Degradon pushteti, Kryebashkiaku i PS rrihet me shkopinj bejsbolli nga aleatët

 

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në mëngjes në Bashkinë e Dibrës. Kryetari dhe zyrtarët e Bashkisë janë sulmuar me shkopa bejsbolli dhe shufra hekuri nga përfaqësues të PDIU-së, aleate e PS. Sulmi masiv me shufra hekuri ka ndodhur, pasi kryebashkiaku Muharrem Rama, kishte vendosur të largonte nga puna disa punonjës që kanë ardhur nga radhët e PDIU. Si pasojë e dhunës, katër zyrtarë kanë mbetur të plagosur rëndë dhe kanë përfunduar në spital.
Në një prononcim për mediat, kryebashkiaku socialist, Muharem Rama, tha se ndodhej në spital për të shoqëruar të lënduarit. “Ka qenë ora 09:00. Nuk kisha mbërritur në zyrë, por më lajmëruan se kanë ardhur disa ekspontentë të PDIU dhe kërkojnë të takojnë kryetarin. Ishin një grup prej 30 vetash përfaqësues të PDIU me nënkryetarin Olti Cami dhe na kanë sulmuar me shkopa bejsbolli dhe tuba hekuri. Janë dhunuar zyrat e Bashkisë nga përfaqësues të PDIU, janë 4 të lënduar me mjete të forta. Kanë disa plagë në kokë, që janë dëmtuar me shkopa bejsbolli dhe tuba hekuri”, tha Muharem Rama.
Sherri filloi kur Drini Mataj, shefi i Personelit, ka nisur të përmendë emrat e parë të punonjësve që do të pushoheshin nga puna, të cilët ishin militantë të PDIU-së.
Në këtë moment ka nisur një përplasje masive mes tyre dhe në ndihmë të punonjësve të shkarkuar kanë ardhur edhe disa simpatizantë të PDIU-së, të cilët ishin pajisur me shkopinj bejsbolli e shufra hekuri. Pjesë e sherrit është bërë edhe kryetari i Bashkisë, Muharrem Rama, i cili është shtyrë gjatë përleshjes.
Deri vonë ngjarja është tentuar të minimizohet, por informacionet nga qyteti verilindor detyruan policinë të dalë me një deklaratë zyrtare. Sipas policisë, disa punonjës të Bashkisë Dibër, të ndihmuar nga persona të jashtëm kanë hyrë nga dera e pasme e godinës dhe kanë goditur shefin e Burimeve Njerëzore të Bashkisë, shtetasin D.M. si dhe shtetasit H.D., E.D, L.D. Të lënduarit po marrin trajtimin mjekësor në Spitalin e Peshkopisë dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Policia e Dibrës ka identifikuar autorët e dyshuar të përfshirë në këtë ngjarje dhe po punohet për kapjen e tyre.
Partia Socialiste dhe Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet kanë bashkëpunuar ngushtë për fitoren e Bashkisë së Dibrës, duke ushtruar dhunë dhe terror gjatë fushatës zgjedhore për të blerë dhe grabitur votat. Duket se kryebashkiaku Muharrem Rama ka vendosur ta prishë përfundimisht koalicionin me PDIU, duke hequr njerëzit nga puna. Por këto të fundit, që e kanë ndihmuar në fushatë nuk e kanë pritur mirë dhe kanë nxjerrë shkopat e bejsbollit për të shprehur zhgënjimin e tyre.
Muharrem Rama denoncoi edhe zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, kur tha se një bandë ka zgjedhur deputet një deputet të PDIU. “Prej kohësh PDIU po ushtron presion për të ndikuar në vendimmarrje, dhe kjo situatë ka ardhur duke u përshkallëzuar për shkak të transformimeve dhe ristrukturimit që po ndodh në Bashkinë e Dibër. E gjithë kjo është diçka e paprecedent dhe nuk ka ku të rrijë, gjë që tregon se çfarë niveli dhe begraundi përfaqësojnë njerëzit e PDIU-së në Dibër. Kemi të bëjmë, jo me një parti politike, por me një bandë horrash, që mendon t’i zgjidhë problemet dhe interesat e saj me dhunë fizike ndaj punonjësve të shtetit, që sulmon e dhunon institucionet, dhe përfaqësuesit e pushtetit lokal. Në fakt, me këto mjete, kjo parti ia ka dalë të fitojë një deputet në Dibër, dhe është pikërisht, e njëjta dorë që trazon gjithçka. Kjo është mënyra sesi kjo parti, di t’i zgjidhë problemet e saj, pasi ajo nuk ka asnjë aset apo “vlerë” tjetër përveç dhunës, horrave, banditëve, njerëzve të korruptuar e inkriminuar që duan veç të zhvasin e grabisin. Eshtë e trishtë të mendosh se, kjo ndodh në një vend në Europë, në vitin 2018”, shkruan kryebashkiaku Rama. Kryebashkiaku e vijon statusin e tij duke përdorur fjalë si “llum, Shqipëria nuk është Wild West dhe Dibra nuk është El Paso”.
Me këto deklarata, kryetari i Bashkisë së Dibrës vërtetoi qëndrimin e opozitës se zgjedhjet parlamentare u fituan me paratë e drogës dhe njerëzit e krimit që u përdorën për fushatën e socialistëve. Në fakt arkitekti i skemës për grabitjen e zgjedhjeve është vetë Edi Rama.

Artikulli paraprakSulmi në Bashkinë e Dibrës, arrestohet zëvendëskryetari
Artikulli tjetërMarku largoi Gashin për të mos penguar ekstradimin e Seitit