fuqi ndëshkuan Turqinë, është një demonstrim i çmendur force, pasi vjen me armët që e kanë bërë La Rojan të madhe në dekadën e fundit, tiki-takan e famshme dhe me mbështetjen e talenteve të rinj që e bëjnë Spanjën akoma më efikase, natyrisht në pritje të një konfirmimi edhe në përballjet me kundërshtarë më të fortë.
Alvaro Morata është lojtari i parë që shënon një dygolësh në Francë 2016. Turqia rezistoi 34 minuta, krosim i Nolitos dhe goditje fatale me kokë e Moratës, i lënë krejtësisht i lirë në qendër të zonës. Vetëm tre minuta më vonë dhe bëhet 2-0, asistin e pavullnetshëm Nolitos ia shërben Mehmet Topal, por edhe pse finalizimi eksktetikisht nuk është për të vënë duart në kokë, aksioni që i paraprin prekjes finale është në kufijtë e një himni për futbollin.
Spanja vazhdon spektaklin e saj, duke e filluar pjesën e dytë me një tjetër gol, duke u bërë kështu e vetmja skuadër që ka shënuar 3 herë në një ndeshje në këtë Europian, shënon sërish Morata, edhe pse duhet thënë se goli duhej anuluar për pozicionin jashtë loje të Jordi Alba. Ndoshta anësori nuk ka ngritur flamurin për t’i dhënë një çmim pasimit të mrekullueshëm të Andres Iniesta.

Artikulli paraprakRumania, 1.5 milionë euro shpërblim për kualifikimin
Artikulli tjetërSocialistët e Kavajës, nëna jonë është partia